Është me rëndësi të madhe për qytetarët që të respektojnë masat për të na ndihmuar në mbajtjen e sistemit shëndetësor të qëndrueshëm, në betejën me pandeminë COVID, bëri thirrje ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në intervistën e mbrëmshme në televizionin “Sitel”. Ministri tha se nëse infeksioni përhapet me këtë dinamikë, shtretërit dhe personeli mjekësor në spitale do të mungojnë shumë shpejt. Filipçe theksoi se masat aktuale do të japin gradualisht rezultate, por papara shikueshmëria e virusit mund të çojë në një rritje të mëtejshme të numrit të të infektuarve, që do të thotë presion i madh mbi spitalet, njofton Portalb.mk.
“Të gjithë jemi në këtë betejë, është shumë e rëndësishme që qytetarët të na ndihmojnë duke respektuar masat. Ne nuk do të jemi në gjendje të durojmë shumë më tepër, nëse shkon me këtë dinamikë. Spitalet do të jenë të mbipopulluara dhe pastaj do të kemi tashmë një situatë në të cilën mund të mungojnë shtretërit dhe personeli. Unë sinqerisht shpresoj që masat gradualisht të japin rezultate, ndryshe nga disa javë më parë, faktori i transportueshmërisë R0 ka rënë seriozisht nga 1.5 në afër 1 dhe kjo jep një dozë optimizmi, por kjo nuk do të thotë që presioni mbi spitalet do të ulet. Virusi dhe sëmundja si formë klinike janë të paparashikueshme, ne nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë dhe me një rritje kaq lineare, presioni dhe problemi në spitale do të jenë të mëdha, gjë që në fakt tashmë po ndodh. U bëj thirrje që këto masa të respektohen”, tha ministri Filipçe.
Sistemi shëndetësor menaxhohet çdo ditë, ndërsa në qendrën klinike në Shkup, të gjithë departamentet e interne dhe personeli mjekësor janë mobilizuar plotësisht.
Ndërkohë, këtë mëngjes deri në orën 8 kishte 20 vende të lira njoftojnë nga ministria, ndërsa pritet që gjatë ditës pas regjistrimeve të pacientëve të shëruar, të lirohen vende shtesë në Klinikën e Sëmundjeve Infektive dhe Spitalin 8 Shtator. Në ditët në vijim, do të fillojë me punë edhe Kovid qendra e Klinikës për Veshë Hundë dhe Fyt (ORL).
Ministri informoi se katet e para në ndërtesat e klinikave interne tashmë janë mbushur, shtretërit dhe personeli janë siguruar, por po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Qytetarët me pasqyrë klinike më të butë dërgohen në trajtim në shtëpi për të siguruar vende për pacientët që kanë nevojë për shtrim në spital, shpjegoi ministri. Është paraparë që të lirohen vende shtesë edhe në klinikat kirurgjike, si dhe kapacitete shtesë në Spitalin 8 shtatori, por për një kohë të shkurtër është e mundur të mbushen edhe ato vende. Të gjithë spitalet dhe institucionet shëndetësore në vend, për herë të parë në histori trajtojnë vetëm një patologji, është kudo në botë njësoj, prandaj është shumë e rëndësishme që qytetarët të respektojnë masat për të mbrojtur veten dhe të tjerët dhe në këtë mënyrë edhe sistemin shëndetësor.
Në 24 orët e kaluara, 43 pacientë të rinj janë hospitalizuar në qendrat Kovid në Shkup për shkak të ndërlikimeve nga koronavirusi. Një total prej 433 personash të dyshuar dhe të konfirmuar për KOVID-19 po trajtohen në repartet e sëmundjeve infektive në kryeqytet.
Vendi dje shënoi rekord të vdekurisht prej 40 personash nga Kovid-19. Nga 1683 teste për Kovid-19 të kryera, në Maqedoninë e Veriut 591 persona dje rezultuan pozitiv me virusin korona, ndërsa 439 pacientë u shëruan.