Zëri i Sofjes në lidhje me bllokadën bullgare të rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut diktohet nga anëtari i koalicionit qeverisës, partia e ekstremit të djathtë VMRO – Lëvizja Kombëtare Bullgare, e ministrit të Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov, vlerësoi ish-shefi i diplomacisë greke Nikos Koxias në një intervistë për “Euraktiv”.
“Bullgaria nuk e kupton që në Maqedoninë e Veriut ka lindur një komb i ri, i cili ka gjuhën e vet. Në vend që ta respektojë atë dhe të kontribuojë për paqen dhe miqësinë e popujve të rajonit, Bullgaria po vepron në një mënyrë destabilizuese, duke pretenduar të jetë Herkuli pa muskuj”, tha Koxias.
Ai tregon se Athina paralajmëroi Këshillin Evropian se Karakaçanov ishte “duke ndjekur një politikë jashtë kornizave të BE-së” pasi presidenca bullgare e BE-së ngriti një monument të luanit në oborrin e Pallatit Kombëtar të Kulturës duke mbajtur mburojë me hartën e “Shën Stefanit Bullgaria”.
Duke iu referuar Marrëveshjes së Prespës, e cila u nënshkrua në kohën kur ai ishte ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë, Koxias thotë se u arrit sepse Greqia dhe Maqedonia e Veriut arritën të krijojnë besim përmes kontakteve të drejtpërdrejta, me vetëm prani të kufizuar të ndërmjetësuesve.
“Prania e ndërmjetësuesit që e njeh mirë temën është e nevojshme në momente të caktuara, por jo gjatë gjithë rrjedhës së negociatave”, thotë Koxias, duke shtuar se ndërmjetësi “jashtëzakonisht fisnik dhe efikas” i KB-së në mosmarrëveshjen maqedono-greke, Methju Nimic, nuk ishte i pranishëm në dy të tretat e negociatave.
Sipas tij, prania e ndërmjetësit ndonjëherë i ndërlikon gjërat, sepse kur dy palë negociojnë para një të tretës, ata vazhdimisht përpiqen ta bindin atë për korrektësinë e pozicioneve të tyre, gjë që kontribuon vetëm në përforcimin e tyre.
“Nga ana tjetër, kur të dy negociojnë drejtpërdrejt, ato janë më specifike. Të dy palët tregojnë çështjet e tyre kryesore dhe më pas shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së tyre në një paketë pozitive për të dy palët”, shtoi Koxias.
Ai thekson në intervistë se sulmet ndaj tij dhe familjes së tij, si dhe sulmet ndaj kolegut të tij të atëhershëm maqedonas Nikolla Dimitrov, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, i ndihmuan ata të kuptonin se çfarë po ndodhte, duke pasur parasysh që në të dy vendet kishte shumë kundërshtarë të ndonjë marrëveshje dypalëshe.
“Një natë në Vjenë u ulëm të flasim për ata që na sulmuan. Ne e kuptuam se çështja nuk është në mes maqedonasve dhe grekëve, por në mes atyre që nuk duan një zgjidhje, e ashtuquajtura profesionistët e mos-zgjidhjes dhe ata që janë përpjekur të lëvizin drejt logjikës së një zgjidhjeje të mirë”, thotë Koxias, i cili në librin e tij “Logjika e Zgjidhjes” shprehet se negociatat nuk duhet të luftohen, por për t’i provuar palës tjetër se ekziston interes i përbashkët për një zgjidhje produktive dhe krijuese.