Me 12 vota “pro” dhe një kundër, Këshilli gjyqësor në seancën e sotme e zgjodhi gjykatësen supreme Besa Ademi, kryetare të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ajo gjithashtu i fitoi edhe votat e bashkësive etnike në raport 4:1.
“Është marrë Vendimi për zgjedhjen e kryetares së Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me shpalljen numër 09-1733/2 nga 11.11.2020, edhe atë për kryetare të Gjykatës Supreme të RMV ështe zgjedhur Besa Ademi, gjykatëse në Gjykatën Supreme të RMV, qëndron në komunikatën të publikuar në ueb faqen e Këshillit Gjyqësor.
Përveç Ademit, për vendin e kryetarit në Gjykatës Supreme konkuruan edhe gjyqtarët Xhemali Saiti dhe Lidija Nedellkova.
Besa Ademi ka lindur më 23 janar 1964 në Shkup. Jeton në Shkup. Me kombësi është shqiptare. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Shkup në vitin 1990. Provimin e jurisprudencës e ka dhënë në Shkup më 8 prill të vitit 1993.
Ademi filloi të punojë si vullnetare-stazhiere në Gjykatën e Qarkut në atë kohë në Shkup më 15 dhjetor të vitit 1990 dhe nga 8 shkurti i vitit 1994 ishte bashkëpunëtore eksperte në të njëjtën gjykatë. Në periudhën prej 9 dhjetorit të vitit 1999 deri më 14 qershor ë vitit 2004, ka punuar si zëvendëse e kryeprokurorit publik të Republikës së Maqedonisë në Prokurorinë Themelore Publike të Republikës së Maqedonisë. Më 15 qershor të vitit 2004, ajo u zgjodh gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Shkupit, ku i trajton çështjet në departamentin civil. Më 7 korrik të vitit 2009, u zgjodh gjykatëse në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë.