Këto tre kompani, por edhe disa të tjera të cilat nuk i vizituam, janë me të vërtetë të rëndësishme për Ohrin dhe rajonin. Krijojnë vende pune me paga solide, mundësi që të rinjtë të mbeten në atdhe dhe këtu ta planifikojnë të ardhmen e tyre por kanë edhe impakt të madh në lëvizjen e ekonomisë lokale, duke përdorur produkte dhe shërbime prej kompanive të tjera lokale, theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi pas vizitës së kompanive ASP-PAK, shkritorja LTH dhe Kostall në Ohër me të cilat Qeveria ka nënshkruar marrëveshje për ndihmë shtetërore.
Gjatë vizitave të tre kompanive, zëvendëskryeministri u takua edhe me menaxhmentin e kompanive me të cilët u bisedua për punën e tyre vijuese, masat e Qeverisë për përballjen me krizën dhe masat e tjera për stimulimin e investimeve të reja si edhe me sfidat me të cilat përballen.
Aktivitetet njëditore në Ohër, zëvendëskryeministri i përfundoi me vizitën në kompaninë Kostall, investim gjerman. Të gjitha tre kompanitë të cilat u vizituan janë shembull pozitiv dhe kompani të suksesshme me cikël serioz investimesh prej rreth 80 milionë euro, për disa vitet e ardhshme dhe kanë impakt të dukshëm në zhvillimin ekonomik lokal në Ohër dhe në zhvillimin rajonal.
Bytyqi në deklaratën e tij përfundimtare pas vizitës në Ohër, potencoi se Qeveria në periudhën e ardhsme do të vazhdojë të zbatojë politika dhe masa me të cilat do të stimulohet ekonomia, për vende të reja pune, për jetë më të mirë të qytetarëve.
“Kompanitë janë ato të cilat e krijojnë ekonominë, ato janë baza e zhvillimit ekonomik. Ne si Qeveri do të vazhdojmë me mbështetjen e kompanive gjë që mund të them se do të lëvizë paralelisht në pesë drejtime. Vazhdojmë të punojmë në tërheqjen e kompanive të huaja me renome të cilat prodhojnë produkte me vlerë të shtuar më të madhe dhe ruajtjen e komunikimit të mirë dhe kujdesin për kompanitë e huaja të cilat tashmë janë duke punuar në vend”, tha Bytyqi.