Korniza e negociatave për Maqedoninë e Veriut mbetet e bllokuar nga Bullgaria tani për tani dhe mbetet e pasigurt nëse konkluzionet për Ballkanin Perëndimor do të miratohen në Bruksel, pasi ato u hoqën nga agjenda e Këshillit Evropian dje, pasi nuk kishte unanimitet tek vendet-anëtare të Bashkimit Evropian. Presidenca gjermane ka kohë deri më 31 dhjetor për të gjetur zgjidhje.
Praga dhe Bratisllava dje publikuan qëndrim të përbashkët në të cilin zyrtarisht konfirmojnë se nuk mund të pajtohen me konkluzionet e propozuara nga presidenca gjermane. Problemi kryesor siç njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli është fjalia për “interpretim të gabuar të historisë”.
Republika Çeke dhe Sllovakia e falënderojnë presidencën gjermane për përpjekjet për të gjetur kompromis me Bullgarinë mbi përfundimet për zgjerim, por besojnë se ato janë të papranueshme dhe paraqesin precedent të rrezikshëm politik për procesin. Në deklaratën rikujtohet se përfundimet e Këshillit të BE duhet të “dërgojnë një mesazh të bashkuar” dhe të kenë pasoja të drejtpërdrejta për të ardhmen e procesit të zgjerimit.
“Duke e pasur parasysh rolin kryesor të këtij dokumenti dhe pasi e shqyrtuam me kujdes, ne nuk ishim në gjendje të jepnim pëlqim për draftin e paraqitur sot. Teksti siç është përmban elemente, përfshirë nocionin e falsifikimit të historisë, i cili beson se do të jetë shumë i dëmshëm për procesin e zgjerimit dhe mund të sjellë potencialisht më shumë komplikime në të ardhmen”, qëndron në kumtesën e përbashkët të Republikës Çeke dhe Sllovakisë.
Megjithëse dokumenti duhej të miratohej sot, ai u refuzua me kërkesë të ministrave të Punëve të Jashtme dhe evropiane të dy vendeve, të cilët janë ndër mbështetësit më të fortë të zgjerimit të BE-së. Në reagim kërkohet që ky tekst t’u paraqitet ministrave, ndërsa jo ambasadorëve, duke e pasur parasysh ndjeshmërinë e temës dhe procesit.
Të dy vendet paralajmërojnë se ky formulim i lidhur me historinë nuk është çështje e Bashkimit Evropian dhe nuk i përket BE-së për të gjykuar se kush si identifikohet dhe çfarë gjuhe flet. “Këto çështje i përkasin palëve të interesuara dhe ne jemi këtu për t’i ndihmuar ata me përvojën tonë në këtë proces mjekimi”, qëndron në komunikatë.
Praga dhe Bratisllava kujtojnë se ata janë “zhgënjyer thellë” që kornizat negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk arritën gjithashtu të miratohen këtë vit siç pritej.
Korniza negociuese për Maqedoninë e Veriut është ngrirë tani për tani derisa Sofja nuk lëshon pe, por Gjermania beson se konkluzionet janë të nevojshme për të gjithë rajonin, siç është zakon në dhjetor të çdo viti.
Mosmiratimi i konkluzioneve u konfirmua gjithashtu nga Ministria çeke e Punëve të Jashtme. Në një deklaratë zyrtare nga ministri i Jashtëm çek Tomas Petriçek, cituar nga Radio Evropa e Lirë, tha se vendi i tij mbështet fuqimisht procesin e zgjerimit.
Nga Qeveria bullgare dje informuan se kryeministri Borisov dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, si dhe ekipet e tyre, janë në komunikim të rregullt për të gjitha temat me interes të përbashkët.
“Edhe kryeministri Borisov edhe Kancelarja Merkel janë të interesuar të gjejnë një zgjidhje për këtë çështje. Përpjekjet e palës bullgare kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë ta synojnë arritjen e dialogut dhe mirëkuptimit për zgjidhjen e çështjeve bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, por për këtë qëllim atë duhet ta dëshirojnë dhe zbatojnë të dy palët. Bullgaria ka kuptim të plotë për këto përpjekje të partnerëve të saj në BE”, thuhet në përgjigjen nga qeveria bullgare.
Kancelarja gjermane Angela Merkel pardje në Bundestag iu përgjigj pyetjeve të kryetarit të Komisionit për Çështje Evropiane, Ginter Krihbaum, i cili është anëtar i partisë së saj CDU, ndërsa i cili e kritikoi dështimin e presidencës gjermane me BE-në për t’i filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut.
Ai tha se opinioni edhe njëherë ishte dëshmitar i keqpërdorimit të të drejtave të vendeve anëtare të BE-së, ndaj vendeve kandidate, për t’i promovuar çështjet e tyre bilaterale.
“Ne nuk arritëm të arrijmë përparim kudo, për shembull për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Kjo për të ardhur keq dhe ne edhe një herë kemi përjetuar keqpërdorim të pozitës së një shteti anëtar kundër një vendi kandidat me imponimin e kërkesave bilaterale. Dhe, duhet të thuhet qartë, duke ushtruar presion. Si i vlerësoni shanset në të ardhmen e afërt për t’u tejkaluar bllokada e Bullgarisë?!”, ka pyetur Krihbaum.
Merkel në këtë u përgjigj se është në kontakt me kryeministrin bullgar, Bojko Borisov. “Edhe njëherë bisedova me kryeministrin bullgar, Bojko Borisov dhe shpresoj se këto çështje do të tejkalohen në të ardhmen e afërt”, tha kancelarja gjermane.
Në takimin e djeshëm në Budapest me homologun e tij hungarez Peter Sijarto, ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se vendimet e djeshme në Bruksel dhe dështimi i Unionit dhe përpjekja e fundit e presidencës gjermane për të formuar një konsensus mbi kornizën e negociatave ishin thellësisht të zhgënjyera në Maqedoninë e Veriut.
“Në konkluzionet e djeshme të BE-së thuhet se vendet- kandidate duhet t’i vënë fund interpretimeve të gabueshme të historisë. Pajtohem, por vlerësoj se ‘elefanti në dhomë’ është më shumë si të pengohet interpretimi i gabueshëm i së tashmes dhe së ardhmes”, theksoi Osmani, duke iu referuar Marrëveshjes për Shpërndarje të forcave të Fronteks që qëndron i bllokuar në organet e Unionit, pikërisht për shkak kundërshtimit të Bullgarisë që të pranojë të tashmen.
Në këtë drejtim ministri potencoi se këtë sfidë Republika e Maqedonisë së Veriut e ka lëvizur përmes marrëveshjeve bilaterale me vendet anëtare të BE-së, që në mënyrë shtesë flet për autenticitetin e kursit evropian të vendit.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov, në intervistë për revistën serbe “Nin”, tha se rruga e Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE është mjaft kodrinore, por duhet të punohet shumë për të gjitha çështjet e hapura dhe “nuk duhet të lejojmë ky dështim i Evropës dhe vlerave evropiane të kthehet në dështimin tonë.” Lidhur me bllokadën e Bullgarisë, Dimitrov tregon se nëse fqinji juaj e kundërshton gjuhën tuaj, kjo nuk mund të çojë në një marrëdhënie të pjekur midis dy vendeve evropiane, bazuar në respektin e ndërsjellë.
“Problemi kryesor është se nën kujdesin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe integrimeve evropiane, Bullgaria ka hapur çështje që janë në thelb antievropiane. Nëse dëshironi të keni një fqinj të mirë, duhet të jeni vetë një fqinj i mirë, thoshte Hari Truman. Nëse fqinji juaj e kundërshton gjuhën tuaj, diçka që është ekskluzivisht e drejta juaj sovrane, dhe nuk mund të jetë lëndë e njohjes ose mohimit të një shteti tjetër”, thotë Dimitrov.
Sipas tij, kjo në asnjë mënyrë nuk mund të çojë në një marrëdhënie të pjekur midis dy vendeve evropiane, bazuar në respektin e ndërsjellë.
“Si mund gjuha jonë maqedonase të paraqesë problem për integrimin në BE, në një aleancë që e ushqen larminë kulturore dhe gjuhësore të kombeve evropiane si vlerën e saj themelore? Prandaj, vënia në dyshim e identitetit të popullit maqedonas, në të njëjtën e kohë e rrezikon identitetin evropian të Unionit. A do të ekzistonte BE-ja, nëse parakushti për krijimin e tij do të ishte që të gjitha vendet anëtare të kishin pikëpamje të njëjta për të gjitha çështjet historike? Për shumë shtete anëtare të BE, mosmarrëveshje të tilla janë plotësisht irracionale dhe të pakuptueshme”, tha Zëvendëskryeministri Dimitrov për “Nin”.
Ai më tej theksoi se ne duhet të punojmë shumë për të gjitha çështjet e hapura dhe se nuk duhet të lejojmë që ky dështim i Evropës dhe vlerave evropiane të kthehet në dështimin tonë.
Lidhur me reagimet negative ndaj bllokadës bullgare në rajon, dhe si janë të njëjtat vend, Dimitrov tha se reagimet në vend reagimet janë të ngjashme dhe madje edhe më të mprehta. “Pikërisht ky pesimizëm dhe kthimi i eurofileve në euroskeptikë, apo edhe madje në eurofobë, midis qytetarëve, por edhe brenda elitave politike, është problemi më i madh i këtij dështimi të BE-së”, tha Dimitrov.
Thekson se Ballkani nuk ka rrugë tjetër përveç asaj që çon në anëtarësimin në BE, por ajo rrugë duhet të jetë e hapur, ajo duhet të funksionojë, duhet të ketë një mundësi për përparim, sepse kundërshtarët e këtij progresi janë të palodhur si në vendin tonë, ashtu edhe jashtë saj.
Këshilltari i kryeministrit për politikë të jashtme Edmond Ademi, pohon se Republika Çeke, Sllovakia dhe Austria nuk janë vendet e vetme që kundërshtuan konkluzionet e Këshillit të BE-së, në të cilat, ndër të tjera, me kërkesë të Bullgarisë vendoset një formulim për keqinterpretim të historisë.
“Nuk janë vetëm këto tre vende, Austria, Republika Çeke dhe Sllovakia, ka edhe vende të tjera që janë në këtë pozicion, por vetëm këto trija ishin me zë të lartë në paraqitjen e pozicionit të tyre. Qëndrimi i këtyre tre vendeve në lidhje me keqinterpretimin e historisë dërgon një mesazh në kuptimin, të gjithë ne që kemi studiuar historinë e dimë se Evropa ka një histori të ndërthurur dhe është e vështirë të përcaktohet se çfarë është ajo, dhe se keqinterpretimi mund të krijojë probleme në vetë BE-në, kështu që përveç problemeve buxhetore, kovidit, Brekzit, të kenë nevojë për hapje të çështjeve të tjera të mëdha, kështu që mesazhi është që interpretimi i historisë duhet t’u lihet historianëve, ndërsa politikanët ta interpretojnë të tashmen dhe të krijojnë të ardhme”, tha Ademi mbrëmë në emisionin “Klik plus” në TV 21.