Këshilli gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme solli vendim të njëzëshëm për ta shkarkuar nga funksioni gjykatësen supreme Lidija Nedellkova.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kire Zdravev pas përfundimit të seancës deklaroi se Nedellkova është shkarkuar dhe pezulluar, gjegjësisht përkohësisht është larguar nga kryerja e funksionit gjyqësor deri në vlefshmërinë e vendimit.
“Konstatuam se kjo që është konfirmuar në Raportin e Komisionit të përbërë prej tre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor është vërtetuar. Është vërtetuar edhe ajo se faktet të cilat janë konfirmuar në bazë të dëshmive të dhëna, dhe kjo në çdo dëshmi individualisht, në të gjitha dëshmitë së bashku, si dhe në bazë të rezultateve nga procedura e tërësishme”, deklaroi Zdravev.
Ai, informon se kundër këtij vendimi gjykatësja Nedellkova ka të drejtë të ankesës deri te Këshilli pranë Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pse është shkarkuar gjykatësja Lidija Nedellkova Zdravev tha se arsyet janë “kryerje jo në kohë, në mënyrë joadekuate të obligimeve të saj të punës, shkelje të rregullores gjyqësore gjegjësisht Kodeks për etikë gjyqësore”.
Nedellkova ishte njëra nga tre kandidatet për kryetare të Gjykatës Supreme. Këshilli Gjyqësor të premten e zgjodhi Besa Ademin për kryetare të Gjykatës Supreme.