Jutjub ka kumtuar se ka pezulluar kanalin e presidentit amerikan në largim Donald Tramp, pasi e ka shkelur rregulloren e abonuesve, me të cilën ndalohet nxitja e dhunës, pas ndërhyrjes së javës së kaluar në Kongresin e SHBA-së.
Jutjub kanali i Trampit tani nuk është në gjendje të postojë video të reja ose transmetime të drejtpërdrejta për të paktën shtatë ditë, të cilat mund të zgjaten, kumtoi Jutjub.
Platformat e internetit dhe kompanitë e rrjeteve sociale po distancohen dhe po ndërmarrin veprime kundër atyre që nxitën ose morën pjesë në dhunën e javës së kaluar në Uashington.
Menjëherë pas incidentit, Tuiter dhe Fejsbuk i bllokuan llogaritë e Trampit dhe hoqën të gjithë përmbajtjen që e mbështeste sulmin e javës së kaluar, ndërsa Amazon pezulloi rrjetin social Parler, i cili aktualisht përdoret nga shumë mbështetës të Trampit.
Mbështetësit e Trampit hynë në Kongresin e SHBA-së më 6 janar, duke u përpjekur të bllokojnë seancën për verifikimin e fitores në zgjedhje të presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së Xho Bajden. Trampi, i cili e kontestoi vlefshmërinë e fitores së Bajdenit pa siguruar prova, fillimisht lavdëroi mbështetësit e tij, por më vonë e dënoi dhunën.