SHBA-ja në mënyrën më të ashpër e dënoi përdorimin e forcës policore ndaj demonstruesve dhe gazetarëve në protestat e djeshme në Rusi, kumtoi Departamenti amerikan i Shtetit.
“Përpjekjet e vazhdueshme për shkeljen e të drejtave të rusëve për tubime të qeta dhe liri të shprehjes, arrestimi i liderit opozitar, Aleksej Navallni dhe shpërndarja e protestave, me shqetësim tregojnë në kufizimet e mëtejshme të shoqërisë civile dhe liritë themelore”, thuhet në kumtesë.
Departamenti i Shtetit përkujton se të drejtat e qytetarëve rusë për tubim të qetë dhe pjesëmarrje në zgjedhje të lira dhe të ndershme është përmbajtur jo vetëm në Kushtetutën e vendit, por edhe në obligimet ruse ndaj OSBE-së, Deklaratës universale për të drejtat e njeriut dhe obligimet e saj ndërkombëtare ndaj Paktit ndërkombëtar për të drejta civile dhe politike.
SHBA-ja u bën thirrje autoriteteve ruse që t’i lirojnë të gjithë të arrestuarit, për shkak të shkeljes së të drejtave të tyre universale, si dhe lirimin e menjëhershëm të liderit opozitar rus, Aleksej Navallni.
Po ashtu, edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhozep Borrel ka shprehur keqardhje për shkak të “arrestimeve masive dhe përdorimit tejmasë të forcës”.
“Të hënën do të bisedojmë me ministrat e punëve të jashtme të BE-së për hapat e ardhshme”, ka shkruar Borel në Tuiter.
BE-ja kërkoi që Navallni menjëherë të lirohet. Më shumë vende anëtare dhe Parlamenti Evropian kërkojnë vendosjen e sanksioneve të reja kundër Rusisë, por për këtë nevojitet vendim unanim nga të gjithë 27 vendet anëtare.
Edhe kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel në bisedë telefonike me presidentin rus Vlladimir Putin kërkoi lirimin e Navallnit dhe “respektimin e tërësishëm dhe të pakushtëzuar të të drejtave të tij”, duke shprehur “shqetësim serioz”.