Kryeministri Zoran Zaev u takua sot me Siril Bomgartner, ambasadori i ri i Republikës franceze në vendin tonë, me ç’rast në mbledhje u konstatua progres i dukshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut në disa vitet e fundit në drejtim të vendosjes dhe respektimit të vlerave evropiane dhe me këtë rast është shprehur pritje se shteti do të vazhdojë në këtë rrugë edhe në të ardhmen.
Siç kumtoi shërbimit për shtyp i Qeverisë, Republika e Francës e mbështet zhvillimin euroatlantik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në frymën e politikave të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit që i përfaqëson vendi ynë, siç deklaroi dje presidenti Makron në Samitin e Sofjes.
Në takim, shtohet në kumtesë, është diskutuar edhe për hapat konkretë që ndërmerren për të intensifikuar bashkëpunimin dypalësh midis vendit tonë dhe Francës, përmes veprimit të Agjencisë franceze për zhvillim në Shkup. Vlerësohet se ka interes të shtuar të kompanive franceze për të investuar në vend dhe se kjo hap një fushë të gjerë bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, shëndetësisë, mjedisit jetësor, energjetikës, bujqësisë.
Kryeministrit Zaev, siç theksohet e ka falënderuar presidentin Makron dhe qytetarët e Francës për mbështetjen e tyre në integrimin euroatlantik të vendit tonë, si dhe përmes fondeve evropiane, të cilat kanë një rëndësi të madhe për zbatimin e projekteve për një infrastrukturë moderne, evropiane. Gjithashtu, kryeministri Zaev i dërgoi një ftesë presidentit francez Makron për të vizituar vendin tonë.
“Ne jemi të përqendruar fuqimisht në vendosjen e vlerave evropiane në vendin tonë dhe në zhvillimin e ekonomisë, e cila sjell përfitime për qytetarët. Mbështetja nga miq të sinqertë, siç është Republika e Francës, do të thotë shumë për ne. Kemi treguar që me politikat e dialogut kemi një rol konstruktiv në zhvillimin evropian dhe ekonomik të rajonit dhe vazhdojmë të punojmë në atë drejtim”, tha kryeministri Zaev.
Kryetari i Qeverisë, Zaev, paralajmëroi pjesëmarrjen e tij në Samitin e nesërm të paqes në Paris, me çka, siç tha, edhe një herë konfirmon se Republika e Maqedonisë së Veriut edhe një herë konfirmon se qëndron prapa përcaktimeve strategjike të Evropës për politikat e miqësisë, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë në mënyrë që të kontribuojë dhe duke siguruar paqen në botë, qëndron në kumtesën e Qeverisë.