Me bllokadën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, përveç Shkupit dhe Tiranës, humbin edhe BE dhe Bullgaria, si dhe vendet e tjera në rajon, thekson eurodeputeti bullgar dhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Quçuk.
“Bullgaria është një nga vendet që e vendos integrimin evropian të vendeve në rajon në vend shumë të lartë në agjendën e saj. Në të njëjtën kohë, është e qartë se me bllokadë politike, nuk do të ketë fitues dhe të gjithë do të humbasim. BE do të humbasë sepse besueshmëria e saj do të minohet, do të tregohet e paaftë për të zgjidhur çështje të mëdha gjeopolitike dhe do të jetë lojtar global. Do të humbasin Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria, sepse bënë përpjekje të mëdha në rrugën e anëtarësimit në BE. Në fund, por jo më pak e rëndësishme, do të humbin edhe fqinjët e tyre, sepse procesi i integrimit kërkon ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të cilat kanë të bëjnë me pastrimin e mosmarrëveshjeve historike”, theksoi Quçuk.
Ai beson se pozicioni bullgar ndaj Shkupit është i pakuptueshëm për vendet e tjera të BE-së, ndërsa qeveria në Sofje nuk bëri asgjë për ta shpjeguar atë.
Ilhan Quçuk së bashku me njëzetë eurodeputetë të tjerë nënshkruan deklaratë me të cilën kërkuan nga Këshilli i BE-së të zhbllokohet integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Ky është pozicioni i 24 kolegëve që kanë një rol zyrtar në procesin e integrimit në Ballkanin Perëndimor. Ai synon t’u zgjatë dorën të dy vendeve, por edhe vendeve që janë skeptikë ndaj politikës së zgjerimit të BE-së. Padyshim, kontradiktat aktuale në BE janë të mëdha, ndërsa ne duhet t’i respektojmë pritjet e qytetarëve evropianë, por edhe premtimet për vendet e Ballkanit Perëndimor për rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, tha eurodeputeti bullgar dhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Quçuk.