Në prag të takimit të nesërm të Këshillit për punë të përgjithshme në Bruksel, ku duhet sërish të shqyrtohet dhe të vendoset për kornizës negociuese të BE-së me Maqedoninë e Veriut, vendi mbetet i përkushtuar në përpjekjet për lëvizje të procesit edhe përkundër mundësive minimale për tërheqje të vetos së paralajmëruar nga Sofja, e cila insiston që kërkesat e saj lidhur me historinë të përfshihen në kornizë.
Dhe derisa nga Sofja këto ditë zyrtarisht nuk kumtohet nëse është i mundur tejkalim dhe zhbllokim i kornizës negociuese që duhet ta hapë rrugën për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, Shkupi nënvizon se kanalet për komunikim me Sofjen vazhdimisht janë të hapura. Ana e Maqedonisë së Veriut është decide – nuk bisedohet për identitetin dhe gjuhën. Bëhet fjalë për dokument, i cili do të ishte memorandum apo protokoll që plotësisht do të konfirmohej, i kahëzuar drejt implementimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim.
Kryeministri Zoran Zaev është optimist deri në fund se megjithatë është e mundur që Bullgaria të heqë dorë nga vetoja e paralajmëruar për fillim të negociatave inkuadruese për Maqedoninë e Veriut deri në fund të vitit në suaza të kryesimit gjerman.
Konfirmoi se me Republikën e Bullgarisë janë vazhdimisht të hapura kanalet për komunikim dhe po bisedohet intensivisht për çështjet që u aktualizuan dhe që po parashtrohen si pengesë për dakordim për miratim të kornizës negociuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut për fillim të negociatave për anëtarësim në BE. E vlerëson si konstruktive paraqitjen e ministrin bullgar të Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov gjatë radio intervistës fundjavën që shkoi dhe theksoi se nga biseda, është e dukshme se Karakaçanov nuk e ka problem ta pranojë faktin për ekzistimin e gjuhës maqedonase dhe popullit maqedonas.
“Ne mbetemi të përgatitur në frymën e miqësisë që t’i ndërtojmë marrëdhëniet e ndërsjella mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe ta ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët. Sinqerisht shpresoj se ende ekzistojnë shanse që të pranohet korniza negociuese dhe të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare për fillimin e bisedimeve të vendit tonë me BE-në. Ekipet e të dyja ministrive të Punëve të Jashtme intensivisht po bisedojnë dhe konsideroj se udhërrëfyesi për të cilin debatohet është bazë e shkëlqyer që të mbetet dera e hapur për zgjidhjen e çështjeve të cilat u gjetën në integrimet evropiane të Maqedonisë së Veriut”, tha Zaevi.
Ai është optimist i kujdesshëm se Bullgaria do të bëjë hap pozitiv lidhur me eurointegrimet tona, edhe pse, thotë, nuk do të na befasojë dhe duhet të jemi të përgatitur për shtyrje të kësaj çështjeje për çka, thekson, mund të ndikojnë edhe zgjedhjet që e presin vendin në mars të vitit të ardhshëm.
“Unë realisht pres që Bullgaria mike të bëjë një hap përpara. Edhe pse është reale, e dinë edhe vet, e dimë edhe ne se gjithmonë në çdo kapitull mund të ndalojë procesi për të gjitha vendet, kështu edhe me MV. Duke e pasur këtë parasysh kemi plane veprimi, kemi narrative, memorandume se si t’i përshpejtojmë proceset e ndërtimit në miqësi akoma më të madhe midis maqedonasve dhe bullgarëve, por edhe të gjithë qytetarët në RMV. Besoj se mund t’ia dalim në këtë rrugë. Por, siç kam thënë më 11 Tetor, duke e njohur esencën e bisedimeve, nuk do të na befasojë, duhet të jemi të gatshëm se do të anulohet kjo çështje. Bullgaria pati mirëkuptim kur ishin zgjedhjet në RMV, ka zgjedhje edhe në Bullgari. Nuk them se kjo është arsyeja, por nuk është njëjtë sikurse jeni para zgjedhjeve dhe kur nuk jeni para zgjedhjeve”, potencoi Zaev.
Lidhur me përdorimin e mbiemrit “maqedonas”, i cili i frenon punët e Komisionit të përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike për shkak të interpretimit të ndryshëm të Marrëveshjes së Prespës, Zaev vlerësoi se Marrëveshja e Prespës dallon qartë se kur ai përdoret si përcaktim i ynë i identitetit. Ndjen keqardhje që nuk është arritur marrëveshje, për shkak të, siç vlerëson, mungesës së inventivitetit dhe guximit, por nënvizoi se në pjesën e historisë puna është e ekspertëve dhe profesionistëve, të cilët, është i bindur se do të gjejnë zgjidhje.
Partneri i koalicionit qeveritar dhe lider i BDI-së, Ali Ahmeti dje deklaroi se beson në zgjidhjen e kontestit maqedono-bullgar dhe pret që Bullgaria do t’i tejkalojë temat e ndjeshme. Sipas tij, sa më shumë të presim, aq më shumë emocione përfshihen në çështjet historike.
“I mbështesim bashkëqytetarët tanë maqedonas në këtë proces shumë të rëndësishëm dhe vlerësoj se pala bullgare do të ketë parasysh se këto procese të rëndësishme. Besojmë se Bullgaria do të gjejë fuqi t’i tejkalojë këto situata emotive, pasi nëse Ballkan futet në histori, do të duhet me të vërtetë të ndërtojmë një Ballkan të ri. Me interes të madh është ne të mos e humbasim hapin për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Ahmeti në deklaratë për Kanal 5.
Nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, ndërkaq, akuzojnë se Qeveria mbiemrin “maqedonas” e ka vendosur në tryezë në negociatat me Bullgarinë dhe druajnë se, siç thonë, do të heq[ë dorë nga historia maqedonase, gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas.
Aleksandar Pandov, kryetar i Institutit patriotik të VMRO-DPMNE-së në performansën e djeshme para Qeverisë deklaroi se katërshja Zoran Zaev, Nikolla Dimitrov, Bujar Osmani dhe Vllado Buçkovski, duke i quajtur “banda e daltonëve” e cila për momentin vendosë për fatin maqedonas, për të tashmen maqedonase dhe të ardhmen maqedonase, nuk kanë mandat dhe nuk guxojnë të vendosin për të ardhmen e vendit.
Javën e kaluar Qeveria e emëroi ish-kryeministrin dhe ish-kryetar i LSDM-së, Vllado Buçkovskin për përfaqësues të posaçëm për Bullgarinë me mandat prej një viti. Qëllimi është, siç theksuan nga Qeveria, të rrumbullakësohet me sukses procesi i zgjidhjes së çështjeve të hapura me Bullgarinë dhe të krijohet atmosferë për realizim të çështjeve në interes të të dy vendeve të përfshira me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe miqësi.
Zaev deklaroi se Buçkovski duhet të jetë vetëm motivues për zbatimin e Marrëveshjes për miqësi dhe fqinjësi të mirë, ndërsa negociatat për gjetje të zgjidhjes edhe më tej do t’i udhëheqë Ministria e Punëve të Jashtme.
Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, ndërkaq, javën e kaluar porositi se zgjidhja me Bullgarinë është në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë.
“Kur dy palët do të binden se zgjidhja është tek Marrëveshja, mendoj se gjithçka tjetër do të vijë në vend të vet. Përmes krijimit të planit të aksionit marrëveshja do të ketë parashikueshmëri, me qëllim që të reflektojë. Askush nuk ikë nga obligimet e Marrëveshjes”, deklaroi Osmani, duke shtuar se qëllimi është të kthehet besimi në proces, të tejkalohen interpretimet e ndryshme dhe të gjenden pika të afrimit dhe të shënimit të përbashkët të ngjarjeve dhe figurave historike.
Lidhur me deklaratën e eurokomisarit për zgjerim, Oliver Varheji se vendi “duhet t’i dalë përballë Bullgarisë për shqetësimet që i ka”, shefi i diplomacisë porositi se është e gabuar të presim se Komisioni mund të ketë raport simetrik ndaj një vendi anëtar dhe ndaj një vendi kandidat.
“Dhe atë jo vetëm Komisioni, por cili do vend tjetër anëtar. Qëllimi përse luftojmë për t’u bërë vend anëtar është mu për atë arsye të kemi raport simetrik ndaj nesh edhe nga Komisioni edhe nga vendet e tjera anëtare”, shtoi Osmani.
Intelektualët bullgarë gjatë fundjavës së kaluar në letër të hapur drejtuar kryeministrit Bojko Borisov, ministres së Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva, ambasadorëve të vendeve-anëtare të BE-së në Sofje, si dhe drejt Zyres së BE-së në vendin e tyre, kërkuan që Qeveria bullgare të janë “dritë të gjelbër” për fillim të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE pa hstyrje, përkatësisht kjo të ndodhë deri në fund të vitit 2020, në kuadër të kryesimit gjerman me Këshillin. Debatet, në vend se për çështje historike, të zhvendosen në fushën e bashkëpunimit në kulturë, ekonomi, politikë, ekologji… Është e papranueshme, thonë, kontestimi i kombit dhe gjuhës maqedonase, dhe është joadekuate të bëhet vetëvrasje politike, Propozojnë si një nga hapat e parë të jetë emërimi i infrastrukturës transportuese mes të shteteve të Korridorit 8, “Goce Dellçev”.
Athina zyrtare, ndërkaq, tani për tani, nuk ka marrë qëndrim për dallimet mes Shkupit dhe Sofjes, ndërsa porositë e vetme që vijnë nga Qeveria greke janë se edhe më tej vazhdojnë ta mbështesin perspektivën evropiane të vendeve të rajonit. Profesori nga Universiteti “Maqedonia” në Selanik dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Fondacionin grek për politikë të jashtme “ELIAMEP”, Janis Armakolas, në bisedë me korrespondenten e MIA-s nga Athina, për ngjarjet në relacionin Shkup-Sofje, komenton se është e padrejtë ajo që po i ndodhë vendit dhe se nuk është vonë Greqia të bëjë diçka për të ndihmuar në tejkalimin e dallimeve dhe zhbllokim të europerspektivës.
Mes tjerash, thotë ai, Athina nuk ua bëri të qartë partnerëve dhe aleatëve se Marrëveshja e Prespës, përkatësisht “raporti i ri strategjik me Maqedoninë e Veriut” dhe stabiliteti dhe përparimi i vendit, janë zgjidhje strategjike dhe interes me rëndësi vitale.
“Nëse do ta kishte bërë këtë, ndoshta do të ishte më vështirë, aq lehtë të vendosen pengesa në rrugën e Maqedonisë së Veriut. Por, nuk është vonë që Greqia të mund të bëjë diçka thelbësore. Mendoj se Athina, madje edhe tani mund ta sqarojë përzgjedhjen e saj për bashkëpunim dhe stabilitet dhe të tregojë se nuk ka mirëkuptim për aktivitetet që e varrosin, në mënyrë direkte ose indirekte. Pasojat nga aktivizimi i këtillë i Athinës do të jenë pozitive për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit, thekson Armakolas.
Ndërkohë, është konfirmuar se Sofja mbetet e izoluar në bllokadën për Maqedoninë e Veriut, tek të gjitha vendet e tjera anëtare nuk ka dilemë lidhur me kornizën e propozuar për negociata. Mundësia e fundit për miratim të kornizës për Maqedoninë e Veriut, siç lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina, është Samiti i BE-së nga mesi i dhjetorit, kur kontaktet e drejtpërdrejta bilaterale mes kryeministrit bullgar Bojko Borisov dhe shefave të tjerë të shteteve dhe qeverive të BE-së do të jenë mundësi për tentim të ri për presion. Posaçërisht pas deklaratës së kancelares gjermane, Angela Merkel se shpreson që deri në fund të vitit do të ketë lëvizje për Maqedoninë e Veriut.
Nëse Bullgaria nuk lëshon pe tani, gjysma e parë e vitit 2021 është nën shenjën e kryesimit portugez që ka më pak interesim për zgjerimin, ndërsa Bullgaria ka zgjedhje në mars, kështu që, ceket, sipas të gjitha gjasave, vendimi atëherë do të shtyhej madje për gjysmën e dytë tp vitit 2021, kur kryesimin do ta ketë Sllovenia. Prolongimi i tillë shkakton shqetësim tej shumica e vendeve anëtare lidhur me mbajtjen e kursit reformues në Maqedoni të Veriut.