Një burim i lartë diplomatik i BE-së, i cili informoi korrespondentët në Bruksel sot në mëngjes, tha se bllokada bullgare për shkak të kontestit bilateral me Maqedoninë e Veriut e frustron të gjithë Bashkimin Evropian, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Edhe krahas të gjitha përpjekjeve diplomatike, Bullgaria nuk po dorëzohet nga vetoja joparimore që po i vendos Maqedonisë së Veriut për kontestin bilateral, kjo është arsyeja pse i gjithë diskutimi për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor është hequr nga agjenda e ministrave të çështjeve evropiane nesër në Bruksel. Kjo e përfshin Shqipërinë, e cila shpresonte për ndonjë përparim në lidhje me kornizën e saj negociuese me BE-në.
Presidenca gjermane është frustuar që nuk ishte e mundur të bëhej zhvillim në kornizën e negociatave me Maqedoninë e Veriut, ne bëmë gjithçka që mundëm, duke përfshirë edhe lehtësimin e një kompromisi midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne nuk jemi të kënaqur që Bullgaria i bllokoi bisedimet e pranimit për shkak të çështjeve bilaterale me Maqedoninë e Veriut, prandaj vendet anëtare besojnë se nuk mund të përparohet as me Shqipërinë”, deklaroi një burim i lartë diplomatik i BE-së përpara takimit të nesërm ministror.
Sipas diplomatëve, “nuk ka dritë në fund të tunelit” në lidhje me zhbllokimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut, sepse Bullgaria nuk dorëzohet në mosmarrëveshjen bilaterale, e cila krijoi një bllokadë të plotë në Këshill në lidhje me zgjerimin.
Diplomatët në BE nuk presin përparim deri në fund të presidencës gjermane, ndërsa liderët e BE-së të enjten dhe të premten në Bruksel “nuk do të kenë kohë të merren me zgjerimin” sepse agjenda është “tashmë e plotë”.
Deri në fund të këtij viti, BE duhet të gjejë zgjidhje për partneritetin tregtar midis BE-së dhe Britanisë së Madhe, negociata që janë të bllokuara aktualisht. Ekziston gjithashtu një bllokim në pjesën e negociatave për buxhetin e BE-së dhe fondin e rimëkëmbjes për shkak të Hungarisë, e cila nuk pranon mekanizëm për mbikëqyrje të sundimit të ligjit.
Zgjerimi mund të jetë “suksesi” i presidencës gjermane në këtë vit krize për BE-në por për shkak të Bullgarisë, Berlini ndoshta nuk do të jetë në gjendje ta paraqesë këtë si një arritje”, komentojnë diplomatët në Bruksel.