Maqedonia e Veriut akoma ka mundësi për ta mbajtur Konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në këtë vit, gjatë kryesimit gjerman me BE-në, deklaroi kancelarja Angela Merkell në videokonferencën e sotme me parlamentarët e kontinentit evropian, deklaroi Dojçe Vele.
Megjithatë, kancelarja tha se ata po përballen me vështirësi lidhur me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare dhe se akoma ekziston nevoja e negociatave midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Jemi duke u përballur me vështirësi të mundësojmë mbajtjen e konferencës me Maqedoninë e Veriut”, tha Merkel. Shqipëria, siç tha, ka bërë progres të madh, por në pyetje është nëse do t’ia dalim në kohë me Maqedoninë e Veriut, pasi akoma ekziston nevoja e negociatave midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Më vonë duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve, Merkel tha se shpreson se Maqedonia e Veriut këtë vit do t’i fillojë negociatat, derisa Shqipëria duhet të presë.
“Në rastin e Shqipërisë, çështja është më ndryshe. Edhe krahas progresit, nuk mund të premtoj se kjo do të ndodhë këtë vit, por shumë shpejtë”, tha kancelarja në takimin virtual me komitetet parlamentare të vendeve anëtare të BE-së.
Merkel para parlamentarëve tha se i kushton vëmendje të madhe rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe se më tej “ka tensione, por ka edhe progres”. Sipas saj, Procesi i Berlinit është dëshmuar si nismë e mirë që jep rezultate.