Përfaqësuesit e Unionit të nxënësve të shkollave të mesme të udhëhequr nga kryetari Blendi Hodai sot në ora 16:00 do të priten nga kryeministri Zoran Zaev, pasi dje dërguan një letër në Kabinetin e kryeministrit me kërkesë për takim që të bisedojnë për maturën shtetërore.
Në letrën drejtuar kryeministrit, ata kërkuan takim në të cilin do t’i paraqesin dy kërkesat e tyre për modifikimin e maturës shtetërore – uljen e numrit të lëndëve nga katër në dy dhe programet e shkurtuara mësimore.
“Shpresojmë se jeni të informuar për situatën rreth maturës shtetërore dhe përmes mediave dhe përmes kanaleve zyrtare të komunikimit. Gjithashtu shpresojmë se takimi do të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur, sepse koha po skadon, që do të thotë se duhet të veprojmë shpejt për të zgjidhur çështjen”, shkroi Unioni i nxënësve të shkollave të mesme dje në një letër drejtuar Kabinetit të kryeministrit.
Pas 12 ditësh bojkot, disa nga maturantët të organizuar nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme u kthyen në mësim. Unioni vendosi të pezullojë bojkotin, i cili filloi në gjysmën e dytë të vitit dhe të presë që Parlamenti të gjejë zgjidhje pasi grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së të hënën e kaluar ka paraqitur Propozim-ligj për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për arsim të mesëm.
Kryetari i Unionit Hodai deklaroi se deri në fund të shkurtit do të ndjekin mësimin dhe do të presin që Kuvendi ta pranojnë dhe ta votojë kërkesën e tyre dhe nëse nuk ndodh kjo paralajmëroi se nga 1 marsi do të vendosin kampe para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.