Autoritetet shëndetësore vendosën që në vendin e objektit në të cilin funksiononte reparti për dializë në Gostivar të vendoset spitali modular për mjekimin e pacientëve me Kovid-19. Dje filloi prishja e ndërtesës së katit përdhese dhe rregullimi i terrenit për infrastrukturën e nevojshme.
Nga drejtoria e spitalit të përgjithshëm “Ferid Murad” informuan se kanë filluar përgatitjet për vendosjen e një qendre të re kovid.
!Ka filluar prishja e ndërtesës së ish repartit të dializës, ku pas prishjes do të vendosen dhoma të reja për pacientët që do të mjekohen nga virusi Kovid 19″, theksojnë nga Drejtoria.
Ditët e fundit, vetëqeverisja lokale dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë kërkonin vend të përshtatshëm. Si më e përshtatshme, është hapësira në rrethin e spitalit të përgjithshëm që është në afërsi të objektit ku ndodhet reparti infektiv. Objekti i ri modular duhet të ketë dhoma për tridhjetë shtretër spitalorë, dhoma ndihmëse për personelin, dhomë për izolim dhe për rreze X. Në paralajmërimet nga Ministria e Shëndetësisë, në Gostivar dhe 16 qytete të tjera, duhet të vendosen spitale modulare të montuara në të cilat do të kujdesen dhe mjekohen njerëzit e infektuar me Kovid-19.
Sipas informacioneve të qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut deri dje, 71 persona janë mjekuar në kovid qendrën në Gostivar.