Vaksinimi kundër Kovid-19 në vend fillon nesër, edhe atë së pari me vaksinimin e punonjësve shëndetësorë nga Klinika Infektive në Shkup. Autoritetet konfirmuan se përgatitjet për vaksinimin masiv janë duke u zhvilluar, ndërsa deri në fund të muajit priten edhe vaksinat kineze.
Vaksinimi do të fillojë të mërkurën në ora 10, në spitalin modular të Klinikës për sëmundje infektive dhe gjendje febrile.
Ministria e Shëndetësisë kumtoi se pika në spitalin modular ku ka gjashtë pozicione vaksinimi, do të funksionojë në dy turne nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 20 e mbrëmjes, ndërsa vaksinimin do ta kryejnë ekipet mjekësore nga Qendra shëndetësore Shkup. Sipas planit të përcaktuar, oraret për vaksinim do të jenë në 10 minuta.
Sistemi kombëtar dërgoi lista në të gjitha qendrat kovid gjatë ditës së djeshme, ku janë theksuar emrat e punonjësve shëndetësorë që duan të vaksinohen, me orë dhe ditë të saktë kur duhet të vijnë për të marrë vaksinën në spitalin modular të Klinikës infektive në Shkup. Qendrat kovid duhet t’i konfirmojnë përsëri listat.
Deri më tani janë paraqitur 4000 punonjës shëndetësorë për vaksinim, prej tyre rreth 2000 janë në qytetin e Shkupit, ndërsa të tjerët në qytetet tjera.
Çdo punonjës shëndetësor, që do të marrë vaksinën menjëherë do t’i sigurohet doza e dytë për rivaksinim.
Vaksinimi i parë do të kryhet me 4680 doza të vaksinave nga prodhuesi “Fajzer”, të dhuruara nga Serbia. Me këtë dërgesë të vaksinave, imunizimi do të kryhet vetëm në spitalin modular të Shkupit. Me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave në vend, vaksinat do të shpërndahen në qendrat e tjera shëndetësore në vend ku vaksinimi do të kryhet në pikat ekzistuese të vaksinimit.Siç paralajmëroi dje ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, vaksinimi do të zhvillohet në tre faza në pajtim me Planin e konfirmuar nacional për imunizim të popullatës.
Në fazën e pare, është paraparë të vaksinohen punonjësit shëndetësorë të cilët janë në linjën e parë të përgjigjes në kushte spitalore me rrezik të lartë dhe shumë të lartë të marrjes dhe bartjes së infektimit. Në këtë faze është paraparë të vaksinohen edhe personat më të moshuar me rrezik të lartë për të zhvilluar sëmundje, komplikime dhe vdekje, të definuar me rrezik në bazë të moshës dhe persona më të moshuar se 70 vjeç.
Autoritetet kompetente paralajmëruan se deri në fund të muajit shkurt pritet të mbërrijnë vaksinat kineze.
Sipas kryeministrit, Zoran Zaev, vaksina kineze kundër Kovid-19 është në procedurë të dakordimit dhe rregullimit.
“Premtimi është se deri në fund të shkurtit do të arrijnë vaksinat. Çdo ditë më herët për ne është e rëndësishme, por derisa realizohen, implementohen këto 4680 vaksina të cilat populli serb dje ia dhuroi popullit maqedonas, do të realizohen edhe të tjerat deri në 8000 vaksina, për shkak të asaj që marrëveshja treparlëshe mes nesh, Serbisë dhe “Fajzer” është për tetë mijë vaksina”, theksoi dje kryeministri.Pritjet janë që vaksinat të arrijnë, potencoi ai, nga fundi i kësaj jave, deri në fund të javës së ardhshme, kur përfundon edhe muaji.
Në vend duhet të arrijnë edhe dozat shtesë të “Fajzerit”, të cilat janë siguruar nga negociatat e drejtpërdrejta me kompaninë, si dhe doza përmes sistemit Kovaks.
Një pjesë e madhe e qytetarëve janë të interesuar për vaksinimin kundër Kovid-10, tregon ueb-faqja “Vakcinacija.mk”
Përfshirë ditën e djeshme, në këtë faqe për vaksinim janë paraqitur gjithsej 46.023 qytetarë. Përmes mjekëve amë janë paraqitur 13.511 persona.
Ueb-faqja u lansua javën e kaluar dhe çdo qytetar mund të aplikojë në të, pasi sistemi do të jetë ai që gjeneron se cilit qytetar do t’i jepet përparësi. Përveç kësaj, regjistrimi për vaksinim mund të bëhet përmes mjekëve amë përmes sistemit “Termini Im”.
Pas numrave relativisht të lartë të rasteve të saporegjistruara të Kovid-19, të cilat në shtatë ditët e kaluara varionin midis 180 dhe 416, dje u shënua rënie si në numrin ashtu edhe në përqindjen e të infektuarve të rinj. U konfirmuan 51 raste të reja nga 755 teste të kryera, që është 6.75 për qind.
Numri i përgjithshëm i pacientëve pozitivë dhe të dyshuar në koronavirus që mjekohen në repartet infektive në kryeqytet dhe spitalet në vend është 592. Ka rreth 470 shtretër të lirë në kovid qendrat. Në Shkup mjekohet 243 pacientë të dyshuar dhe konfirmuar për Kovid-19.
Që nga fillimi i epidemisë, numri i përgjithshëm i Kovid të diagnostikuarve në vend është 97.101, janë shëruar 87.960, kanë vdekur 2998, ndërsa aktualisht raste aktive janë 6413 persona.