Ministri i Shëndetësisë Venko Filipce sot do të ketë një takim pune me Trupin koordinues për vaksinat për Kovid-19 përmes mekanizmit KOVAKS, i cili siguron qasje globale dhe të ekuilibruar në vaksinat e sigurta dhe efektive, të aprovuara dhe të rregulluara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Në takim do të diskutohet strategjia për imunizimin me vaksinë për Kovid-19, si dhe për pranimin dhe shpërndarjen e vaksinave, kategoritë e qytetarëve që do të vaksinohen së pari, si dhe rrjedhën e procedurës së vaksinimit.
Në ditët e fundit, ka pasur një rënie të lehtë të infektuarve të rinj. Në 24 orët e mëparshme, nga 3399 teste të bëra, janë regjistruar 1342 raste të reja të koronavirusit, 22 persona kanë vdekur, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar 679 pacientë të shëruar.
Nga rastet aktive më shumë ka në Shkup – 10477, Prilep – 1031, Gostivar – 996, Tetovë – 974, Manastir – 942, Kumanovë – 886. Në qytetet e tjera ka më pak se 800.
Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me kovid në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 65.231, numri i pacientëve të shëruar është 41.656, i të vdekurve është 1.847, ndërsa numri i rasteve aktive është 21.728.
Nga java e ardhshme do të fillojë të punojë pika për testim me teste të shpejta antigjene për koronavirus edhe në poliklinikën e Shuto Orizares. Mjekët amë do të mund të caktojnë termin për testim nga e hëna. Nga e mërkura do të fillojë testimi dhe do të zhvillohet çdo ditë nga e hëna deri të premten në turnin e parë, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Në Shkup deri tani ka pasur gjashtë pika për teste të shpejta edhe atë në poliklinikat në Gjorçe Petrov, Çair, Çento, Bit Pazar, Jane Sandanski dhe Mlin Ballkan. Në këto pika në ditë bëhen nga 360 teste”, kumtojnë nga Ministria.
Numri i përgjithshëm i pacientëve pozitivë dhe të dyshimtë në koronavirus, të cilët trajtohen në repartet infektive në kryeqytet dhe në spitalet në tërë vendin janë 1.318 dhe ka 130 shtretër të lirë në Kovid-qendrat.
Në qendrat në Shkup, janë të hospitalizuar gjithsej 461 persona të dyshuar dhe të konfirmuar për Kovid-19. Në SPQ “8 Shtatori” janë gjithsej 108 pacientë, 151 pacientë në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, ndërsa 35 pacientë janë në Institutin Kozle për Sëmundjet e Mushkërive tek Fëmijët, nga të cilët shtatë janë fëmijë dhe 28 janë të rritur.
Në Institutin për TBC janë pranuar gjithsej 43 pacientë me simptoma të koronavirusit.
Në spitalet në të gjithë vendin, më shumë të hospitalizuar ka në Prilep 128, në Kumanovë 110 pacientë, në spitalin në Manastir janë të shtruar 81 pacientë pozitivë dhe të dyshimtë për Kovid-19.
Ushtruesi i detyrës, drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov deklaroi dje se drejtorët e spitaleve kërkojnë sigurim të përforcuar.
“Kemi kërkesë nga drejtorët e spitaleve për ta rritur numrin e pjesëtarëve të Armatës sepse njerëzit ndjehen më të sigurt kur ka ushtri”, thotë Angellov.
Ai theksoi se Shtabi i Përgjithshëm i Krizave takohet vazhdimisht dhe është i gatshëm të reagojë në çdo kohë, nëse është e nevojshme. Anëtarët e forcave të sigurisë mund të mblidhen për gjysmë ore deri maksimum një ore.
Angellov gjithashtu tha se një rrezik i mundshëm për përhapjen e infeksionit janë edhe emigrantët.
“Kemi informacione se në disa kampe është shumë i përhapur KOVID-19, sepse ata nuk kanë kurrfarë kushte atje, sidomos higjienike, e të mos flasim për distancën. Janë të stërmbushur me njerëz, veçanërisht në disa kampe në Greqi ku numri është disa herë më i lartë se i lejuari dhe transferimi, hyrja dhe dalja e tyre përmes vendit mund të ketë një ndikim negativ jo vetëm në aspektin e sigurisë por edhe në aspektin e përhapjes së KOVID-it”, tha Angellov.
Theksoi se ushtarët tanë, përveç që i sigurojnë kapacitetet shëndetësore si mbështetje për policinë, njëkohësisht janë të sistemuar edhe në kufijtë jugorë dhe veriorë.