Partia e Socialistëve Evropian (PSE) shprehi zhgënjimin për shkak bllokimit bullgar për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në, duke potencuar se mençuria politike e të dy vendeve është vendosur në testim.
“Vetëm gjuha e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të plotë i perspektivave afatgjata të rajonit mund ta kapërcejë me sukses këtë pengesë”, thuhet në kumtesën e Presidencës së PSE-së mbi situatën në procesin e negociatave të anëtarësimit.
Në reagim theksohet se Socialistët dhe Demokratët Evropianë kanë qenë gjithmonë mbështetës të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mirëpritën vendimin e Këshillit Evropian për të filluar negociatat e inkuadrimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në mars të këtij viti dhe prezantimin e projekt kornizës për negociatat në korrik.
“PSE shfaqi shpresën që përmes dialogut të barabartë dhe thelbësor midis Bullgarisë, e cila është anëtare e BE-së për 13 vjet, dhe Maqedonisë së Veriut, e cila shpreh fuqimisht dëshirën e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, do të gjejë zgjidhje në favor të të dy vendeve. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zeav, vazhdon të demonstrojë guxim dhe lidership derisa kërkon rrugëdalje nga ngërçi, duke dhënë sinjalin e parë se një dialog i tillë përmbajtësor është i mundur. Fillimi i shpejtë i negociatave të pranimit do të ndikojë pozitivisht në marrëdhëniet afatgjata midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Është koha që të gjithë të veprojnë me përgjegjësi dhe mençuri, të udhëhequr nga vizioni i një të ardhme të përbashkët evropiane” thuhet në kumtesën e PSE.
Partia e Socialistëve Evropianë shpreh gjithashtu shqetësim rreth rritjes së “valës së nacionalizmit dhe retorikës së krahut të djathtë” në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, e cila po kontribuon në ngecjen e negociatave të anëtarësimit.
“Njerëzit në të dy vendet do të kujtojnë gjuhën e urrejtjes në rajon gjatë Qeverisë së mëparshme konservatore të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Në Shkup, VMRO-DPMNE ndërpreu dialogun me Bullgarinë, Greqinë dhe të gjithë rajonin, duke e bërë anëtarësimin në BE një ëndërr të pamundur. Gjatë mandatit të saj, Maqedonia e Veriut mbijetoi dekadë të integrimit të ngrirë dhe marrëdhënieve të trazuara me vendet fqinje. Sot, VMRO-DPMNE-ja vazhdon të luajë lojëra të rrezikshme politike me gjuhë urrejtjeje, duke nxitur konfrontim. Kjo nuk është e ardhmja që njerëzit në Maqedoninë e Veriut e duan”, theksohet në kumtesën e PSE.
Sipas PSE, Qeveria socialdemokrate e Zoran Zaevit është ajo “që udhëhoqi Maqedoninë e Veriut në pikën fillestare të negociatave me BE dhe ai mbetet personi më i mirë për të vazhduar këtë proces, nëse vendit i jepet shans”.