Organizata e punëdhënësve të Maqedonisë (OPM) kërkon që të vendosen kritere më të rrepta dhe më adekuate për kompanitë që do të aplikojnë për ndihmë shtetërore dhe bën thirrje që paketa e pestë të miratohet menjëherë, që të përshtaten kriteret për qasje në kreditë për likuiditet, si dhe të vazhdojë bashkëfinancimi i aktiviteteve investuese të kompanive.
Sondazhi i fundit OPM, i kryer me mbështetjen e BE-së dhe Organizatës ndërkombëtare të punës, tregon se 61 për qind e gjithsej 246 ndërmarrjeve kanë shprehur pakënaqësi relative për llojin dhe madhësinë e mbështetjes qeveritare në përballjen me efektet negative të KOVID-19.
Masa më e vlerësuar, si dhe në sondazhin e mëparshëm midis anëtarëve të OPM, është subvencionimi i pagës. Gjithsej 46 për qind e atyre që u prononcuan se do të aplikonin për paketën e pestë anti-krizë thanë se do të aplikonin për subvencionimin e pagave, 16 për qind do të aplikonin për grante të veçanta të industrisë dhe 14 për qind do të aplikonin për shtyrjen e pagesës së kredive.
Sipas hulumtimit, në periudhën tetor – dhjetor të vitit 2020, situata me vazhdimësinë e operacioneve të kompanive, stabiliteti i tyre financiar, statusi i fuqisë punëtore dhe efektiviteti i masave vijuese qeveritare, është përmirësuar pak në krahasim me periudhën prill – qershor. Gjatë kësaj periudhe, 83 për qind e ndërmarrjeve vazhduan me punë për dallim nga prill-qershor, kur punonin vetëm 22 për qind. Më shumë se 50 për qind e të anketuarve thanë se sfidat kryesore operacionale ishin mungesa e stafit për shkak të sëmundjes ose dispozitave qeveritare, një rënie e shpejtë e kërkesës për produktet e kompanisë dhe pagesa e vonuar nga klientët.
Në bazë të kësaj analize, Organizata e punëdhënësve i propozon Qeverisë që është e nevojshme të miratojë paketën e pestë të masave sepse situata me pandeminë ende nuk po përmirësohet dhe shkakton probleme të mëdha në funksionimin e ndërmarrjeve, të zhvillohen kritere më të rrepta dhe më të përshtatshme për pranueshmërinë e kompanive mbështetëse që do t’u mundësojnë kompanive që me të vërtetë kanë nevojë për ndihmë për të marrë fonde dhe në të njëjtën kohë të zvogëlojnë humbjet për shkak të ndarjes joefikase të burimeve.