Dëshiroj të dërgoj porosi të fuqishme se perspektiva evropiane, perspektiva e aderimit të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe të Maqedonisë së Veriut, është e qartë dhe e pakontestueshme. Vitin e kaluar e kemi pasur Samitin në Zagreb, ku ky qëllim strategjik është përsëritur nga ana e liderëve, asgjë nuk ka ndryshuar. Maqedonia e Veriut me pozitën e saj gjeografike, me kulturën e saj, historinë, është vend evropian.
Këtë në intervistë për MIA-n e ka deklaruar ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Dejvid Gir, me të cilin biseduam edhe për kontestin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, për anëtarësimin eventual në Zonën ekonomike evropiane, për arritjen e vaksinave, Kovaks mekanizmin, ndihmën e Bashkimit Evropian për sanimin e pasojave nga kriza me Kovid-19 ndaj ekonomisë…
Euroambasadori është optimist se vendi do të shkojë përpara, si dhe për angazhimin e presidencës portugeze me BE-në që të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-në në gjysmën e parë të vitit.
Për euroambasadorin Gir, përmes procesit të reformave, Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian njoftoi se BE-ja do të sigurojë 70 milionë euro në grante për vendet e Ballkanit Perëndimor për të blerë vaksina nga BE-ja. Megjithatë, procesi i furnizimit të vaksinave zhvillohet ngadal. Maqedonia e Veriut, përkundër premtimeve që i mori për të marrë ndihmë në vaksina nga dy vendet anëtare fqinje, ndihmë mori nga Serbia. Kur mund të pritet më së shpejti ndihma e BE-së?
– Të gjithë e kemi të qartë se për të dalë nga pandemia duhet të sigurohemi që të gjithë të kenë qasje deri te vaksinat e sigurta dhe efikase. Evropa nuk do të jetë e sigurt përderisa të gjitha rajonet e Evropës nuk janë të sigurta. Të gjithë jemi të prekur dhe kjo është arsyeja pse BE-ja ka qenë krah për krah me Ballkanin Perëndimor dhe Republikën e Maqedonisë Veriore që nga fillimi i krizës.
Vitin e kaluar, BE-ja siguroi më shumë se një milion produkte të pajisjeve të mbrojtjes mjekësore në Ballkanin Perëndimor. Kemi ndihmuar bizneset të mos falimentojnë si rezultat i ndikimit ekonomik të kovid-pandemisë dhe mbylljes së shoqërisë. Kemi ndihmuar kategoritë e rrezikuara të qytetarëve, të cilët mund të mbeten pa punë dh ata që kanë vështirësi të hyjnë në tregun e punës. Gjithashtu kemi ndihmuar qeveritë, veçanërisht qeverinë këtu, kur u përball me uljen e të ardhurave dhe gjatë menaxhimit të financave publike përmes ndihmës makrofinanciare. Kështu që, që nga fillimi sigurojmë ndihmë të madhe. Gjithashtu e dini se Komisioni Evropian ka paralajmëruar 70 milionë euro në grante për Ballkanin Perëndimor për të ndihmuar vendet që të mbulojnë shpenzimet për furniuzimin e vaksinave nga vendet anëtare të BE-së si ndihmë shtesë krahas mekanizmit Kovaks.
Lidhur me çështjen e vaksinimit. Procesi nuk duhet të paraqesë garë mes vendeve. Të gjithë jemi të prekur. Paraprakisht, shkalla e të infektuarve ishte më e lartë këtu në Ballkanin Perëndimor sesa në BE, ndërsa momentalisht shkalla është më e lartë në BE krahasuar me Ballkanin Perëndimor. Unë jam i sigurt që ju, edhe dëgjuesit edhe shikuesit, jeni të vetëdijshëm për presionin e madh me të cilin përballen anëtarët e BE-së kur fillojnë të vaksinojnë popullatën, e njëherësh ka edhe mutacion të virusit që ka rritur numrin e të sëmurëve të ri.
Pavarësisht nga sfidat, vendet e BE-së kanë thënë se do të sigurojnë vaksina. Kur do të ndodhë kjo… Dje, Presidentja e Komisionit Evropian tha në Bruksel se shpreson se kjo do të ndodhë së shpejti. Mund të them se Komisioni punon me vendet anëtare për të organizuar shpërndarjen, por nuk mund të saktësoj se kur do të ishte kjo. Por, unë do të përsëris se ky është një shembull i mbështetjes që ne e sigurojmë. Japim mbështetje që nga fillimi. Kriza zgjatë thuajse një vit dhe gjithsesi do të vazhdojë.
Porosia për ju është se këtu jemi nga fillimi, gjatë krizës dhe në të ardhmen, duke përfshirë procesin e vaksinimit.
Megjithatë, mungesa e vaksinave kontribuon në rritjen e shkallës së vdekshmërisë, kështu që nuk ka kohë, ndërsa u tregua se mekanizmi Kovaks nuk funksionon, ndonëse është konceptuar mirë, por nuk është funksional. A është kjo edhe një dëshmi se BE-ja nuk po funksionon, së paku jo aq shpejt në momente të krizës, si në këtë pandemi?
– Jo nuk mendoj kështu. BE-ja ka siguruar deri tani ndihmën më të madhe prej 3.3 miliardë euro për të gjithë rajonin për secilën nga fazat dhe vazhdon të sigurojë ndihmë. Gjithashtu, u zotua të sigurojë vaksina për Ballkanin Perëndimor. Por, nevojitet kohë për dërgim. Siç thashë, Kryetarja e KE-së shpreson që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundshme.
BE-ja ka ndarë një paketë të madhe të ndihmës makrofinanciare për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, në kulmin e pandemisë. Ndihma përbëhej nga mjetet mjekësore dhe të tjera. A mund të presim ndihmë shtesë në përballjen me pasojat ndaj ekonomisë që i ka shkaktuar Kovid-19?
-Po sigurisht. Dhe ky është një shembull i mbështetjes së madhe nga BE-ja. Me siguri e dini për bisedimet voluminoze vitin e kaluar të anëtareve të BE-së për atë se si të përgatisin pako për rikuperim për përballje me efektet ekonomike nga pandemia e kovidit. Gjatë bisedimeve, BE nuk harroi për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përkundrazi. Dakorduan ofertë thelbësore për Ballkanin Perëndimor për të ndihmuar rajonin të rimëkëmbet përmes investimeve. Ky është Plani ekonomik dhe investues, që e prezantoi komisioneri i Zgjerimit Varhei në tetor.
Plani përmban 9 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor, së bashku me instrumentin e garantimit për Ballkanin Perëndimor ofron hua deri në 20 miliardë euro. Këto janë shuma të mëdha. Për çfarë do të përdorej? Qëllimi është të mbështeten investimet në Ballkanin Perëndimor për lidhje, gjegjësisht investime për zhvillimin e tij në transportin dhe energjetikën, ndërsa edhe investime që do të ndihmonin Ballkanin Perëndimor në tranzicionet kryesore, duke përfshirë tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital.
Oferta tashmë është hedhur në tavolinë dhe kishte bisedime thelbësore me Qeverinë dhe në fund të vitit të kaluar lidhur me atë se si të nxiten investimet përmes kësaj oferte. Më lejoni t’ju jap një shembull. Mund të presim rreth 200 milionë euro, që do të ishin të kapshëm për ndërtimin e hekurudhës deri në Bullgari, si pjesë e Korridorit të famshëm 8, si dhe një impiant për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup.
Ministri i Jashtëm portugez tha se procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare në gjysmën e parë të vitit do të jetë një nga përparësitë e presidencës së tyre të BE-së. Ai shtoi se vendi ka bërë detyrat e shtëpisë dhe tani është radha e BE për t’i përmbushur ato. A mund ta presim këtë?
– Po, mund ta presim këtë. Le t’i kthehemi ngjarjeve të vitit të kaluar në mars – vendimi historik që u mor nga Bashkimi Evropian. Kjo do të thotë se 27 vende anëtare janë dakorduar të çelin bisedimet e aderimit me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Hapi tjetër është harmonizimi i Kuadrit Negociator dhe mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare, që në fakt do të fillojë vetë procesin e bisedimeve. Këto bisedime vazhdojnë në Bruksel dhe me të vërtetë presidenca portugeze është zotuar se do të ndihmojë dhe dotë shtyjë procesin.
Ndërkohë, ajo që është e rëndësishme është se Maqedonia e Veriut, së bashku me Bullgarinë, të angazhohen në mënyrë dypalëshe në përpjekjen për të gjetur zgjidhje që është e pranueshme nga të dyja palët, që do të mundësojë që situata të shkojë përpara.
Është e qartë se handikapi i BE-së është përfshirja e kontesteve bilaterale në procesin e zgjerimit, duke përfshirë edhe kontestin Bullgari-Maqedoni e Veriut. A është ky justifikim apo këto janë rregullat e organizatës që i përzgjedhë miqtë e saj?
-Le t’i shohim rregullat e organizatës. E dini se në disa fusha kryesore siç është procesi i zgjerimit, Bashkimi Evropian, 27 vendet e tij anëtare, veprojnë në bazë të unanimitetit. Ky nuk është rast në fusha të tjera. Por në këtë rast është kështu. Kjo thjesht do të thotë se 27 anëtaret duhet të bien dakord për të ecur përpara. Dhe nëse shikoni prapa, shumë vendime në vitet e kaluara që u morën unanimisht, do të shihni se ndonjëherë ky proces i unanimitetit rezulton me prolongime dhe për këtë arsye nevojitet më shumë kohë.
Kam mirëkuptim të plotë se njerëzit ndjehen të irrituar, duan të ecin përpara, nuk kanë durim për të ecur përpara, por gjithashtu është e rëndësishme të theksohet për të ecur përpara nevojitet angazhim për këto çështje. Ka shumë shembuj nga e kaluara ku me angazhim të vazhdueshëm gjërat lëvizin përpara dhe unë jam optimist i madh.
Rasti Shkup-Sofje përfshin interpretim të historisë. Këtë e kundërshtuan qartë Republika Çeke dhe Sllovakia. A nuk është e rrezikshme që historia të bëhet parakusht për anëtarësimin?
– Nuk do të hyj në detaje rreth asaj që është diskutuar. Është me rëndësi të përqendroheni në atë që është e rëndësishme në këtë rast. Pra, siç thashë edhe më parë, dy gjëra janë të domosdoshme – e para është që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgaria të vazhdojnë të angazhohen në zgjidhjen e çështjeve të tyre dypalëshe dhe së dyti – ndërkohë që Qeveria këtu të zbatojë dhe përshpejtojë procesin reformues. Pse është kjo me rëndësi – së pari, meqë është e një rëndësie të madhe për qytetarët, por së dyti, reformat dhe reformat e lidhura me BE-në janë mënyra më e shpejtë që t’i afroheni dhe për bashkëngjiteni familjes evropiane.
Cila do të ishte zgjidhja tjetër për Ballkanin Perëndimor. Nga pikëpamja gjeostrategjike është pjesë e Evropës. A lihet vend për aleanca të tjera jashtë BE-së?
– Duhet të jemi të qartë. Dua të dërgoj porosi të fortë se perspektiva evropiane, perspektiva e aderimit të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, është e qartë dhe e padiskutueshme. Vitin e kaluar e kishim Samitin në Zagreb, ku ky qëllim strategjik u përsërit nga liderët, asgjë nuk ka ndryshuar. Maqedonia e Veriut me pozicionin e saj gjeografik, me kulturën, historinë e saj, është vend evropian. Ka lidhje të thella ekonomike dhe tregtare me Bashkimin Evropian. Deri më tani është partneri i saj më i madh dhe mbetet orientimi i saj strategjik euroatlantik. Kështu që unë do të rikthehem në vendimin që është marrë në muajin mars të vitit të kaluar nga 27 vendet anëtare për të marrë vendim për çeljen e bisedimeve aderuese.
Ky është drejtimi përpara dhe ne do të vazhdojmë të lëvizim në atë drejtim.
Sa janë të mundshme alternativa të tjera, të tilla si Zona ekonomike evropiane, ose ndoshta përgatitet strategji tjetër për rajonin?
– Nuk do të flas për plan B, nuk ka plan B. Qëllimi është aderimi në Bashkimin Evropian. Siç e kam përmendur tashmë, krerët e Bashkimit Evropian vazhdimisht përsërisin perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor. Edhe personalisht jam shumë optimist se do të ecim përpara. Edhe përmes procesit të reformave, Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.
Ambasador Gir, Ju faleminderit për intervistën që e dhatë për Agjencinë Informative Mediatike.
Neda Dimova Prokiq
fotografi: Darko Popov