Mësimi në gjysmëvjetorin e dytë vazhdoi sipas të njëjtit model hibrid, ashtu si në pjesën e parë të vitit shkollor 2020/2021 sepse, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, rezultoi i suksesshëm dhe siguron vazhdimësi në procesin arsimor në kushte pandemie. Nxënësit deri në klasën e tretë dhe më të rritur nga shkollat më të vogla, kryesisht rajonale dhe në zonat rurale, u kthyen në bankat shkollore dje pas pushimit dimëror trejavor, ndërsa për shumicën e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme mësimi vazhdoi në distancë.
Por, në mësimin onlajn nuk u përfshin një pjesë e maturantëve të cilët, të organizuar nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme, filluan bojkot, duke kërkuar maturë shtetërore me dy provime në vend se me katër (tre eksterne dhe një interne).
Kryetari i Unionit, Blendi Hodai deklaroi se bojkot ka në shkolla të mesme në 20 qytete, duke e përfshirë edhe Shkupin, sepse takimi i pardjeshëm onlajn me ministren, Milla Carovska ka kaluar pa marrëveshje për t’u pranuar kërkesa e tyre për zvogëlim të numrit të lëndëve gjegjësisht të japin dy – gjuhën amë (maqedone dhe shqipe ose gjuhë turke) dhe lënda e dytë që do të jetë nga fusha të cilën maturantët planifikojnë ta studiojnë.
Hodai tha se do të bojkotojnë një javë, ndërsa për hapat e ardhshëm dhe nëse do të kenë protestë, do të vendosin shtesë. Ai theksoi se nuk janë për heqjen e maturës shtetërore, siç kërkohet nga grupi tjetër – Zëri i nxënësve të shkollave të mesme, sërish, mbledh onlajn-nënshkrime për mosdhënien e maturës shtetërore.
Sipas ministres Carovska, legjitime është e drejta për ta shprehur pakënaqësinë me bojkot dhe ajo beson se bëhet fjalë për grupe të vogla, të izoluara. Ajo theksoi se kjo gjeneratë e maturantëve do të vazhdojë ta kalojë provimin sipas konceptit aktual, ndërsa mund të ketë ndryshime për maturantët në vitin e ardhshëm shkollor.
Ajo dje deklaroi se vetëm në një gjimnaz në Shkup ka aktivitete më të organizuara, ndërsa të gjitha të tjerët, siç tha, janë grupe të izoluara në disa prej gjimnazeve. Carovska kumtoi se do të formohet një grup pune për përgatitje të një koncepti të ri të maturës shtetërore për vitin e ardhshëm shkollor, por për maturantët e këtij viti, siç tha ajo – “nuk ka shpëtim nga koncepti aktual”.
Në mënyrë që të modernizohet provimi përfundimtar, edhe për këtë vit, shtoi Ministrja, janë bërë disa ndryshime – në detyrën e projektit dhe në zgjerimin e listës së lëndëve zgjedhore për provimin e tretë ekstern me Gjeografinë dhe Informatikën.
Qendra Shtetërore e Provimeve në nëntor i publikoi datat e provimeve nga tre provimet eksterne që do të jepen nga 29 maji deri më 14 qershor 2021.
MASH ndërkohë i vazhdon konsultimet për Draft konceptin për arsimin fillor, ndërsa ministrja resore beson se të gjithë që janë të përfshirë në procesin arsimor do të kenë përfitime nga reforma.
Asnjë arsimtar nuk do të mbesë pa punë, asnjë lëndë nuk do të hiqet, fondi i orëve do të rritet, ndërsa mundësohet edhe zhvillim në karrierë i arsimtarëve, të cilët do të motivohen më shumë për punë. Ministrja Milla Carovska e përsëriti qëndrimin për përfitimet nga draft-koncepti për të cilin sot kishte takim me arsimtarë të shkollave fillore nga komuna të ndryshme, të ciklit klasor dhe lëndor. Arsimtarët më së shumti i kishte shqetësuar ajo që, siç tha, ishte plasuar si lajm i rremë – se do të mbesin pa punë.
“Asnjëri nga arsimtarët nuk do të mbetet pa punë, koncepti do të zbatohet në etapa, në klasën e parë dhe të katërt, pastaj në vitin shkollor 2022-2023 – në klasën e gjashtë, të dytë dhe të pestë, dhe në këtë mënyrë, për gjashtë vjet, do të kemi sistem të qëndrueshëm të arsimit fillor, i cili kryesisht do të përqendrohet në nevojat e nxënësve. Diskutuam edhe për programet dhe për përfshirjen e tyre direkte në përgatitjen e tyre sipas konceptit të ri, me qëllim që të jenë sa më të adaptuar në kontekstin tonë”, deklaroi Carovska, duke theksuar se më e rëndësishme është që të arrihen rezultatet nga mësimi dhe kjo të shihet në testet vendore dhe ndërkombëtare.
Opozita VMRO-DPMNE në ditën e parë të shkollës në gjysmë vjetorin e dytë akuzoi se mësimdhënia vazhdon me problemet e vjetra – 10.000 nxënës do ta ndjekin në TV sepse nuk janë të pajisur, ndërsa grupi i tyre parlamentar kërkoi tërheqjen e draft-konceptit dhe debat urgjent parlamentar.
“Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së beson se arbitrariteti i tillë dhe eksperimente të tilla që kjo qeveri dëshiron t’i shtyjë përmes Ministres Milla Carovska, janë jashtëzakonisht joserioze, poshtëruese dhe se pasojat e gjithë kësaj do t’i vuajnë nxënësit dhe mësuesit”, reagoi grupi parlamentar i partisë opozitare, e cila këtë qëndrim dje e paraqiti në seancë të Komisionit kuvendor për Arsim, Shkencë dhe Sport.
Carovska u përgjigj se debat do të ketë, por jo në Komisionin kuvendor për arsim, por, siç tha ajo – në takim në Kuvend në të cilin do të ftohen të gjitha palët e interesuara për të diskutuar për konceptin e ri. Ajo gjithashtu theksoi se MASH i dëgjon dhe i pranon të gjitha vërejtjet konstruktive që i kanë pranuar për draft konceptin.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës paralajmëroi se procesi i konsultimit do të vazhdojë edhe pas përfundimit të afatit (20 janar) për komente, propozime dhe sugjerime me shkrim dhe se me debatet me aktorë të ndryshëm do të sqarohen dilemat rreth konceptit. Atë MASH planifikon ta prezantojë nga shtatori, do të zbatohet në faza dhe pas gjashtë vjetësh do të zbatohet plotësisht në arsimin fillor.