Në pritje të takimit të ambasadorëve në të cilin presidenca gjermane sërish i kthen konkludimet për zgjerimin e BE-së, duke e përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, të cilët u hoqën javën e kaluar për shkak të bllokadës së Bullgarisë për negociatat me Maqedoninë e Veriut, shefja e diplomacisë bullgare Ekaterina Zaharieva doli me akuza të reja kundër Shkupit, ndërsa kolegu i saj Bujar Osmani me ide për zhvillim paralel të implementimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me negociatat aderuese.
Sipas Zaharievës, Bullgaria nuk e mohon gjuhën dhe identitetin e maqedonasve, por, ajo mendon se procesi ishte ndryshe, gjegjësisht, siç tha “ata i mohojnë të drejtat e bullgarëve” duke theksuar se “secili që përcaktohet si qytetar me rrënjë bullgare në vend edhe më tej diskriminohet”.
“Tema më e vështirë është akuzat e pasakta që dëgjohen për një kohë të gjatë se ua mohojmë të drejtën maqedonasve për vetëvendosje. Ose të drejtën për të quajtur gjuhën e tyre si të duan. Por vendet nuk njohin gjuhë ose kombe, vetëm shtete të tjera”, tha Zaharieva në një intervistë për “Uelt”.
Kryeministri Zoran Zaev dje në konferencë për shtyp duke i sqaruar arsyet pse nuk do të thirr takim të liderëve pas njoftimit të liderit të VMRO-DPMNE-së në fejsbuk, i konfirmoi edhe njëherë pozitat e Qeverisë lidhur me mosmarrëveshjet me Sofjen.
“Qeveria ka dhënë një shembull të miqësisë dhe vazhdon të ndërtojë miqësi. Ka treguar se ka linjat e saja të kuqe dhe nuk mendon kurrë të shkelë ndonjë interes. Fatkeqësisht, nuk e marrim konferencën e parë ndërqeveritare, të cilën vë bast se do ta marrim një orë më shpejt sepse e meritojmë plotësisht. 26 shtete anëtare janë plotësisht pas pozicioneve tona”, tha Zaev, duke shtuar se do të kërkojë mjete të tjera për informimin në lidhje me bisedimet me Sofjen.
Gjatë raportimit për 100 ditë nga formimi i Kabinetit të tij ai tha se Qeveria vazhdimisht jep dhe do të vazhdojë të japë ide derisa nuk tejkalohen problemet dhe pengesat të cilat nga ana e Bullgarisë janë lënë anash për integrimin tonë evropian.
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Nikolla Dimitrov, megjithatë, në fjalimin dje në panelin “Kryesimi gjerman me Këshillin e BE-së: reflekset e tij brenda dhe jashtë BE-së” vlerësoi se përkushtimi i Gjermanisë mike dhe gatishmëria për të vazhduar shtyrjen e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor lartë në agjendën e BE-së, edhe pas përfundimit të kryesimit të tyre është edhe një konfirmim për atë që është bërë nga ana jonë dhe nevojë e realizimit të detyrimeve nga ana tjetër”.
Me qëllim që mossuksesi evropian të mos jetë edhe mossuksesi ynë, Dimitrov konsideron se përgjigjja më e mirë të cilën Maqedonia e Veriut mund ta jep në situatë kur ekzistojnë pengesa objektive në të cilat nuk mund të ndikojmë, është gjetja e zgjidhjeve kreative dhe shfrytëzimi i të gjitha mjeteve të cilat i kemi në dispozicion për përforcimin e agjendës reformuese në sferat më të rëndësishme, në komunikim të drejtpërdrejtë me vendet anëtare të cilët janë të gatshme të na ndihmojnë në evropiazimin e shoqërisë tonë.
Sipas shefit të diplomacisë Bujar Osmani, nuk ka mënyrë më të mirë për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjeve të fqinjësisë së mirë, sesa për të përshpejtuar perspektivën evropiane të vendeve në rajon.
Osmani përkujtoi se pothuajse të gjitha 26 vendet anëtare janë në kundërshtim me tentimin për bilaterizimin e procesit negociues dhe ai qëndrim, tha ai, nuk është në interes vetëm të Maqedonisë së Veriut, por edhe të vetë procesit negociues dhe rolit të tij në transformimin evropian të rajonit. Procesi evropian, shtoi Osmani, nuk duhet të jetë peng i çështjeve bilaterale të Maqedonisë së Veriut, as të cilit do vend nga Ballkani Perëndimor.
“Me përkrahjen e miqve tanë do të vazhdojmë realizimin e procesit reformues, para së gjithash në pjesën e sundimit të së drejtës, reformat në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe reformën në administratën publike. Kuptohet se, mbetemi të fokusuar edhe në procesin e ndërtimit të raporteve ndërfqinjësore dhe rritje të besimit të ndërsjellë me të gjithë miqtë e rajonit. Pranova konfirmim nga kolegu im se Republika Çeke edhe më tutje do të vazhdojë të jetë njëra prej mbështetësve më të mëdhenj dhe më të zëshme të anëtarësimit të plotë të Maqedonisë së Veriut në BE”, theksoi Osmani, duke i shprehur mirënjohje Qeverisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore nga ana e Çekisë për eurointegrimet e vendit.
Shefi i diplomacisë çeke Tomas Petzhiçek, lidhur me mbajtjen e konferencës së parë shfaqi shpresë se këtë javë dhe javën e ardhshme ende ka hapësirë që të zgjidhet kjo, të arrihet deri në njëfarë kompromisi.
“Çekia i mbështet përpjekjet e presidencës gjermane për të arritur një marrëveshje dhe Bullgaria të heqë dorë nga kërkesat e saj në një farë mënyre dhe të arrijë një kompromis. “Shpresoj se konferenca ndërqeveritare mund të fillojë, por kjo varet nga takimi i nesërm në Bruksel”, tha dje Petzhiçek.