Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për sot janë caktuar seanca të komisioneve për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, për arsim, shkencë dhe sport dhe të komisionit ligjdhënës juridik.
Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive duhet të shqyrtojë disa raporte vjetore, për nivelin e sigurimit të respektit, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut për vitin 2019, për punën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2019, për punën e Këshillit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2019, të Këshillit shtetëror për parandalimin e krimit të fëmijëve dhe për situatat në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe krimit të fëmijëve në vitin 2019, të Komisionit shtetëror për vendosjen në shkallë të dytë në fushën e inspektimit vëzhgues dhe procedurës për kundërvajtje për vitin 2019, të Komisionit shtetëror për vendimmarrje në procedurë administrative dhe procedurë nga marrëdhënia e punës në shkallë të dytë në vitin 2019.
Në rendin e ditës janë edhe raportet vjetore të Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik dhe për punën e Këshillit të inspektimit dhe Agjencisë për administratë për vitin 2019, si dhe Propozim ligjin për lobim, në lexim të parë.
Komisioni për arsim, shkencë dhe sport, nga ana tjetër, duhet të debatojë për Propozim-ligjin për Ndryshimin e ligjit për parandalimin e dhunës dhe sjelljes së keqe në garat sportive dhe Propozim-ligjin për plotësimin e ligjit për veprimtarinë kërkimore-shkencore, në lexim të parë.
Para komisionit ligjdhënës juridik për shqyrtim ka më shumë propozim ligje në lexim të parë, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për familjen, Ligjit për parandalim, Ligjit për parandalimin e dhunës dhe sjelljes së keqe në garat sportive, për plotësimin e Ligjit për veprimtarinë kërkimore-shkencore, paraqitur nga një grup deputetë në lexim të parë.