Nuk parashikohet të ketë masa të reja kufizuese në Sektorin hotelieri dhe turizëm në periudhën që vijon, duke i marrë parasysh të dhënat që i kemi nga ana e Komisionit për sëmundje infektive dhe pritjet për vaksinim të popullatës për mbrojtje nga Kovid-19, vlerësoi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Në këtë moment nuk ka diskutime të tilla në Qeveri, ndërsa në pajtim me informatat e mia, as në Komisionin për sëmundje infektive. Në këtë moment mbeten në fuqi masat që janë miratuar nga ana e Qeverisë, me rekomandim dhe propozim nga ana e Komisionit për sëmundje infektive, por gjithsesi nëse zvogëlohet numri dhe përqindja e të infektuarve me Kovid-19, do të miratohen lehtësime. Në pajtim me të dhënat të cilat i kemi, nuk presim të ketë masa shtesë kufizuese”, u përgjigj Bekteshi në pyetje të gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp.
Ai potencoi se Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria për çdo ditë marrin kërkesa nga ana e sektorëve të ndryshëm për lehtësimin e masave kufizuese dhe potencoi se të gjithë duhet t’i respektojmë nëse mbeten në fuqi masat.
Ai theksoi se ka mbi një mijë persona fizikë dhe juridikë që kanë aplikuar në pesë thirrjet publike për mbështetje të sektorit të turizmit dhe hotelierisë të publikuara muajin e kaluar nga Ministria e Ekonomisë. Ai tha se të gjithë ata që kanë aplikuar do të marrin ndihmë shtetërore.
“Shumica prej tyre në vitin 2019 kanë paraqitur numër shumë të vogël të mysafirëve dhe ndoshta më shumë u kushton dokumentacioni për aplikim se paratë që do t’i marrin, por agjencitë serioze turistike, hotelierët dhe restorantet do të marrin subvencione, duke marrë parasysh se i plotësojnë kushtet. Në mënyrë shtesë do të marrin edhe restorantet për dasma”, tha Bekteshi.
Ai theksoi se deri në momentin para se të shpallet thirrja publike, në Ministrinë e Ekonomisë ka pasur vetëm 20 restorante të kategorizuara për dasma, ndërsa në pajtim me të dhënat që i kemi tani, shtoi, kemi mbi 100 aplikacione, të cilët i plotësojnë kushtet dhe do të marrin subvencione.
“Kjo kontribuon për formalizimin e këtij sektori mjaftë të rëndësishëm në hotelieri në shtetin tonë”, tha Bekteshi.