Republika e Bullgarisë vendosi veto për fillimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian dhe me këtë u ndërpre rruga e integrimit tonë për të cilën në disa raste institucionet e BE-së dhe të gjitha vendet tjera anëtare, përfshirë edhe Bullgarinë, konfirmuarnse plotësisht i kemi përmbushur kushtet, qëndron në kumtesën e sotme të Sektorit për Marrëdhënie me Publikun të Qeverisë.
“Maqedonia e Veriut asnjëherë nuk do të heqë dorë nga e drejta e vetëvendosjes së qytetarëve maqedonas e cila është e garantuar me Konventën e OKB-së, deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Marrëveshjes së Lisbonës si bazë kushtetuese e BE-së dhe vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, theksohet në kumtesë.
Identiteti kombëtar maqedonas, nënvizohet, nuk ishte, nuk është edhe e pamundur që të jetë mjet i negociatave.
“Populli maqedonas dhe gjuha maqedonase janë shtyllat e identitetit maqedonas. Ato vijnë nga e kaluara, ndërsa në të njëjtën kohë janë shtylla të së ardhmes sonë evropiane”, qëndron në kumtesë.
Për fat të keq, theksohet, procesin e zgjerimit si qëllim strategjik i BE-së e ndaloi Republika e Bullgarisë si anëtare e BE-së. Bëhet fjalë për gabim të papërgjegjshëm dhe të rëndë gjeostrategjik.
Në mars, Këshilli i BE-së, përkujtojnë në kumtesë, njëzëri dha dritë të gjelbër për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut. Të gjitha vendet anëtare të BE-së u pajtuan në këtë, përfshirë edhe Bullgarinë. Në raportin e pozitiv të Komisionit Evropian për progresin në reforma ne jemi më të mirë se vendet tjera kandidate, e madje edhe më përpara se disa vende të cilat po negociojnë.
“Rezultatet dhe kapacitetet tona dhe gatishmëria jonë për bisedime janë të pakontestuara. Mosmiratimi i kornizës është në dëm të parimeve fundamentale dhe vlerave të Bashkimit Evropian”, qëndron në kumtesën e Qeverisë.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut , thuhet më tutje, nuk do të lejojë që të ngecin reformat e brendshme. Përkundrazi, potencojnë, do ta përforcojmë tempon dhe do ta rrisim përparësinë në reformat demokratike të cilat i kemi në rajon.