Maqedonia e Veriut dhe Greqia përmes miqësisë promovojnë stabilitet në të gjithë Ballkanin Perëndimor, konstatuan kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev dhe ambasadori i ri grek në vend Rusos Kunduros, në takimin e sotëm në Qeveri.
Bashkërisht u konstatua se Maqedonia e Veriut dhe Greqia, përmes miqësisë, promovojnë stabilitet.
Në takim, siç theksohet në kumtesën e pres-shërbimit qeveritar u përcoll mesazhi nga Athina për vazhdimin e miqësisë mes të dyja vendeve, përmes avancimit të bashkëpunimit në sferat e rëndësishme për qytetarët e të dyja shteteve, që vlerësohet se veçmë është në fazën e realizimit.
“U shpreh mbështetje nga Greqia për vendin tonë për progres edhe në integrimet evropiane, pas arritjes së anëtarësimit në NATO, si dhe për ndihmë teknike në proceset e rëndësishme për perspektivat evropiane”, theksohet në kumtesë.
Në takim veçanërisht u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, ku, si edhe në energjetikë, vërehen rezultate të dukshme.
“Përmes ekonomisë, qytetarët e të dyja shteteve fillojnë të ndjejnë benefite të drejtpërdrejta nga Marrëveshja e Prespës, si hap historik dhe përcaktim i rëndësishëm i të dyja shteteve për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, bashkëpunim inkluziv dhe konstruktiv”, tha Kryeministri Zaev.
Në takim u shpreh edhe rëndësia e bashkëpunimit në sferën e shëndetësisë, bujqësisë, arsimit, kulturës, mbrojtjes sociale.
Kryeministri Zaev, dërgoi ftesë përmes ambasadorit Kunduros, deri te Kryeministri grek Kirijakos Micotakis, për vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.