Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani informoi se komunikimi midis Shkupit dhe Sofjes vazhdon për të gjetur zgjidhje, ndërsa Kryeministri bullgar Bojko Borisov shfaqi shpresë se një zgjidhje e përbashkët do të gjendet vitin e ardhshëm për vazhdimin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Komunikimi vazhdon ndërmjet nesh dhe Republikës së Bullgarisë. Konsiderojmë se pavarësisht asaj që ndodhi, ajo nuk guxon të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona dhe në kërkesën e zgjidhjes që të tejkalohet kjo pengesë dhe të vazhdojmë më tutje në procesin. Pres pas festave të Vitit të Ri të vazhdojmë me komunikimin për gjetjen e një zgjidhjeje”, theksoi Osmani.
Duke e komentuar deklaratën e homologes së tij bullgare Ekaterina Zaharieva se “jo të gjitha vendet janë për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE”, Osmani potencoi se absolutisht është e qartë mbështetja për ne nga ana e të gjitha 26 vendeve të tjera anëtare të Unionit.
“Absolutisht është e qartë mbështetja e të gjitha vendeve të tjera anëtare të BE-së në lidhje me nevojën dhe pritjet e tyre për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në dhjetor. Dhe jo vetëm sepse është mbështetja e tyre parimore, por edhe sepse është e merituar”, tha Osmani duke shtuar se është inkurajuese mbështetja që e marrim nga të gjitha 26 vendet e tjera anëtare, megjithatë edhe qëndrimi i tyre principiel se çështjet bilaterale nuk duhet të jenë pjesë e procesit evropian, gjegjësisht ta kushtëzojnë procesin evropian.
Ai beson se edhe Bullgaria dëshiron dhe e mbështet anëtarësimin e rajonit në Union, sepse është në interesin e saj gjeostrategjik, duke theksuar se deri më tani asnjë përgjigje nuk është marrë nga Sofja zyrtare për non-pejperin që i dërguari special Vllado Buçkovski ia dorëzoi kreut shtetëror në Bullgari .
“Ende e shqyrtojnë dhe do të marrim përgjigje , ashtu që në përgjigjen e parë ne tashmë do të përgjigjemi me hapin e ardhshëm se si më tutje”, sqaroi ministri Osmani, duke u përgjigjur në pyetjet pas promovimit të edicionit special të pullës postare me rastin e 25 vjetori të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis vendit dhe SHBA-së.
Në promovimin përmes video konferencës mbajti fjalim edhe ndihmëssekretari i Shtetit i SHBA-së për Çështjet evropiane dhe euroaziatike, Filip Riker, i cili theksoi se si në të gjitha 25 vitet e kaluara, qëllimet e SHBA-së për Maqedoninë e Veriut për paqe dhe prosperitet mbeten të njëjtat, si dhe mbështetja për rrugën Euroatlantike.
“Partneriteti ynë do të vazhdojë në javët dhe muajt e ardhshëm pas ndryshimit të administratës në SHBA”, tha Riker.
Kryeministri Borisov në seancën e Qeverisë bullgare në të cilën u miratua vendimi për çdo sasi të vaksinave kundër Kovid – 19 që arrin në atë Bullgari, një shumë e caktuar synohet për qytetarët tanë dhe ajo të jetë në formë të një donacioni, shfaqi shpresë se vitin e ardhshëm do të gjendet zgjidhje e përbashkët për vazhdimin procesit të integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Shpresoj që vitin e ardhshëm me Zaharievan dhe Karakaçanovin të gjejmë zgjidhje të përbashkët për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, pasi e mbështetëm edhe për NATO. Kështu që asgjë e tmerrshme nuk ka ndodhur, është çështje e vullnetit politik nga të dyja palët për të arritur atje,” deklaroi Kryeministri bullgar, Bojko Borisov në seancën e qeverisë bullgare, në të ishte pjesëmarrës edhe Ministri Venko Filipçe.
Ish-ministri bullgar i Punëve të Jashtme, Solomon Paso, ndërkohë, beson se në kontekstin e integrimit evropian, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, si dy vende fqinje, duhet të kryejnë programe masive shkëmbimi në fushën e arsimit në të gjitha nivelet.
“Druaj se në Bullgari kemi konsensus mjaft kokëfortë i cili nuk është në duart e cilitdo ministër, e as në duart e Zaharievës. Nuk do të thosha se kemi zgjidhje afatshkurta, por zgjidhje afatgjate. Prandaj e theksoj arsimin. T’i ndërlidhim universitetet, akademitë, studentët dhe të rinjtë. Por në rastin tuaj do të zgjaste më shkurtë. Të mos shohim historinë por të ardhmen para nesh”, deklaroi Pasi.
Ai është i bindur se procesi i negociatave të anëtarësimit të vendit në BE do të marrë më pak se ai i Bullgarisë, e cila negocioi me Unionin nga viti 1999 deri në vitin 2005.
“Në vitin 1963 presidenti Kenedi gjatë vizitës në Berlin tha ‘Unë jam berlinez’, që çoi deri te rënia e Murit të Berlinit disa dekada më vonë. Sot gjatë kryesimit gjerman unë do të doja të them ‘Unë jam maqedonas’ sepse si maqedonas do të mund të jem më i dobishëm në përpjekjet për anëtarësimin tuaj në BE, sepse përvoja ime thotë se çelësi për anëtarësim është shumë më shumë në duart e aplikuesit se sa në anën, së cilës i bashkëngjiteni”, porositi Pasi në Forumin onlajn të NATO-s “Vlerat Euro-atlantike dhe sfidat shoqërore përmes prizmit të procesit arsimor” të organizuar nga Instituti GAUSS – Manastir.
Sipas tij, do të ishte mirë që vendi dhe Bullgaria të pranonin të njëjtën zonë kohore.
Tani kemi një orë diferencë dhe pavarësisht se cilën zonë do ta pranojmë, Maqedonia me kohën Lindore ose Bullgarinë me kohën e Brukselit, të kemi një zonë të përbashkët. Të dy kishat ortodokse mund të ndihmojnë shumë në deklarimin e të njëjtëve kalendarë fetarë, tha Pasi, duke shtuar se tani që vendi është bashkuar me NATO, qëllimi tjetër është “ta shohim atë në BE”.
Qendra bullgare për Analizë dhe Komunikime të Krizave vlerëson se marrëdhëniet e Sofjes me vendin janë një nga gjashtë situatat e mundshme të krizës për Bullgarinë gjatë vitit të ardhshëm, të cilat mund të përshkallëzohen në një krizë komunikimi dhe ta dëmtojnë imazhin e vendit.
“Në të dy vendet, të folurit për këtë temë është lënë në arbitraritet të opinioneve ekstreme dhe kjo çështje ka potencialin të bëhet peng i formacioneve politike pseudo-patriotike. Ekziston mungesë e komunikimit strategjik nga Qeveria, për temën nuk diskutohet plotësisht para shoqërisë sonë, por ajo nuk është paraqitur mirë para partnerëve evropianë”, vlerëson Qendra.
Për shkak të gjithë kësaj, sipas autorëve të analizës, mund të thuhet se “situata me Republikën e Maqedonisë së Veriut ka potencial të rritet në krizë komunikimi”.
“Kështu, kjo çështje, aktualisht diplomatike, paraqet rrezik për të ndikuar negativisht në imazhin e vendit tonë në mungesë të komunikimit të duhur në të gjithë BE-në”, pretendon Qendra, duke theksuar se marrëdhëniet e Bullgarisë me vendin janë ndër faktorët që mund të kontribuojnë në përkeqësimin e imazhit të Sofjes përpara partnerëve evropianë