Në Këshillin vjetor ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i cili mbahet sot dhe nesër në Tiranë, duhet të shqyrtohet kandidatura e Maqedonisë së Veriut për të kryesuar organizatën në vitin 2023.
Kandidatura propozohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë të Veriut dhe me vendim të Qeverisë, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, paralajmëroi në nëntor se i ka dërguar letër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryesuesit aktual të OSBE-së, i cili zyrtarisht do ta vendoste kandidaturën tonë në agjendën e takimit të dhjetorit të Organizatës.
Këtë vit, Maqedonia e Veriut e shënoi 25 vjetorin e anëtarësimit në OSBE dhe kjo është kandidatura e parë për kryesim të organizatës.
“Kryesimi me OSBE-në do të kontribuojë ndaj një pozicionimi të ri, më të mirë ndërkombëtar të Republikës së Maqedonisë të Veriut, si një aktor konstruktiv dhe kontribues në promovimin e angazhimeve të OSBE-së, ndërsa në mënyrë indirekte do të krijojë mundësi për të shfaqur kapacitetin institucional të pritur nga një anëtar i NATO-s dhe shtet i ardhshëm anëtar i BE-së”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Osmani në atë kohë.
Në Këshillin vjetor ministror të OSBE-së në Tiranë, vendet anëtare pritet të arrijnë marrëveshje mbi zgjedhjen e disa pozicioneve kryesore në këtë organizatë më të madhe rajonale të sigurisë.