Gjermania e riafirmoi mbështetjen e saj për hapjen e negociatave aderuese mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Nga ana tjetër, Bullgaria, me mesazh për të qetësuar emocionet mes Sofjes dhe Shkupit dhe për të gjetur zgjidhje, për të cilën është e nevojshme të rivendoset besimi. por gjithashtu duke theksuar se është iluzion të besohet se një ndryshim i mundshëm i qeverisë pas zgjedhjeve të marsit do të zbus pozicionin e Sofjes për dallimet me Shkupin.
Hapja e negociatave aderuese të Maqedonisë të Veriut me BE-në duhet të ndodhë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje ta arrijmë këtë vit. Nuk ka asnjë alternativë tjetër. Të gjitha kushtet janë përmbushur nga Maqedonia e Veriut, deklaroi dje ambasadorja gjermane në vend, Anke Hollshtajn.
Ajo shtoi se si diplomate ajo është jashtëzakonisht optimiste dhe shprehu besimin se qëllimet mund të arrihen nëse punohet mjaftueshëm për t’i arritur ato.
Në javët në vijim, theksoi ambasadorja Hollshtajn, është shumë me rëndësi të kemi bashkëpunim mes Maqedonisë të Veriut dhe Bullgarisë në ato zona dhe segmente ku nuk ka dallime në mendime, gjë që do të dëshmojë se ekziston një bashkëpunim i mirë.
“Si dhe më parë, ne ende nuk kemi plan B. Ajo që mbetet është hapja e negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut në BE, mbetet vazhdimi i bisedimeve të pranimit në BE”, tha Hollshtajn pasi ia dorëzoi ministrit Oliver Spasovski donacionin, e përbërë prej automjeteve dhe pajisjeve të dedikuara për nevojat e policisë kufitare.
Gjatë presidencës tripalëshe me Portugalinë dhe Slloveninë, ambasadorja gjermane njoftoi se ata do të vazhdojnë të punojnë shumë për të arritur hapjen e negociatave aderuese me vendin.
Ministrja bullgare e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva në intervistë për gazetën e Sofjes “Trud”, tha se Bullgaria e ka bërë temën për zgjerimin përfundimisht të dukshme në Bashkimin Evropian, por u tregua se është e pamundur në këtë fazë të thotë “po” për kornizën për negociatat me Maqedoninë e Veriut, prandaj mendon se emocionet duhet të qetësohen edhe në Shkup edhe në Sofje dhe të gjindet zgjidhje.
“Mendoj se kur emocionet do të qetësohen në Bullgari dhe posaçërisht në Maqedoninë e Veriut dhe ajo fillon të mendojë dhe veprojë në mënyrë proporcionale, do të shihet se Bullgaria kurrë nuk ka qenë një armike, por përkundrazi vazhdon të jetë një mike e sinqertë. Edhe kur je një mik i sinqertë, duhet t’i theksoni problemet dhe të kërkoni një mënyrë për t’i zgjidhur ato”, theksoi Zaharieva.
Sipas saj, perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, është një nxitës kryesor i reformave dhe për pajtimi të vërtetë në vendet e rajonit, kështu që zgjerimi i BE-së ishte një prioritet kryesor i presidencës bullgare të Unionit.
“Bullgaria e ka bërë zgjedhjen e saj më logjike si fqinje e këtyre vendeve edhe në aspekt të interesave tona kombëtare. Do të thotë, ne nuk kemi bërë asnjë gabim. Lidhur me situatën aktuale, mendoj se kolegët e mi, politikanët në përgjithësi (jo vetëm Qeveria) në Republikën e Maqedonisë së Veriut kurrë nuk kanë kuptuar se si funksionon Bashkimi Evropian. Ata nuk reaguan në kohë ndaj paralajmërimeve të Bullgarisë, të cilat ndodhën gjithashtu gjatë takimeve në të gjitha nivelet me politikanë vendas, dhe madje edhe pas miratimit të deklaratës nga Parlamenti bullgar. Ne vazhdimisht u kemi shpjeguar atyre në një mënyrë miqësore se marrëveshjet duhet të përmbushen dhe se askush nuk e detyron Bullgarinë, pasi u mashtruan në Shkup, të tërhiqej nga marrëveshja e nënshkruar, ta harronte atë dhe të harronte pozicionin e saj kornizë. Ne i paralajmëruam ata të paktën një vit e gjysmë para se të arrinim në konkluzionet për zgjerimin në mars të vitit 2020. Vetë qëndrimi i Parlamentit bullgar u miratua një vit më parë, dhe para kësaj pozite ne sinjalizuam dhe bëmë thirrje vazhdimisht për harmonizimin e marrëveshjes. Mosrespektimi i këtij detyrimi e minon besimin e Bullgarisë në dëshirën e tyre të sinqertë për të përmbushur këtë marrëveshje”, shtoi Zaharieva.
Shefja e diplomacisë bullgare mendon se dalja nga situata aktuale në marrëdhëniet midis Shkupit dhe Sofjes qëndron në kthimin e besimit.
“Ne punojmë në këtë drejtim. Nuk u ndalëm, nuk u dorëzuam në asnjë rast. Ne punojmë së bashku në plan të qartë në zbatimin e marrëveshjes tonë – ta kompensojmë kohën e humbur. Ekzistojnë shumë obligime praktike dhe të qarta që të dy palët duhet të pranojnë, duhet të ketë një përcaktim të qartë se puna e komisionit të përbashkët historik dhe arsimor nuk do të përfundojë më në mënyrë të njëanshme. Ne duam të shohim angazhime, pavarësisht nga vendimet që merren, ato nuk duhet të qëndrojnë vetëm në nivelin e vendimeve të anëtarëve të komisionit, por të bëhen publike, për të hyrë në librat shkollorë. Shpresoj që kur të kthehemi në përpjekjet tona, besimi do të kthehet”, tha Zaharieva.
Lidhur me zgjerimin e BE-së gjatë presidencës portugeze, Zaharieva theksoi se qëndrimi i Lisbonës është se ky proces nuk duhet të nxitohet, duke shtuar se ajo personalisht pajtohet me të dhe beson se “nuk ka kuptim të mbahet një takim çdo muaj pa pasur përparim në çështjet që janë të vendosura në tryezë”.
“Bullgaria nuk është armike e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe sa më shpejt ta kuptojë këtë, aq më shpejt do të përfitojë nga qytetarët e saj. Unë nuk pres presion nga miqtë dhe kolegët portugezë, as nga dikush tjetër. Ne duhet të punojmë së bashku”, thotë Zaharieva.
Sipas saj, është iluzion të besohet se në rast të një ndryshimi të qeverisë në Bullgari pas zgjedhjeve të marsit, Sofja do të zbusë qëndrimin e saj ndaj vendit dhe të devijojë nga disa prej kërkesave të saj.
“Kjo është dëgjuar që nga viti i kaluar. Por rrallë, shumë rrallë, Parlamenti bullgar merr një vendim unanim për ndonjë çështje. Ky ishte rasti me Pozicionin kornizë për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kështu që nuk pres diçka të tillë”, thekson Zaharieva.
Ministrja bullgare theksoi se parimi themelor i BE-së para dhe gjatë procesit të pranimit është të zgjidhë të gjitha çështjet dhe çështjet e hapura jo vetëm me anëtarët e Unionit, por edhe me fqinjët.
Megjithatë, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani sqaroi se ajo që është marrë nga Sofja ishte në fakt pikëpamje bullgare e Planit tonë të Veprimit, respektivisht “shkëmbimi i ideve në lidhje me atë plan
Lideri i VMRO-DPMNE-së Hrisitian Mickovski i bëri thirrje Qeverisë ta tregojë dokumentin prej siç tha “12 pikave” për të cilin negocion me Bullgarinë fqinje.
Në konferencën e për media, duke iu përgjigjur një pyetje gazetari, Mickovski u bëri thirrje kryeministrit dhe ministrave kompetentë që të inkurajohen dhe të marrin pjesë në debatin në Parlament të organizuar nga opozita.
“U bëjë thirrje për arsyeshmëri. Menjëherë të dalin me dokumentin, të inkurajohet dhe të paraqitet në debatin në Parlament të organizuar nga deputeti Antonio Miloshoski. Të diskutojmë para deputetëve dhe opinionit të Maqedonisë nëse nuk kanë asgjë për të fshehur”, tha Mickovski.
Ai mbetet në qëndrimin se me Bullgarinë bisedohet për identitetin e Maqedonisë.
“Është fakt që identiteti maqedonas po shitet. Ne e kemi thënë këtë që nga tetori, se kushtet që janë në tryezë që nuk kanë asnjë lidhje me Marrëveshjen e miqësisë të nënshkruar më parë. Këto janë kushte që përfaqësojnë drejtpërdrejt mohimin e identitetit maqedonas. Çdo politikan që thotë se nuk diskutohet, gënjen dhe manipulon opinionin. Përveç biznesit, identiteti maqedonas është gjithashtu në tryezë”, tha Mickovski.
Lidhur me interpelancën e paralajmëruar për zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian Nikolla Dimitrov, lideri i opozitës pret që debati të fillojë javën e ardhshme apo javën pas saj.
“Interpelanca u nënshkrua dhe arrit në Parlament. Bazuar në informacionin që kam nga grupi parlamentar që javën tjetër ose javën pas saj, ai do të jetë në rendin e ditës në Parlament,” kumtoi Mickovski.