Bullgaria është plotësisht e vetme në kontestin me Maqedoninë e Veriut, pozicionet e saj janë të pakuptimta për anëtaret e tjera të BE-së, që e vendos në grupin e vendeve problematike, siç janë Polonia dhe Hungaria, vlerëson Vesela Çerneva, zëvendësdrejtoreshë e Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme dhe drejtoreshë e Zyrës në Sofje.
“Kontesti ynë me Maqedoninë e Veriut ka dy aspekte – së pari, ne i shndërruam marrëdhëniet fqinjësore dhe dialogun në konteste historike, që është e papranueshme në procesin e bisedimeve, dhe e dyta – vetoja na vendosi në këndin e vendeve problematike të BE-së, siç janë Polonia dhe Hungaria”, deklaroi Çerneva për TV Blumberg Bullgaria.
Sipas saj, Sofja nuk u kuptua nga partnerët në BE dhe është lënë e vetme në kontestin me Shkupin.
“Nëse i lëmë mënjanë marrëdhëniet e tona me fqinjët, të cilat për momentin gjenden në një nivel shumë të ulët, Bullgaria u bë partner i pa kuptuar për të gjitha vendet e BE-së. Për këtë guxoj të them se jemi lënë të vetëm në kontestin me Shkupin “, tha Çerneva.
Ajo thekson se pasojat nga vetoja bullgare për integrim evropian të Maqedonisë së Veriut do të jenë direkte dhe Sofja më nuk do të mund të konsideroj në bashkëpunimin dhe në mirëkuptimin nga ana e Brukselit.
“Fondi për rimëkëmbje, Marrëveshja e gjelbër dhe transformimi i sektorit energjetik bullgar që varet nga qymyri janë faktorë të cilëve iu nevojitet ndihmë nga BE-ja. Por, pas ‘jo’-së sonë, kërkesat dhe dëshirat e Sofjes do të jenë zë në shkretëtirë”, konsideron Vesela Çerneva, zëvendësdrejtoreshë e Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme dhe drejtoreshë e Zyrës në Sofje.