Përpjekja e fundit e presidencës gjermane do të bëhet të mërkurën për të miratuar konkluzionet për zgjerimin e BE-së, duke përfshirë edhe për Maqedoninë e Veriut, raporton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Siç konfirmuan për MIA-n nga Këshilli i BE-së, takimi i ri ambasadorial do të mbahet të mërkurën, në të cilin do të futen në rendin e ditës, konkluzionet për zgjerimin, të cilat u hoqën javën e kaluar për shkak të bllokimit të Bullgarisë për bisedimet me Maqedoninë e Veriut.
Diskutimi i zgjerimit u hoq plotësisht nga agjenda për shkak të mosmarrëveshjeve midis vendeve anëtare të BE-së, veçanërisht për shkak të qëndrimit të Sofjes se konferenca e parë ndërqeveritare mbi bisedimet e aderimit me Maqedoninë e Veriut nuk mund të mbahej pa u zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe.
Këtë javë, presidenca gjermane i kthen konkluzionet për zgjerim në rend dite të agjendës. Këtu bëjnë pjesë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku me Maqedoninë e Veriut.
Në këtë kohë është e paqartë se çfarë kompromisi do të propozojë presidenca gjermane. Është e sigurt që presidenca po përgatit konkluzione të reja, por këto nuk janë njoftuar ende dhe MIA nuk është në dijeni të përmbajtjes së tyre tani për tani.
Informacioni kryesor që qarkullon në qarqet diplomatike në Bruksel për dy javë është se po kërkohet një kompromis mbi një formulim në lidhje me “keqinterpretimin e historisë”.
Ndërsa presidenca e BE-së beson se kjo fjali duhet të përfshihet në hyrje për të gjitha vendet e rajonit, Sofja, sipas burimeve diplomatike, dëshiron që ajo të futet posaçërisht për Maqedoninë e Veriut, duke cituar konkluzione të vjetra nga viti 2018 kur u miratuan marrëveshjet për fqinjësi të mirë me Greqinë dhe Bullgarinë.
Mbetet të shihet se çfarë kompromisi propozon presidenca gjermane.
Draft konkluzionet e fundit gjithashtu thonë se konferenca e parë ndërqeveritare duhet të mbahet “sa më shpejt të jetë e mundur” me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por për Shqipërinë me kushte shtesë.
Disa shtete anëtare të BE-së insistojnë në ndarjen e Shkupit dhe Tiranës, nëse bllokada bullgare nuk mund të kapërcehet dhe të paktën të jepet dritë jeshile formale për Shqipërinë.