Rekord prej 40 të vdekurve nga Kovid-19 ishte regjistruar gjatë ditës së djeshme, që përfaqëson numrin më të madh që nga paraqitja e sëmundjes. Megjithatë, paralajmërim për restrikcione të reja nuk ka. Kompetentët mbesin në të njëjtat, dhe bëjnë thirrje që të respektohen ato.
Vendimi i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse pas mbledhjes së djeshme është se nuk është koha për masa të reja restiktive për mbrojtje nga virusi Kovid-19. Mbeten në fuqi masat e njëjta – ndalesë për punë të objekteve hotelierike pas orës 21, grupim i jo më shumë se katër personave gjatë 24 orëve, si dhe respektim maksimal të protokolleve të të gjithë operatorëve ekonomikë. Nga Komisioni kërkojnë respektim të masave të përmendura.
Me qëllim të përballjes më efikase me virusin në nivel të shtetit, komponentët paralajmëruan se prej sot fillon zbatimi i testeve të shpjeta n shtëpitë e shëndetit në Shtip, Gostivar, Prilep, Strumicë dhe Kërçovë.
Nga MInistria e Shëndetësisë informuan se laborantët nga këto institucione, siç theksohet, javën e kaluar u trajnuan në Shkup dhe gjatë javës do të vazhdojnë trajnimet e teknikëve të laboratorëve nga qytete të tjera në të gjithë vendin, në mënyrë që testet e shpejta të jenë në dispozicion të mjekëve amë sa më shpejt të jetë e mundur në territorin e gjithë vendit.
Vetëm mjeku amë mund të caktojë test të shpejtë nëse pacienti përmbush algoritmin, pra ka simptoma të virusit Kovid-19, për jo më shumë se pesë ditë. Algoritmi për testimin e shpejtë është nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe mjeku amë, pasi ka marrë historikun mjekësor të pacientit, vendos nëse do të testohet me testim PCR apo antigjen- test të shpejtë.
Javën e kaluar në Qendrën Shëndetësore Shkup në gjashtë pikat në poliklinikat në Çair, Çento, Gjorçe Petrov, Bit Pazar, “Mlin Ballkan” dhe “Jane Sandanski” u kryen 1.138 teste nga të cilat 398 ishin pozitivë.
Gjithashtu, është paralajmëruar edhe mundësia për hapjen e kapaciteteve shtesë të të gjitha klinikave.
Siç theksoi dje ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, përveç Klinikës për Sëmundje Infektive me spitalin modular brenda saj dhe Institutit për Sëmundjet e Mushkërive TBC, për momentin punojnë katër qendra kovid në klinikat interne, përkatësisht klinikat për dermatovenereologji, neurologji, nefrologji dhe gastroenterohepatologji.
“Tani për tani kemi një numër të qëndrueshëm dhe sipas pasqyrës epidemiologjike presim që në periudhën vijuese të kemi më shumë lëshime të pacientëve nga spitali dhe të zvogëlojmë fluksin e pacientëve të rinj. Sidoqoftë, duhet të jemi të përgatitur për çdo skenar”, tha ministri Filipçe.
Sipas ministrit, gjendja është serioze dhe i gjithë personeli shëndetësor bën përpjekje mbinjerëzore për të mirëmbajtur sistemin dhe për t’u pranuar të gjithë pacientët. Sqaroi se po përballemi me një periudhë në të cilën duhet të qëndrojmë të qetë dhe të japim maksimumin si mjekë ashtu edhe si institucione, tha ministri në takim.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se pandemia me virusin korona e rraskapiti sistemin shëndetësor në Evropë dhe në SHBA.
Sekterari i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejesus theksoi se është i shqetësuar për numrin në rritje të rasteve të koronavirusit në vende të ndryshme, veçanërisht në Evropë dhe SHBA. Punonjësit në sistemin shëndetësor vijnë në pikën e kolapsit.
Ai i mirëpriti lajmet “inkurajuese” në lidhje me vaksinat kundër kovid-19, por vlerësoi se nuk është “koha për kënaqësi”.
Sa i përket vaksinës për Kovid-19, e cila paralajmërohet edhe te gjatë vitit të ardhshëm, Organizata Botërore e Shëndetësisë mbetet në qëndrimin se vaksina vetvetiu nuk do ta ndalojë pandeminë.
“Vaksina do t’i plotësojë mjetet e tjera që kemi, nuk do t’i zëvendësojë ato. Vaksina vetvetiu nuk do t’i japë fund pandemisë”, tha drejtori ekzekutiv, Tedros Adanom Gebrejesus. Mbikëqyrja do të duhet të vazhdojë, njerëzit do të duhet të testohen, izolohen dhe kujdesen, kontaktet do të duhet akoma të monitorohen”..
Nga ana tjetër, kompania farmaceutike Moderna njoftoi sot se efektiviteti i vaksinës eksperimentale kundër koronavirusit është 94,5 për qind.
Informacionet, siç konfirmon kompania, bazohen në fazën e fundit të testimit klinik.
Kjo është kompania e dytë amerikane që njofton se ka zhvilluar një vaksinë shumë efektive kundër Kovid-19 në vetëm shtatë ditë. Paraprakisht Fajzer njoftoi se efektiviteti i vaksinës së tyre ishte pak më shumë se 90 për qind.
“Moderna” erdhi në këto rezultate bazuar në testimin e 30.000 vullnetarëve, ndërsa po pritet që rregullatori shëndetësor amerikan të lejojë përdorimin e vaksinave.
Numri i të infektuarve në botë që nga fillimi i pandemisë tejkaloi 55 milionë. Janë shëruar mbi 38 milionë, aktivë për momentin janë 15,5 milionë, ndërsa betejën me Kovid-19 e kanë humbur 1,3 milionë persona.