Raporti i ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani për realizimin e politikës së jashtme dhe qëndrimi ndërkombëtar i Republikës së Maqedonisë të Veriut është në rendin e ditës të seancës së sotme të Komisionit kuvendor për politikë të jashtme.
Ndër të tjera, Osmani pritet të fokusohet në aktivitetet e diplomacisë së Maqedonisë pas vetos nga Bullgaria për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare të vendit me Bashkimin Evropian.
“Komunikimi vazhdon ndërmjet nesh dhe Republikës së Bullgarisë. Konsiderojmë se pavarësisht asaj që ndodhi, ajo nuk guxon të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona dhe në kërkesën e zgjidhjes që të tejkalohet kjo pengesë dhe të vazhdojmë më tutje në procesin. Pres pas festave të Vitit të Ri të vazhdojmë me komunikimin për gjetjen e një zgjidhjeje”, theksoi Osmani.
I dërguari i posaçëm i Qeverisë në bisedimet me Bullgarinë, Vllado Buçkovski thotë se në komunikim intensiv me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë pritet të marrim vërejtje të mundshme dhe propozime shtesë për planin e veprimit.
“Udhërrëfyesi duhet të jetë një nga veglat për intensifikim të realizimit të Marrëveshjes për bashkëpunim dhe miqësi. Mendoj se atë duhet ta marrim tashmë pas Vitit të Ri, që do të ishte një impuls pozitiv se do të kemi shans të ri, më serioz do të thoja para zgjedhjeve parlamentare të shohim nëse mundemi të gjejmë kompromis për disa çështje të hapura”, thotë në deklaratën për TV Telma i dërguari special i Qeverisë në bisedat me Bullgarinë, Vllado Buçkovski.
Ekipi ynë, thotë Buçkovski, intensivisht koordinohet, bëjmë përpjekje të jemi proaktiv, të tregojmë gatishmëri nga ana jonë edhe krahas zhgënjimeve se nuk ka anulime.
“Kryesia portugeze është shans i ri. Para zgjedhjeve në Bullgari do të bëjmë përpjekje t’i definojmë dhe jam i bindur se do t’i definojmë këto çështje të cilat janë më prioritare ta kthejmë besimin”, deklaroi Buçkovski për TV Telma.
Qeveria do të vazhdojë të japë dhe shkëmbejë ide derisa të tejkalohen problemet dhe pengesat me Bullgarinë, deklaroi dje zëdhënësi i qeverisë, Dushko Arsovski në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, se pse përfaqësuesi i posaçëm nuk e informoi opinonin pasi u kthye nga Sofja për nonpejpërin që ia paraqiti autoriteteve bullgare.
“Qeveria dhjetë ditë më parë, informoi për këtë, ndërsa tha edhe se përfaqësuesi i posaçëm i Qeverisë, se dokumenti përmban shkëmbim idesh që ne vazhdimisht i japim dhe do të vazhdojmë t’i japim, derisa të tejkalojmë problemet dhe pengesat që Bullgaria ka paraqitur për integrimin tonë evropian, pra për hapin tjetër, që është mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare”, tha Arsovski.
“Arsyeja për sjelljen e Bullgarisë në lidhje me fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së është për shkak të mospërmbushjes së Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë,” deklaroi Dojkov. Marrëdhëniet tona, tha ai, do të vazhdojnë të duken si marrëdhënie midis dy vendeve fqinje. Një që ka bërë përpjekje të mëdha për një kohë të gjatë për të mbështetur të dytin, dhe tjetëra që po aplikon për anëtarësim në BE.
Sipas Dojkov, ka dozë të madhe të politikës së brendshme në keqkuptimin e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut.
“Theksi i diskutimeve është gjithmonë i përqendruar në Bullgari. Ka dy pikëpamje. Njëra është e jona, e dyta është e Shkupit. Sipas Shkupit, ka përparim në krahasim me komisionet e tjera të ngjashme historike. Por mendimi ynë është i kundërt. Ne kemi pritje të caktuara. Mendimi ynë është se puna e këtij komisioni u ndërpre në mënyrë të njëanshme, dhe rezultatet që janë arritur nuk janë realizuar zyrtarisht”, shtoi Dojkov.