Të gjithë që ishin të ulur në tryezën pa dallim qofshin ata kryetarë të partive, deputetë apo ministra, janë dënuar, dhe kur bëhet fjalë për këtë udhëheqje të MPB-së nuk mund ta fajësoni. Ne jemi të përcaktuar që ligjet të vlejnë për të gjithë, tha sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, kur u pyet rreth festimit të ditëlindjes së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti në hapësirat e reja të Ministrisë së Sistemit Politik.
Ministri në konferencën e sotme për media, theksoi se është e rëndësishme që institucionet të funksionojnë dhe të gjithë të mbajnë përgjegjësi, pavarësisht nëse ai është funksionarë apo jo.
“U dënuan të gjithë që ishin të ulur në atë tryezë. Pavarësisht nëse janë kryetarë të partive, deputetë apo ministra dhe kur flasim për shqiptimin e dënimeve ndaj zyrtarëve shtetëror, të paktën mua ose këtë udhëheqje të Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk mund ta fajësoni. Nga kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat janë ndëshkuar të gjithë deri më tani për bërjen e disa veprimeve të caktuara që duhet t’i sanksionoj”, tha Spasovski.
Ai shtoi se paditë penale janë dorëzuar në Prokurorinë Publike, kurse më vonë Prokuroria do të prononcohet nëse është krim apo jo.
Spasovski potencoi se ekziston protokoll i caktuar i definuar nga Komisioni për Sëmundjet Infektive si dhe në cilën mënyrë të sillen institucionet kur mbajnë takime dhe seanca.
“Pra, kur mbahen takime në institucionet shtetërore, duhet të respektohen protokollet për distancën, për mbajtjen e pajisjeve mbrojtëse, por nuk është e ndaluar të ketë takime të tilla, kështu që nga pikëpamja penale ligjore Prokuroria Publike të prononcohet, ne qëndrojmë në dispozicion për të ndihmuar në çdo gjë që do të kërkohet nga ne. Megjithatë, nga aspekti i asaj përgjegjësie kundërvajtëse për mosrespektimin e masave që kemi marrë, të gjithë atyre u janë shqiptuar sanksione për kundërvajtje, u janë dhënë urdhërpagesa”, shtoi Spasovski.