Bashkimi Evropian nuk mund ta tradhtojë përsëri Maqedoninë e Veriut, e cila disa herë konfirmoi se për të nuk ka alternativë në rrugën drejtë BE-së dhe të marrëdhënieve të mira fqinjësore me Bullgarinë, deklaroi eurodeputetja sllovene Tanja Fajon për gazetën e Beogradit “Danas”.
“Nuk mund t’i tradhtojmë përsëri. Ne duhet të gjejmë zgjidhje me Bullgarinë në frymën e dialogut dhe ta kthejmë besimin e tyre në këtë proces. Vendet anëtare kanë edhe një mundësi që të vendosin deri në fund të vitit dhe ta hapin derën e BE-së për miqtë tanë të Maqedonisë së Veriut, sepse ata e merituan këtë”, tha Fajon, e cila është kryetare e Komitetit për Stabilizim dhe Asocim të Parlamentit Evropian.
Sipas saj, vetoja bullgare për kornizën negociuese me vendin ka shkaktuar dëshpërim jo vetëm te “popullata e Maqedonisë së Veriut, e ardhmja e së cilës është dukshëm në Bashkimin Evropian, por edhe te Parlamenti Evropian, i cili mbetet mbështetës dhe aleat i fuqishëm i Maqedonisë së Veriut”.