Prej sot fillon zbatimi i masave restriktive që i solli Qeveria sipas rekomandimit të Komisionit për sëmundje ngjitëse për parandalim të përhapjes së koronavirusit. Me masat të cilat do të jenë në fuqi deri më 20 janar, orari i punës i objekteve hotelerike shkurtohet deri në orën 18:00, ndërsa ndalohet edhe organizimi dhe mbajtja e festimeve për festat e ardhshme të Vitit të Ri dhe ato fetare. Këto masa, sipas kompetentëve, kanë për qëllim të shmanget rritja e numrit të të sëmurëve nga Kovid-19 në periudhën e ardhshme të festave.
Masat nuk lejojnë as organizime të Vitit të Ri në hapësirë të hapur dhe të mbyllur nga subjektet fizike dhe juridike. Kjo ka të bëjë edhe me institucionet publike, për shkak të së cilës, komunave dhe të gjitha organizatave të themeluara nga vetëqeverisja lokale u tregohet se përveç që është e ndaluar ç’farëdo lloj tubimi grupor dhe organizim i festimeve me rastin e festave të ardhshme, duhet të anulohen edhe festimet që tashmë eventualisht janë caktuar.
Në masat restriktive është përfshirë edhe ndalesa për hotelet për organizim të festimeve me rastin e festave të ardhshmme. Edhe ato, nëse tashmë kanë organizuar festime të Vit të Ri, duhet t’i anulojnë.
Në objektet hotelerike-akomoduese dhe restoranet e tyre kufizohet orari i punës deri në orën 21:00. Ato do të mund të punojnë vetëm për mysafirët e pansionit dhe vetëm gjatë shërbimit të vakteve. Kufizohet orari i punës edhe në kafenetë, baret dhe banaket në objektet akomoduese hotelerike deri në orën 18:00.
Me masat e reja ndalohet edhe marrja me qira e shtëpive të uikendit dhe kapaciteteve tjera turistike për akomodim, për tubime grupore dhe organizim të festimeve me rastin e festave të ardhshme të Vitit të Ri dhe festave fetare, përveç për personat nga një, familje e njëjtë.
Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski potencoi se MPB në mënyrë parandaluese reagon që tani deri te pronarët e shtëpive të uikendit që planifikojnë t’i japin me qira për festat e ardhshme, që ta dinë se çka mund t’i presë atje ku do të ndodh ajo. Tashmë, tha ai, janë përgatitur të gjitha planet për kontrolle të përforcuara.
“Atë do ta bëjmë nga java e ardhshme dhe gjatë natës së Vitit të Ri, ashtu që për policinë do të ketë shumë punë, megjithatë shëndeti dhe jeta e qytetarëve duhet të jetë në prioritet të lartë. Policia do të veprojë në bazë të të gjitha normave të lejuara dhe rregullave të cilat janë në bazë të Ligjit”, theksoi dje Spasovski.
Masat restriktive, potencoi ministri askush nuk i dëshiron në Qeveri, megjithatë, siç potencon, janë të pashmangshme në këtë periudhë.
“Nuk ka kurrfarë ndalese për dhënie të shtëpive të uikendit me qira për familje dhe një familje të mund të jetë në ndonjë shtëpi uikendi kudo qoftë në territorin e vendit tonë, megjithatë gjithsesi se është vepër penale dhënia e shtëpive të uikendit për grupe të njerëzve. Nuk është ideja të sjellim vendim se restoranet, hotelet etj nuk mund të punojnë deri në orën 18:00, me qëllim që të ndihmojmë në përhapjen e koronavirusit, ndërsa nga ana tjetër të hapim objekte të reja të tilla t’i kemi edhe në rrethinën e Shkupit, kryesisht në Sopishte ose në Mavrovë, Ohër ose Strugë, apo në cilindo vend turistik. Pse do të ishte ndalesa për restoranet dhe hotelet nëse atë mund ta bëjnë disa në shtëpitë e uikendit? Ne si MPB seriozisht punojmë, kemi aksion operativ në pjesën e dhënies së shtëpive të uikendit, në pjesën e veprave të tilla penale tashmë veprojnë kolegët”, tha Spasovski.
Ai shtoi se do të veprohet në bazë të të gjitha normale dhe rregullave të lejuara të cilat janë mbi bazën e Ligjit. “Gjithsesi që atje ku kemi njohuri se ka grupime të personave në shtëpitë e uikendit të dhëna, do të bëhet kontroll dhe do të ngriten akuza përkatëse. Thashë se kjo është vepër penale për rrezikim direkt të jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, sqaroi ministri.
Kompetentët apelojnë të gjithë qytetarët t’i respektojnë masat për mbrojtje të cilat tashmë janë në fuqi dhe ato të cilat fillojnë të zbatohen prej sot. Me këtë, theksojnë, do të parandalojmë përhapje të koronavirusit, e mbrojmë shëndetin tonë dhe shëndetin e më të afërmve, por gjithashtu kontribuojmë të ketë fluks më të vogël të pacientëve në institucionet shëndetësore.
Në drejtim të motivimit të personelit shëndetësor i cili kujdeset për të sëmurët me Kovid-19 ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe gjatë vizitës së djeshme në Klinikën spitalore në Shtip, paralajmëroi se 7.600 të punësuar në shëndetin publik të cilët punojnë me kovid pacientët do të marrin shpërblim të njëfishtë prej 30 mijë denarë.
“Investojmë në infrastrukturë, pajisje mjekësore, në punonjës shëndetësor me rritje të pagave. Pas implementimit të asaj politike, tani për festat e Vitit të Ri të gjithë të punësuarit në institucionet shëndetësore-publike të cilët punojnë me kovid-pacientët, ndërsa ato janë mjekët, infermieret, personeli teknik-mjekësor, transportuesit, ndihmësit, personat teknik të cilët punojnë në ato reparte ku shërohen pacientët me Kovid-19, do të marrin shpërblim të njëfishtë. Bëhet fjalë për 7.600 të punësuar në shëndetin publik të cilët do të marrin nga 30 mijë denarë”, potencoi Filipçe.
ISHP dje kumtoi se shënohet rënie e numrit të të sapoinfektuarve dhe të personave të vdekur javën e fundit. Në kovid-qendrat nëpër vend, sërish, për momentin shërohen gjithsej 1275 pacientë. Në 24 orëshin paraprak janë bërë 2347 testime, ndërsa janë registruar 657 raste të reja me Kovid-19, kanë vdekur 31 persona , ndërsa 920 janë shëruar.
Shifra e tërësishme e kovid të diagnostifikuarve në vendin tonë nga fillimi i epidemisë arrin 76251, janë shëruar 52413, ndërsa betejën me virusin e humbën 2225 të sëmurë. Bartës aktiv për momentin janë 21613.