Vaksina “Kovidshild”, e zhvilluar nga AstraZeneka dhe Universiteti i Oksfordit, siguron përgjigje të mirë imunologjike tek të moshuarit, megjithëse nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar efikasitetin e saktë. Kjo u tha nga një prej krijuesve të vaksinës në Oksford, Endrju Pollard, duke shtuar se ai “nuk e di se për çfarë flet Emanuel Makron”.
I pyetur për të komentuar pretendimin e presidentit francez Emanuel Makron se vaksina ishte “kuazi-efektive” për njerëzit mbi 65 vjeç, Pollard deklaroi për radio Bi-Bi-Si se “nuk e kuptoj se çfarë do të thotë kjo deklaratë. Çështja është që ne kemi më pak të dhëna për njerëzit e moshuar, gjë që i bën njerëzit më pak të sigurt në nivelin e mbrojtjes.”
Ai shtoi se përgjigja imunologjike tek njerëzit e moshuar është shumë e ngjashme me atë tek të rinjtë.
“Mbrojtja që ne shohim po shkon në të njëjtin drejtim, është e ngjashme në intensitet,” shtoi ai.