Për përmirësimin e cilësisë së të mësuarit nevojitet të përmirësohet cilësia e teksteve shkollore dhe mjeteve të tjera mësimore dhe madje 74 për qind e mësimdhënësve theksojnë se nevojitet të përmirësohet cilësia e tyre, theksoi Ajshe Ajrullai, udhëheqës e sektorit në Byronë për Zhvillim të Arsimit në emisionin debativ “Klik Plus” në TV 21.
Ajrullai, siç bëri të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës, theksoi se para se të fillojë projektimi i konceptit të ri për arsim fillor janë konsultuar koncepte të tjera, dokumente, është bërë hulumtim të qëndrimeve të mësimdhënësve dhe përvojave të vendeve të tjera. Hulumtimi i qëndrimeve të mësimdhënësve ka treguar se pakënaqësia e përmbajtjeve të teksteve shkollore është në të vërtetë e madhe.
“Koncepti i ri për arsim fillor shkon drejt inovacionit edhe të materialeve prej të cilave do të mësojnë nxënësit. Teksti shkollor është vetëm një ndër mjetet mësimore. Shkohet drejt digjitalizimit edhe të teksteve shkollore me çfarë mësimi do të bëhet më interaktiv”, tha Ajrullai.
Fakti që programet arsimore nuk do të jenë të orientuara drejt përmbajtjes, por do të orientohen drejt rezultateve të mësimit, do t’u mundësojë mësimdhënësve liri të përdorimit të metodave dhe aktiviteteve të ndryshme të cilat do të inkurajojnë zhvillim të të gjitha potencialeve dhe interesave të nxënësve. Ajrullai shpjegoi se mësimi nuk do të lidhet vetëm me një burim dhe mund të përdorë burime të ndryshme për mësim.
“Materialet mësimore do t’i përpunojnë mësimdhënësit më me përvojë dhe profesorët më me përvojë. Ato do të jenë në formë elektronike, ndërsa për nxënësit që nuk do të kenë mundësi t’i përdorin në mënyrë elektronike, do të mund të shtypen”, tha Ajrullai.
Profesoresha Lena Damovska nga Instituti për Pedagogji në Fakultetin Filozofik në Shkup, theksoi se një sërë tregues tregojnë se arsimit në vend i nevojitet ndryshime drastike, ndërsa mes tyre janë edhe arritjet e fëmijëve tanë të cilët janë jashtëzakonisht të dobët dhe në fund të tabelës në Evropë, që është njëra ndër arsyet për krijimin e konceptit të ri për arsim fillor.
Ajo theksoi se arsimi fillor është bazik në çdo shtet dhe njohuritë e marra në këtë arsim bazik janë më të rëndësishme, duke theksuar se koncepti i ri do të thotë investim në shkollat fillore, në pajisjen e laboratorëve dhe në furnizimin e teksteve shkollore.