Duhet të presim që të qetësohen emocionet dhe të tregojmë durim, qetësi dhe mendje të shëndoshë, deklaroi sot presidenti bullgar Rumen Radev duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se a duhet Bullgaria “ta mbrojë qëndrimin e saj për çështjen maqedonase ose të heqë dorë nga ai”.
“Vëllezërit tanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të jenë anëtarë të BE-së, por ky duhet të jetë proces i qëndrueshëm, ku çrrënjosja e retorikës antibullgare dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe pranimi objektiv i së vërtetës historike, duhet të bëhen proces i pakthyeshëm. Dhe këtu Bullgaria duhet kategorikisht t’i mbrojë të drejtat e saj”, theksoi presidenti bullgar.
Radevi potencoi se një vit pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, ai kërkoi që të nënshkruajë aneks të dokumentit, sepse, siç vlerësoi, nuk kishte progres rreth zbatimit të saj.
“Para një viti, në shtator, thirra takim urgjent konsultues me përfaqësues qeveritarë, ku insistova në përgatitjen e pozicionit kombëtar që qartë do t’i përcaktojë kushtet tona dhe linjat e kuqe. Vazhdoj të angazhohem për këtë”, theksoi Radevi.