Eurambasadori në Maqedoninë e Veriut Dejvid Gir sot në konferencë për shtyp tha se ajo që duhet tani të bëhet është të miratohet korniza negocuese për vendin dhe të gjendet datë për mbajtjen sa më të shpejtë të konferencës ndërqeveritare mes vendit dhe Bashkimit Evropian. Kuptohet, shtoi ai, se në interesin tonë dhe të juajin është që kjo datë të caktohet sa më shpejtë.
“Në mars të vitit të kaluar të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së atëherë vendosën se Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i fillojë negociatat aderuese me Bashkimin Evropian. Atëherë ky vendim u miratua, e ajo që duhet të bëhet është që të miratohet korniza negocuese për vendin dhe të gjendet datë për mbajtjen sa më të shpejtë të konferencës ndërqeveritare mes vendit dhe Bashkimit Evropian”, tha Gir, duke shtuar se në interes të përbashkët është që kjo datë të caktohet sa më shpejtë.
Sipas tij, e tërë kjo punë merr kohë, por më me rëndësi është, siç tha, se perspektiva për procesin eurointegrues të vendit nuk vihet në diskutim.
“Ajo që është më me rëndësi është që vendi i juaj të vazhdojë në rrugën reformuese dhe ta bëjë atë sa është e mundur më shpejtë, pasi kjo nuk është në interes, jo vetëm të BE-së, por edhe në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Dhe kuptohet se është tërësisht me rëndësi edhe të vazhdohet dialogu me Bullgarinë, që do të jetë në frymën e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Në këtë moment nuk është çështja nëse RMV-ja do t’i fillojë negociatat me BE-në, por dilema është tani është vetëm kur”, nënvizoi Gir.
Paraprakisht, një burim i lartë i BE-së, i cili i informoi korrespondentët në Bruksel në mëngjes, porositi se bllokada bullgare për shkak të kontestit bilateral me Maqedoninë e Veriut e frustron tërë Bashkimin Evropian, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli. Edhe krahas të gjitha përpjekjeve diplomatike, Bullgaria nuk po dorëzohet nga vetoja joparimore që po i vendos Maqedonisë së Veriut për kontestin bilateral, kjo është arsyeja pse i gjithë diskutimi për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor është hequr nga agjenda e ministrave të çështjeve evropiane nesër në Bruksel. Kjo e përfshin Shqipërinë, e cila shpresonte për ndonjë përparim në lidhje me kornizën e saj negociuese me BE-në.