Dërgesat e një vaksine kundër koronavirusit, të zhvilluar nga kompania farmaceutike amerikane, Pfizer, dhe ajo gjermane, BioNTech, kanë arritur në Britaninë e Madhe. Ky vend pritet të nisë programin e imunizimit më 8 dhjetor.
Rreth 800,000 doza të vaksinës, të ruajtura në kontejnerë shumë të ftohtë, kanë arritur tashmë atje.
Vaksinimet do të administrohen në rreth 50 qendra spitalore. Të parët që do të vaksinohen janë punonjësit shëndetësorë me rrezik të lartë dhe pacientët e moshës 80 vjeç e lart.
Britania ka siguruar 40 milionë doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, të cilat mund të shërbejnë për 20 milionë njerëz, pasi secili duhet të marrë nga dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh.
Britania, javën e kaluar, është bërë vendi i parë që ka autorizuar vaksinën Pfizer/BioNTech për përdorim emergjent, pasi testimi i saj ka treguar se është 95 për qind e efektshme.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Britania ka numrin më të lartë të vdekjeve në Evropë, që lidhen me koronavirusin.
Qeveritë dhe agjencitë shëndetësore në të gjithë botën do të monitorojnë programin britanik të vaksinimit, i cili do të zgjasë disa muaj.
Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë parë rritje të mprehtë të numrit të rasteve pozitive në javët e fundit, shpresojnë të fillojnë programin e tyre të vaksinimit po ashtu këtë muaj.
Këshilltari kryesor i SHBA-së në përpjekjet për zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit tha se planifikon të takohet me ekipin e presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, këtë javë, për të diskutuar rreth programit të imunizimit, përpara se të nisë raundi i parë i vaksinimit.
Këshilltari Moncef Slaoui tha për kanalin CBS se plani i qeverisë për shpërndarjen e vaksinës mbështetet tek agjencitë shëndetësore shtetërore.
Javën e kaluar, Biden ka kritikuar administratën e presidentit aktual, Donald Trump, duke thënë se ekipi i tij nuk ka parë ende ndonjë skicë të detajuar nga zyrtarët që mbikëqyrin planin e vaksinimit.
Por, Slaoui tha se është i bindur që kur plani të shpjegohet, ekipi i tranzicionit “do ta kuptojë se gjërat janë planifikuar mirë”.
Mbi 282,000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara, ndërsa mbi 1.5 milion në të gjithë botën.
Shpërthimi i sëmundjes në SHBA aktualisht është më i rëndë në Kaliforni. Mbi 23 milionë njerëz atje përballen me masa të ashpra të izolimit, që do të nisin sot.
Shumë biznese do të mbyllen dhe njerëzit do të ndalohen të takojnë këdo jashtë familjes së tyre.
Urdhri është nxitur për shkak të ngarkesës në spitale.
Masat do të zgjasin së paku tri javë apo derisa kapacitetet spitalore të shkojnë sërish mbi 15 për qind.
Gjetkë në botë, presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, urdhëroi një zgjerim të testimeve për koronavirus, duke mobilizuar ushtrinë dhe më shumë punonjës të shërbimeve publike.
Urdhri erdhi pasi Agjencia e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në këtë vend raportoi për 615 raste të reja më 7 dhjetor.