Si gabim të papërgjegjshëm e karakterizoi kryeministri Zoran Zaev veton e Bullgarisë për mbyllje të negociatave inkuadruese të Maqedonisë së Veriut me BE-në, duke shprehur bindje se është e mundur zgjidhja pa kontestim të identitetit maqedonas. pala bullgare, siç deklaroi shefja e diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharieva, konsideron se të dy vendet janë në fazë delikte të marrëdhënieve dhe se Sofja nuk na ka vendosur veto në fillim të negociatave me BE-në.
“Të gjithë e kemi të qartë, se deri në këtë moment Bashkimi Evropian nuk arriti pëlqim për pranimin e kornizës negociuese për vendin tonë. Ky gabim i papërgjegjshëm është lajm i hidhur për tërë kombin tonë. Në këtë dit, dëgjohet zhgënjimi i madh te të gjithë ne në një frymë. Bullgaria vendosi veto, e shkeli Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe miqësi dhe me këtë e pengoi rrugën e integrimit tonë evropian, për të cilën më shumë herë institucionet e BE-së dhe vendeve anëtare, duke përfshirë edhe Bullgarinë, konfirmuan se në tërësi i plotësojmë kushtet. Kjo nuk është mënyrë evropiane. Fatkeqësisht, Bullgaria nuk mblodhi forcë që të sillet në mënyrë evropiane. Bullgaria lejoi të tregojë gjest i cili nuk shfaq as miqësi as vëllazëri”, theksoi Zaev në video-fjalimin drejtuar kombit.
Qëndrimi i Bullgarisë, siç tha ai, është tërësisht irracional dhe ofendues për maqedonasit dhe për tërë popullin tonë.
“Në shekullin 21, nuk është mënyrë evropiane e as demokratike, që t’i tregoni dikujt se si të ndjehet, si të përcaktohet. Nuk është evropiane t’ja shkruani historinë e një populli tjetër. Ti impononi identitet të një populli tjetër dhe ta bindni që të njëjtin ta pranojë”, tha kryeministri.
Zaev ishte decid se për Maqedoninë e Veriut, për popullin maqedonas dhe për të gjithë qytetarët e vendit tonë këto kushte nuk janë të pranueshme. Nuk do të lejojmë as identiteti antifashist i vendit tonë të rrezikohet dhe të vihet në pyetje. Ne, potencoi Zaev, refuzuam të negociojmë për gjëra për të cilat nuk guxohet të bisedohet.
“Negociata me BE-në po, por jo me kusht të revizionit të identitetit maqedonas. Jo me kushte të cilat tani na i imponon Bullgaria. Ne themi – PO për Evropën dhe themi JO – për kushtëzime të popullit maqedonas! Dhe JO për kushtëzimin e bashkëqytetarëve tanë shqiptarë, turq, romë, serb, boshnjakë, vlleh dhe të tjerë”, tha ai.
Kryeministri Zaev në fjalimin e tij tha se shteti maqedonas është vend i miqësisë dhe bashkëjetesës. Si shprehje e kujtesës historike, përpjekjes për drejtësi dhe jonkontestueshmërisë të së drejtave të njeriut, kemi ditur të falim dhe të kërkojmë ndjesë në emër të së ardhmes. Ne asnjëherë nuk kemi marrë të huajën.
“Prandaj të gjithë janë në anën tonë. Miqtë janë me ne dhe së bashku do të vazhdojmë përpara. U japim mirënjohje dhe falënderim të gjitha vendeve tjera anëtare të Bashkimit Evropian, mirënjohje dhe falënderim të veçantë për Republikën Federale të Gjermanisë e cila në kohëra veçanërisht shumë të vështira, e cila në krye të udhëheqjes së saj me Bashkim Evropian i vendosi Buxhetin e BE-së, luftën kundër COVID-19 dhe zgjerimin”.
Zaev vlerësoi se procesin e zgjerimit si qëllim strategjik të BE-së e ndërpreu Republika e Bullgarisë nga pozita si vend-anëtar dhe se bëhet fjalë për gabim të rëndë dhe të papërgjegjshëm gjeostrategjik. Është mirë që miqtë dhe bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtar nuk e heshtin këtë gabim.
“Ndërgjegjja jonë është e pastër. Në periudhën e kaluar jemi udhëhequr nga parimet e mbrojtjes maksimale të interesave kombëtare dhe të mos guxohet të preket e drejta e vetpërcaktimit të popullit maqedonas. Të bëjmë përpjekje maksimale për hapjen e negociatave aderuese me BE-në në vitin 2020, e njëherit t’i avancojmë raportet e mira ndërfqinjësore në bazë të mirëkuptimit dhe respektit reciprok. Prandaj vlerësojmë se arsyet për mosmiratimin e kornizës negociuese dëmtojnë parimet fundamentale dhe vlerat e Bashkimit Evropian. Dhe shpresojmë se dëmi që është shkaktuar nga kjo veto e paarsyeshme për integrimin evropian i rajonit dhe për vlerat evropiane, do të mund të kompensohet shpejtë”, tha Zaev.
Kryetari i Qeverisë në video-fjalimin foli edhe për opozitën në vendin tonë, e cila këtë moment e merr si fitore të tyre. Udhëheqësia aktuale dhe paraprake e VMRO-DPMNE-së pothuajse 15 vite shfaqin refuzim dhe bllokim të përcaktimit tonë euroatlantik. Sa më shumë afrohej realizimi i anëtarësimit tonë në NATO, aq më intensivisht përhapnin trazira, gënjeshtra dhe gjuhë e urrejtjes.
“Mickoski dhe VMRO-DPMNE ishin të vetmit që Maqedonia e Veriut të mos merr datë për fillimin e negociatave, të vetmit që bllokuan reformat dhe ligjet të rëndësishme strukturore për integrimnë BE. Lideri i DPMNE-së e shpalli raportin më pozitiv të Komisionit Evropian si një lajm të rremë dhe nuk mori forcë as të urojë ose të duartrokasë në Kuvend ditën kur u bëmë vendi- anëtarë i 30-të i NATO-s”, tha Zaev duke shtuar se sot ranë në ujë të gjitha gënjeshtrat dhe shpifjet. U shkatërruan gënjeshtrat e tyre se identiteti maqedonas.
Duke iu drejtuar qytetarëve, ai tha se nuk do të lejojmë që të mbizotërojnë forcat që synojnë ta shtyjnë vendin në urrejtje drejt Evropës, në pasiguri, konflikte dhe në urrejtje ndaj fqinjëve tanë. Është detyrim i yni për të mbrojtur shtetin dhe qytetarët nga devijimi i sërishëm nga rruga strategjike.
“Pavarësisht atmosferës që opozita po përpiqet të imponojë, kjo Qeveri nuk do të ndërmarrë kurrë një hap që do të rrezikonte interesat kombëtare maqedonase. Nuk kemi ndërmend të vendosim vendin në pasiguri. Ne e kemi kaluar njëherë këtë. Ne e dimë se sa larg na ka çuar nacionalizmi. Ne nuk do të lejojmë që një Gruevizëm i ri apo i vjetër si ai pas vetos në Bukuresht të vitit 2008. Ne nuk kemi nevojë për entuziazëm nacionalist ose goditje në kraharor, që vlen vetëm për përdorim vendor. Kjo është tërheqëse vetëm për publikun vendor, por nuk është zgjidhje”, tha Zaev.
Kërkojmë, potencoi kryeministri, BE-ja ta përmbushë obligimin e vet fundamental dhe t’i njohë dhe ruajë si pasuri të vlefshme llojllojshmëritë historike dhe të identitetit të kombeve në kontinentin evropian.
“Identiteti dhe gjuha maqedonase nuk duhet të jenë përjashtim nga ky parim. Ne kërkojmë që ashtu siç ne kujdesemi, e zhvillojmë dhe në mënyrë të çmuar e ruajmë identitetin evropian në vend, po ashtu edhe BE-ja të respektojë, të kujdeset dhe të ruajë identitetin tonë maqedonas, si dallim i saj i çmuar”, tha Zaev.
Përsëriti se mbetemi të përkushtuar në kërkimin e zgjidhjes me Bullgarinë fqinje. Kjo do të jetë zgjidhje e cila garanton fillim të negociatave me BE-në dhe assesi nuk prek identitetin maqedonas. Zaev gjithashtu tha se nuk do të lejojmë që vetoja e Bullgarisë të shkaktojë ngecje në reformat e brendshme. Përkundrazi, do ta përforcojmë tempon dhe do ta shfrytëzojmë përparësinë që e kemi në rajon dhe se Qeveria mbetet në rrugën e njejtë strategjike.
Pothuajse njëkohësisht në Sofje mbahej takimi i parë i përfaqësuesit të posaçëm të Maqedonisë së Veriut për Bullgarinë, Vllado Buçkovski me shefen e diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharieva. Pas bisedimeve në konferencën e përbashkët për shtyp, Buçkovski potencoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme tërësisht ta implementojë Marrëveshjen për fqinjësi të mirë.
“Nëse instrument për këtë është udhërrëfyesi, besoj se do të mund të jetë mjet me të cilin do të maten arritjet”, theksoi Buçkovski.
Sipas tij, për momentin, besimi midis dy vendeve është prishur. Por, shprehi kënaqësi nga bisedimet konstruktive me Zaharievën dhe që emërimin e tij Bullgaria e konsideron si përpjekje shtesë nga ana jonë për ta kthyer besimin e humbur.
Ai theksoi se detyra e tij do të jetë të koordinojë përmbushjen e marrëveshjes, por jo në pjesën e historisë.
“Historinë e përbashkët nuk mund ta ndryshojmë as unë, as Zaharieva, por mund t’i ndryshojmë gjërat për bashkëpunim më të fortë në infrastrukturë, arsim, kulturë dhe në afrimin e të dy popujve dhe me sinqeritet do ta bëjmë atë”, tha Buçkovski.
Zaharieva, ndërkaq, nga ana e vet, porositi se për Bullgarinë tashmë nuk mjaftojnë vetëm fjalët, por dëshiron vepra.
“Jemi të gatshëm të punojmë, të gjejmë zgjidhje për tejkalimin e këtij mosbesimi të akumuluar dhe të bëhemi anëtarë të vërtetë të familjes evropiane, deklaroi ajo, duke paralajmëruar vazhdim të bisedimeve për gjetje të zgjidhjes për çështjet e tjera bilaterale me Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe gjetje të daljes për rrugën e Maqedonisë drejt kornizës negociuese për anëtarësimin e saj në BE.
Sipas saj, është gabim kjo të quhet veto, sepse bëhet fjalë për mosmiratim të kornizës negociuese. “Ne jemi në fazë delikate të raporteve tona”, deklaroi Zaharieva në konferencën e përbashkët për shtyp me Buçkovskin.
Zaharieva pohon se Bullgaria nuk ka vendosur veto, pasi dje në Këshillin ministror, siç tha, as që është debatuar për zgjerim. Pozita bullgare është e qartë – kërkon garanca për kërkesat e saj: plotësimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, udhërrëfyesit për zbatimin e saj, deklaratën se nuk do të ketë pretendime për minoritetin maqedonas dhe përdorimin e gjuhës sipas Marrëveshjes nga viti 2017. Kjo nuk qëndron në kornizën negociuese dhe Bullgaria nuk mund ta përkrahë”, tha Zaharieva.
Ajo u shpreh se pozita bullgare për mosmiratimin e kornizës negociuese ka të bëjë me, siç tha, moszbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë nga viti 2017.
“I paralajmërojmë fqinjët tanë për këtë tani një vit e gjysëm. Ato janë disa punë. Bllokimi dhe politizimi i punës së Komisionit për çështje historike dhe arsimore, pengesat administrative për biznesin bullgar, përkrahja jozyrtare e individëve dhe organizatave me pohime për ekzistimin e minoritetit maqedonas në Bullgari dhe mungesë e përparimit, respektivisht anulimi i konsiderueshëm i Korridorit 8”, shtoi Zaharieva.
Ajo potencoi se Shkupi dhe Sofia treguan se mund të kenë koordinim të mirë gjatë bashkëkryesimit me Procesin e Berlinit dhe duhet të shfrytëzohet kjo përvojë për kthimin e besimit të humbur hap pas hapi dhe për “ndërprerjen e qasjes destruktive”. Akuzoi për fushatën antibullgare dhe tentimet që të diskreditohet Bullgaria në të gjitha organizatat, pohimi se vënia e vetos apo se për shkakun tonë edhe Shqipëri do të ndalohet dhe gjëra të tjera të pavërteta.
Lidhur me veton nga Sofja për eurointegrimet tona, u deklarua edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, e cila vlerëson se Bullgaria bëri gabim gjeostrategjik, që nuk është mirë për rajonin, nuk është mirë për ne dhe nuk do të jetë mirë as për Sofjen.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë në vlerat evropiane. Dhe sot në këtë konferencë për media treguam se mund të ofrojmë rezultate evropiane, madje edhe atëherë kur dikush e bllokon procesin evropian. Kështu do të vazhdojmë edhe më tutje sepse e ardhmja maqedonase është evropiane dhe ne në këtë nuk do të ndërtojmë alternativë”, deklaroi dje në konferencë për media Shekerinska.
Ajo shprehi pritshmëri se të gjitha vendet e BE-së, me përjashtim të Bullgarisë, ta konfirmojnë pozicionin e tyre se duhet të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut.
Fjalim pati edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristian Mickoski, i cili kërkoi menjëherë takim liderësh, në mëynrë që të bisedohet për situatën aktuale politike, shëndetësore, arsimore dhe ekonomike në vend.
“Edhe njëherë e riaktualizoj nevojën për takim të menjëhershëm të liderëve. takim liderësh në të cilin do të bisedojmë për situatën aktuale politike, shëndetësore, arsimore, ekonomike në Maqedoninë tonë. Menjëherë takim liderësh që të mundemi më tutje ta ndërtojmë Maqedoninë tonë”, tha Mickoski.
Mickoski foli për atë çka ka bërë Qeveria në 100 ditët e fundit. Sipas tij, bëhet fjalë për 100 ditë të humbura ardhmëri, ekonomi të humbur, jetë dhe dinjitet të humbur, identitet të atakuar, drejtësi të humbur, krim, investime të humbura, mijëra vende të punës të humbura, humbje për bujqit, biznesin, investime të humbura.