Është shumë me rëndësi që në sezonet e ngrohjes kur është më e madhe ndotja e ajrit të arrijmë ta ulim numrin e ditëve të ndotura, që është diçka që për tre vite me radhë na ndodh neve. Mesatarisht kemi më pak ditë të ndotura, por kjo assesi nuk nënkupton se nuk është i ndotur, kjo edhe më pak nënkupton se duhet të ndërpresim punën. Përkundrazi duhet të punojmë me përkushtim siç kemi punuar gjatë tre viteve të kaluara të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë, tha sot në konferencë për media kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Ai duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve sa i përket ndotjes së ajrit, theksoi se nuk mundet që menjëherë të zhduken ditët me ajër të ndotur.
Sa i përket inspektimeve në Zllakuçan dhe Bardovcë ku amvisëritë ngrohen duke djegur plastikë dhe gumë, kryetari i Komunës së Karposhit, Stefan Bogoev tha se duhet të bëhen ndryshime ligjore për kontrolle eventuale nëpër shtëpitë.
“Inspektoratet tona dhe inspektorati i qytetit po veprojnë hapur. Diç më shumë që mund të bëjmë bashkë me Kuvendin në pjesën e ndryshimeve ligjore ose me Inspektoratin Shtetëror për Mjedis Jetësor për kontrolle eventuale nëpër shtëpitë. Megjithatë, nga ana tjetër kishte edhe subvencione për inverterë kondicionerë për të gjithë që do t’i dorëzojnë stufat me dru”, tha Bogoev, duke shtuar se këtë vit në Zllakuqan në vend që t’i ndjekin ata që djegin kabllot, ua kanë mbyllur vendin ku e shisnin bakrin nga kabllot e djegura.
Ai pret që në vitin 2021 sinkronizimi i inspektoratit komunal dhe të qytetit do të japin fryte dhe përfundimisht do ta zgjidhin problemin.