Situata epidemiologjike në vend është e qëndrueshme, kurse kundërvajtjet gjatë festave nuk ishin të shpeshta, vlerësuan autoritetet shëndetësore pas festave të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve. Shpresojnë që trendi i numrit të zvogëluar të pacientëve të shtruar në spital do të vazhdojë, kurse për fundin e janarit ose fillimin e shkurtit njoftojnë se dozat e para të vaksinave do të arrijnë përmes mekanizmit Kovaks. Ilaçi “Ivermektin” pritet të mbërrijë për dy javë.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha dje se me vaksinat që duhet të mbërrijnë nga të gjithë mekanizmat, në vend do të vaksinohen,1.2 milionë qytetarë që është gati 60 për qind e popullsisë. Pritjet e autoriteteve shëndetësore janë që ata të arrijnë imunitet kolektiv.
Në një deklaratë për media, Filipçe tha se dozat e para të siguruara përmes mekanizmit Kovaks mund të mbërrijnë në fund të janarit ose në fillim të shkurtit. Bëhet fjalë për vaksinën “Fajzer”, dhe tjetra që vjen në shqyrtim, siç theksoi ai, është vaksina “AstraZeneka”.
“Me përjashtim të njoftimit se është e mundur të arrihet një sasi e caktuar në fund të janarit ose në fillim të shkurtit, nuk ka njoftim për sasinë e saktë, pasi nuk ka asnjë vend të vetëm nga sistemi Kovaks. Presim që ky të jetë hapi tjetër, tha Filipçe, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Përmes mekanizmit Kovaks në vend duhet të mbërrijnë 833 mijë doza vaksinash për mbi 400 mijë qytetarë. Përveç kësaj, si rezultat i negociatave të drejtpërdrejta me kompaninë “Fajzer” priten rreth 800 mijë doza, dhe një pjesë pritet nga mekanizmi i solidaritetit – një përqindje e caktuar e vaksinave të blera nga vendet anëtare të BE-së.
Ivermektini i ka kaluar të gjitha fazat në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në MALMED dhe ilaçi do të jepet me recetë nga ana e mjekëve amë dhe në kushte spitalore. Ai ka paralajmëruar se ilaçi do të arrijë në vendin tonë në dy javët e ardhshme.
“Studimet treguan se ‘Ivermektini’ jepet ndaj tre gupe të qytetarëve edhe atë, te grupet e rrezikut të punëtorëve të cilët kanë rrezik të lartë të sëmuren, pastaj njerëzve që kanë qenë në kontakt me të sëmurë dhe pacientëve të sëmurë. Edhe te grupi i tretë ka indikacione të ndryshme, dozim të ndryshëm dhe prandaj nevojitet dhënia e ilaçit të jetë nën kontroll të mjekut. Unë besoj se në dy javët e ardhshme do të jetë i pranishëm në vendin tonë”, ka thënë Filipçe.
Në 24 orët e fundit, janë regjistruar 100 raste të reja të Kovid-19 nga 764 teste të kryera. Njëmbëdhjetë persona vdiqën, më i riu prej të cilëve ishte 41 vjeç. Instituti i Shëndetit Publik i regjistroi 551 pacientë të shëruar.
Nga të sapoinfektuarit, 47 janë nga Shkupi, 12 janë nga Dibra, 10 nga Tetova dhe në qytete të tjera është regjistruar numër njëshifror i të sapoinfektuarve.
Nga të vdekurit, tre janë nga Shkupi (67, 72 dhe 67 vjeçar), një nga Tetova (68), një nga Gostivari (78), një nga Kriva Pallanka (84), një nga Koçani (41), një nga Demir Hisari (72), një nga Makedonski Brod (78) dhe dy pacientë nga Dellçeva (80 dhe 60). Vetëm një pacient vdiq jashtë kushteve spitalore, ndërsa pjesa tjetër në spital.
Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me Kovid-19 në vend që nga fillimi i epidemisë është 85.594, numri i pacientëve të shëruar është 66.760, ndërsa numri i rasteve të vdekjes është 2.592. Numri i rasteve aktive është 16.242. Deri më tani, në vend janë kryer gjithsej 411.804 testime.
Situata epidemiologjike është kryesisht e qëndrueshme, edhe më tutje është ai trend i numrit jashtëzakonisht të vogël të pacientëve dhe besoj se ashtu do të mbetet, vlerësoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Situata epidemiologjike do të thosha se është kryesisht e qëndrueshme. Dukshëm po ulet numri dhe në këto ditë të kaluara i pacientëve të cilëve iu nevojitet hospitalizim, ndërsa edhe më tutje është ai trend i numrit jashtëzakonisht të vogël të të hospitalizuarve në të gjitha spitalet jo vetëm në Shkup, por edhe përgjatë shtetit. Besoj se do të mbetet kështu, besoj se këto shkelje të masave me të vërtetë nuk ishin të shpeshta dhe nuk ishin të shumta, pamë nëpër televizione dhe mendoj se jemi në një periudhë të pasqyrës së qëndrueshme epidemiologjike në të cilën menaxhohen mirë edhe pjesa e pacientëve simptomatikë të cilëve iu nevojitet testim. Dukshëm u lehtësua edhe ajo pjesë e testimit me teste të shpejta në të gjitha institucionet shëndetësore dhe në pjesën e hospitalizimit ku ka numër të mjaftueshëm të shtretërve dhe numër i mjaftueshëm i mjekëve, infermiere për trajtim të pacientëve”, deklaroi ministri i Shëndetësisë duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.
Është logjike kërkesa e hotelierëve dhe do të shqyrtohet në ndonjë nga takimet e ardhshme të Komisionit për sëmundje ngjitëse, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Sipas tij, çka do që të vlejë si lehtësim i masave, nuk do të jetë para 21 janarit.
“Ky shkurtim i kohës plotësisht, fillimisht kur ishte miratuar muajin e kaluar, thamë se do të jetë deri më 21 janar, kur praktikisht edhe përfundojnë festimet, festat fetare, dhe atëherë tashmë me automatizëm kthehen në orarin e punës deri në orën 21:00. Ne, do ta shqyrtojmë kërkesën nëse mund të vazhdohet edhe për dy orë”, theksoi Filipçe.
Disa nga hotelierët dje dolën me kërkesë nga e hëna të punojnë jo deri në orën 21:00, por deri në orën 23:00. Kjo pasoi pas deklaratës së ministrit Filipçe se nëse mbetet gjendja stabile, do t’u kthehet orari deri në orën 21:00.
Masat qeveritare restriktive, mes të cilave ishte edhe shkurtimi i orarit të punës së objekteve hotelierike deri në orën 18:00, hynë në fuqi më 18 dhjetor 2020. Qëllimi i tyre ishte të parandalohet përhapja e Kovid-19 dhe rritja e numrit të të sëmurëve për festat e fundvitit. Masat duhet të ndërpriten më 21 janar 2021.