Ndërtimi i deponive rajonale për vite me radhë ka qenë një “gështenjë e nxehtë” në duart e autoriteteve të Maqedonisë, të cilët problemin e zbatimit të projekteve vazhdimisht e hedhin nga qeveria lokale në qeverinë qendrore dhe anasjelltas. Si rezultat, pas më shumë se një dekade, në vend nuk është krijuar asnjë sistem i vetëm modern për trajtim të mbeturinave, me përzgjedhje dhe riciklim të tij në rajone, ndërsa për shkak të kësaj, deponitë ilegale po shumëfishohen në çdo cep të vendit. Shembujt e pasuksesshëm deri më tani për transformimin e deponisë së Shkupit “Drislla” përmes hyrjes së kapitalit privat vetëm e kanë komplikuar kuptimin e qytetarëve se si duhet të funksionojnë deponitë e ardhshme rajonale. Në vend se të ketë realizime në terren, në secilin rajon të veçantë janë shfaqur pakënaqësi në komunat ku duhet të vendosen deponitë rajonale, gjë që e vonon de facto realizimin e këtyre projekteve, shkruan Meta.mk.
Rajoni Verilindor dhe Lindor kanë shkuar më larg se të gjithë në realizim
Sipas Ligjit për menaxhim me mbeturinat, është parashikuar që në vend të krijohen tetë deponi rajonale, të cilat duhet të zgjidhin problemin me vendet me grumbuj të mbeturinave dhe deponitë ekzistuese komunale që nuk i plotësojnë standardet për mbrojtje të mjedisit jetësor. Gjatë viteve, edhe ekspertët, edhe autoritetet kompetente mendojnë se ky numër i deponive rajonale duhet të ulet në 5 deri në 7 lokacione të tilla, duke marrë parasysh kapacitetin e ulët të komunave për të bashkëpunuar në zbatimin e këtyre projekteve.
Në nivelin e të gjithë vendit, rajoni Verilindor dhe Lindor kanë shkuar më së largu në procedurën për krijimin e një deponie rajonale, e cila do të ndërtohet në një vend të përbashkët afër fshatit Meçkuevci, Komuna e Sveti Nikollës. Financimi i ndërtimit të deponisë rajonale dhe sistemi i plotë i menaxhimit të mbeturinave në të dy rajonet do të mbulohen nga fonde të pakthyeshme nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 40 milion euro, informojnë për “Meta.mk” nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Deri më tani, janë blerë dhe vënë në funksion pajisjet moderne për grumbullim dhe transport të mbeturinave për shërbimet publike në të dy rajonet, përfshirë kamionët, pajisjet e stacionit të transferimit dhe kontejnerë për përzgjedhje të mbeturinave me ngjyrë të gjelbër dhe të verdhë. Paralelisht, procedura për krijimin e një Ndërmarrje Publike Ndër-Rajonale të Menaxhimit të Mbeturinave do të përfundojë deri në fund të vitit, kohë në të cilën pritet të regjistrohet kjo kompani.
“Procedura për shpalljen e tenderit për zgjedhjen e një kontraktuesi për ndërtimin e deponisë rajonale në Meçkuevci është duke u zhvilluar, aplikacioni është dorëzuar në EUD dhe pritet një përgjigje prej tyre”, kanë informuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për “Meta.mk”. Së bashku me deponinë rajonale në Meçkuevci, paralelisht duhet të fillojë ndërtimi i dy stacioneve transferuese në Kumanovë në lokacionin e deponisë ekzistuese komunale “Krasta” dhe në Shtip. Pritshmëritë e kësaj ministrie janë që procesi i ndërtimit të fillojë vitin e ardhshëm, kurse afati i fundit për realizim do të ishte një vit.
Çfarë saktësisht është një sistem rajonal për menaxhim të mbeturinave?
Në përgjithësi, sistemi rajonal për menaxhim të mbeturinave në rajonin Lindor dhe Verilindor duhet të shndërrohet në një histori suksesi për trajtimin modern të mbeturinave. Në deponinë e ardhshme rajonale në fshatin Meçkuevci në Ovçe Pole, do të ekzistojnë reparte (impiante) të ndara për trajtim të mbeturinave, që do të thotë para-trajtim mekanik me copëtim të mbeturinave, përpunim të metaleve me ngjyra dhe skrinimin, kompostim të fraksioneve të lagësht, rafinimin dhe pjekjen. Do të ketë një fabrikë të veçantë për klasifikimin e mbeturinave të letrës, plastikës, qelqit dhe metaleve, në të cilën do të bëhet riciklimi i materialit. Në këtë lokacion do të ketë një impiant të vogël për kompostimin e mbeturinave të produkteve të kopshteve serrë dhe më e rëndësishmja – një deponi e re sanitare ndër rajonale, ku do të hidhen mbeturinat që nuk do të riciklohen nga 17 komuna në rajonin Lindor dhe Verilindor të RMV-së.
Përveç lokacionit afër Meçkuevcit, sistemi do të përbëhej nga gjashtë stacione transferimi të mbeturinave në Berovë, Makedonska Kamenicë, Koçan, Shtip, Rankovc dhe Kumanovë. Në këto gjashtë komuna do të ketë impiante të vogla për kompostimin e mbeturinave të produkteve të kopshteve serrë dhe në këto vende do të mblidhen mbeturina të përziera dhe speciale, siç janë mbeturinat e ndërtimit, objekte metali, mbeturina të rrezikshme komunale (ngjyra, ilaçe, mjete pastruese) dhe mbeturina të mëdha (dyshekë, orendi, qilima, etj.).
Qëllimi kryesor i këtij sistemi është që përzgjedhja e mbeturinave të fillojë nga familjet dhe ndërmarrjet, të vazhdojë brenda stacioneve të transferimit, ndërsa në të ardhmen impiantet moderne në fshatin Meçkuevci në Ovçe Pole të kryejnë seleksionimin dytësor dhe riciklimin e mbeturinave. Vetëm mbeturinat e pa-riciklueshme pritet të përfundojnë në deponinë e ardhshme rajonale, e cila do t’i shërbente rreth 370.000 banorëve me një kapacitet total prej 900.000 metra kub mbeturina.
Shoqata për Zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të mjedisit “Go Green” nga Shkupi për “Meta.mk” thanë se krijimi i një sistemi rajonal për menaxhim të mbeturinave në rajonin Verilindor dhe Lindor është diçka pozitive.
“Gjëja e parë pozitive është që të gjitha deponitë jo-standarde dhe deponitë e mbeturinave në rajonin e Lindjes dhe Verilindjes do të mbyllen dhe riparohen. Aktualisht, rajoni i Lindjes ka 11 deponi jo-standarde dhe 71 vende me bërllok, ndërsa në Verilindje, 5 deponi jo-standarde dhe 36 vende me bërllok. Duke iu afruar ndërtimit të deponisë sanitare rajonale, deponitë e ashtuquajtura jo-standarde dhe ato ilegale do të mbyllen dhe rehabilitohen. Deponia sanitare rajonale do të ishte deponia e parë moderne sanitare në vendin tonë sipas standardeve evropiane”, thanë nga “Go Green”.
Ata theksojnë se teknologjia moderne e deponisë së ardhshme rajonale në Meçkuevci, Komuna e Sveti Nikollës është praktikë që garanton mbrojtje dhe trajtim të sigurt të mbeturinave (mbulim, mbledhje dhe trajtim të kullimit, grumbullimit të gazit dhe mbrojtjes nga përmbytja), megjithatë qytetarët dyshojnë në realizimin dhe zbatimin e suksesshëm të këtij projekti.
“Këto deponi sanitare rajonale janë më shumë Qendra për menaxhim të mbeturinave ose disa mund t’i quajnë Fabrika për riciklim, por perceptimi i qytetarëve mbetet se mbeturinat nga të gjitha komunat do të dërgohen tek ata dhe se vetëm do të bëhen një deponi më e madhe se tani. “Sigurisht që ky është një perceptim i gabuar”, mendojnë nga “Go Green”.
Dame Dimitrovski, profesor universiteti në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në UKM, thotë se mbeturinat e gjeneruara në vend përfundojnë në lumenjtë dhe luginat tona, ndërsa ato që mblidhen nga shërbimet publike përfundojnë në të ashtuquajturat deponi komunale, të cilat në fakt janë deponi të mbeturinave.
“Në shumicën e atyre vendeve nuk ka asgjë që do të tregonte se dikush është kujdesur aty të krijojë një deponi të organizuar. Shumica e tyre as nuk janë të rrethuara, kështu që rregullisht të gjitha mbeturinat hidhen këtu pa ndonjë kontroll”, tha profesor Dimitrovski rreth deponive ekzistuese komunale jo-standarde në vend.
Ai shton se mbeturinat e përziera komunale që ne më së shumti i krijojmë si vend nuk kanë asnjë vlerë, por për të hedhur aty duhet të paguhet. Në të kundërtën, mbeturinat e para-zgjedhura kanë po aq vlerë sa materialet dhe sa zvogëlimi i sasive që do të deponoheshin.
Ndryshe, “Meta.mk” dërgoi pyetje në lidhje me ndërtimin e deponisë rajonale afër Meçkuevci të Ovçe Poles dhe Qendrat për zhvillim të rajoneve Lindor dhe Verilindor, prej ku morëm histori të detajuar për zhvillimin e projektit nga fillimi i saj në vitin 2009 deri më sot. Prej Qendër për Zhvillim të Rajonit Verilindor të Planifikimit deklaruan se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor është institucioni adekuat i cili duhet që të përgjigjet për këtë temë. Nuk morëm përgjigje për pyetjet që i dërguam nga autoritetet komunale në Sveti Nikole, e cila është zgjedhur si vetëqeverisje lokale ku duhet që të ndërtohet deponia e ardhshme për këto dy rajone në vend.
Popullata lokale proteston, por si i trajtojmë mbeturinat në vend?
Pyetja kryesore para çdo projekti për krijimin e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbeturinave është reagimi i popullatës lokale, e cila së bashku me kryetarët dhe këshillat e komunave, sapo të dëgjojnë për ndërtimin e një deponi rajonale në komunën e tyre, menjëherë organizojnë bllokime rrugësh, peticione dhe forma të tjera të rezistencës. Imazhe të tilla të rezistencës tashmë mund të shihen në rajonin Jugperëndimor me Komunën e Debarcës, në rajonin e Vardarit me Komunën e Rosoman, në rajonin e Pollogut me Komunën e Gostivarit dhe kohë pas kohe ato shfaqen edhe në rajone të tjera të vendit.
Sipas profesorit Dame Dimitrovski, ka arsye objektive dhe subjektive për këtë sjellje të popullatës. Së pari, në fushën e menaxhimit të mbeturinave, termi “jo në oborrin tim” („not in my backyard“,) është i njohur, gjegjësisht është mirë të zgjidhet çështja e mbeturinave, por jo domosdo në lagjen tonë. Së dyti, publiku ka përshtypjen se dikush dëshiron të imponojë një zgjidhje që nuk është e favorshme për banorët përreth, por është një interes biznesi i individëve.
Transparenca, puna publike, transparenca e vendimmarrjes, planet etj. nuk janë pikë e fortë e organeve shtetërore dhe komunale, dhe me një fjalë, banorët e Maqedonisë nuk besojnë në fjalën e autoriteteve dhe ky mosbesim në zgjidhjet e ofruara e ndërlikon edhe më shumë situatën.
“Askush nuk ua ka shpjeguar banorëve të vendeve të përmendura se çfarë do të ndërtohet, si do të bëhet, cilat janë rrjedhat e mbeturinave, nëse ata kanë përfitime nga lokalizimi i qendrave të përpunimit të mbeturinave në komunën e tyre. Media është e preokupuar me deklarata të politikanëve, në vend të pikëpamjeve të ekspertëve”, tha profesor Dimitrovski.
Dhe në realitetin e vrazhdët, kjo rezistencë e popullatës lokale jo vetëm që nuk kontribuon në trajtimin modern të mbeturinave, por ka edhe efekt negativ në rritjen e krijimit të deponive ilegale në çdo vend të mundshëm dhe djegien e tyre, e cila përveç ndotjes së tokës dhe ujit, çon edhe në ndotje të ajrit.
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës për trajtimin e mbeturinave në vend janë, për ta thënë butë, katastrofale. Vitin e kaluar në vend janë u gjeneruar, 915.943 ton mbeturina komunale, gjegjësisht një rekord prej 456 kilogramë për frymë, që është më së shumti që nga fillimi i publikimit të këtyre të dhënave në vitin 2008. Nga këto, shërbimet komunale kanë mbledhur 632.484 ton mbeturina komunale. Përgjigja në pyetjen se ku përfunduan 283,459 tonë mbeturina mbeturinash komunale vitin e kaluar mund të gjenden ndoshta në deponitë ilegale, numrin e saktë të të cilave askush nuk e di, por vlerësohet se është mbi 1000 në të gjithë vendin.
Nga ato që u mblodhën si mbeturina komunale në vitin 2019, mbeturinat e përziera komunale shënojnë shifra dëshpruese prej 85,8%, që kanë përfunduar si të pa përpazgjedhura në deponitë komunale. Vetëm 1,4 % e mbeturinave të mbledhura komunale janë përzgjedhur si letër, 1.4 % tjera janë përzgjedhue si plastikë, dhe 0.4 % e krejt asaj që mbledhur nga kontejnerët është përzgjedhur si qelq.
Go Green thotë se përzgjedhja primare e mbeturinave mungon në vend. Si shoqatë, në vitin 2018 ata filluan një projekt, me të cilin bëhet përzgjedhje primare e mbeturinave në 50 ndërtesa me 2.000 familje në Shkup. Ata gjithashtu formuan një profesion të ri “grumbullues dhe administrues me mbeturina”, në mënyrë që të kishin një mënyrë dhe një program arsimor për zyrtarizimin e mbledhësve të mbeturinave dhe punësimin e tyre në ndonjë ndërmarrje sociale.
“Shtatë grumbullues po kalojnë një program arsimor tre-mujor dhe posa të mbarojnë (dhjetor 2020) do të punësohen në një ndërmarrje sociale (Rend dhe Riciklim). Në ndërkohë, ne synojmë që rrjetin e përzgjedhjes primare të plastikës dhe letrës ta zgjerojmë në 510 ndërtesa të tjera në mënyrë që kompania të jetë fitimprurëse dhe t’i punësojë këto 7 grumbullues”, thonë nga “Go Green”, të cilët shpresojnë për mbështetje nga Qyteti i Shkupit dhe NP “Higjiena Komunale”.
Profesori Dame Dimitrovski informon se çdo vit, një grup më i madh i studentëve në Fakultetin e Makinerisë punojnë në analizën dhe zgjidhjet e mundshme për menaxhimin dhe trajtimin e mbeturinave. Studentët eksplorojnë zbatimin e teknologjive inovative, përvojat e punës në “qytete inteligjente” dhe aplikacionet e mundshme këtu. Vitin e kaluar, katër studentë aplikuan me kërkimin e tyre për të marrë pjesë në ngjarjen “Mos injoroni! Reagoni!” Ata kanë punuar në teknologjitë që duhet të zbatohen në një deponi moderne, të dizajnuar në deponinë Drisla në rajonin e planifikimit të Shkupit.
“Ata i paraqesin prezantimet e tyre para studentëve dhe kolegëve të interesuar. “Për fat të keq, studentët nuk gjejnë fushë për prezantimin e ideve të tyre para palëve të interesuara kompetente, megjithëse ata investojnë kohën e tyre, punën dhe mundësinë e hulumtimit për të përmirësuar kushtet e jetesës në Maqedoni dhe pa ndonjë kompensim”, tha profesori Dimitrovski.
Dhe pikërisht deponia “Drislla” është e vetmja në vend që ka leje mjedisore të integruar A, e cila hedh mbeturinat e mbledhura komunale në përputhje me standardet evropiane. Në fund të janarit të këtij viti, Qyteti i Shkupit arriti ta kthejë këtë deponi, e cila më parë i ishte dhënë me koncesion një kompanie italiane, e cila për nëntë vjet nuk arriti ta kthente atë në një vend për trajtim modern të mbeturinave. Si ekspertët ashtu edhe ambientalistët pajtohen se ky dështim në të kaluarën në deponinë Drislla ka pasur një ndikim të madh në krijimin e shembujve negativë në mesin e popullatës lokale të komunave të tjera në vend, ku duhet të ndërtohen deponitë rajonale.
Duke u kthyer në deponinë e ardhshme rajonale në fshatin Meçkuevci në Ovçe Pole, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thekson se projekti nuk do të rrezikojë prodhimin e ushqimit organik, ndërsa vendndodhja e tij do të kontribuonte që ndjeshmëria ndaj shqetësimit të jetë shumë e ulët.
“Ministria thekson se në çdo rast, deponitë e parregulluara që ekzistojnë aktualisht në të gjitha komunat janë shumë më të rrezikshme për zogjtë, florën dhe bujqësinë sesa deponia rajonale që është planifikuar të ndërtohet. Këto deponi, veçanërisht ato ku hidhen mbeturinat e thertoreve (megjithëse janë të ndaluara), janë vendi i helmimit më të madh të shqiponjës mbretërore dhe shkabave egjiptiane në dekada”, thonë ata.
Shqetësimet nga deponitë e ardhshme rajonale dhe stacioneve të transferimit në rajonin Lindor dhe Verilindor do të kontrollohen duke aplikuar një numër masash të praktikës së mirë për të parandaluar aromat dhe shpërndarjen e mbeturinave. Ata pretendojnë se frika e qytetarëve është e pabazuar. Përveç ndërtimit të një deponie rajonale sipas standardeve evropiane, projekti duhet të pastrojë gradualisht deponitë ilegale ekzistuese në të dy rajonet, ndërsa sistemi i përzgjedhjes dhe riciklimit të mbeturinave do të çonte në krijimin e vendeve të reja të punës për popullatën lokale.
Në çdo rast, pasi gjatë viteve të kaluara vendi e humbi shansin për të krijuar shembull pozitiv nga deponia Drislla, projekti që do të zhvillohet në rajonin Verilindor dhe Lindor është aktualisht shprea e vetme që më në fund të fillojë krijimi i një sistemi modern për menaxhim të mbeturinave.