Unë besoj se kemi impuls të shtuar dhe mbështetje të dukshme politike për procesin e zgjerimit dhe zbatimin e negociatave të pranimit. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta përdorim atë për të mirën e të gjithë qytetarëve, theksoi kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij në Sofje në Samitin e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit në të cilin këtë vit bashkë-nikoqirë janë Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut
Për shkak të situatës me KOVID-19, Samiti është organizuar me prezencë fizike të kryeministrave Zoran Zaev dhe Bojko Borisov në Sofje dhe me pjesëmarrje përmes video konferencës për pjesëmarrësit e tjerë.
Në fjalimet përshëndetëse për punën e suksesshme në Samit, kryeministri Zaev, potencoi se ajo që për së pari herë nga fillimi i Procesit të Berlinit, bashkëkryesues janë një vend kandidat nga rajoni bashkë me vend fqinj anëtar të BE-së dëshmon se rajoni fuqishëm e pranoi këtë proces si të vetin dhe se me këtë bashkëpunim Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria siguruan platformë të shkëlqyeshme për përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, kumtoi pres shërbimi qeveritar.
Kryeministri Zaev e theksoi dinamikën e re në procesin e aderimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor në BE, veçanërisht pas Këshillit Evropian të muajit mars me metodologjinë të ripërtërirë negocuese dhe vendimet për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe Samitin e Zagrebit në muajin maj, si dhe me pakon për zgjerimin e Komisionit Evropian këtë vjeshtë dhe me planin serioz ekonomik dhe investues.
Zaev shtoi se bashkë me përpjekjet e kryesimit gjerman me Këshillin Evropian, kjo dinamikë është mundësi e shkëlqyer që rajoni i Ballkanit Perëndimor të përparojë në mënyrë të sigurt drejt BE-së.
“Besoj që kemi impuls të ripërtërirë dhe mbështetje politike të dukshme për procesin e zgjerimit dhe për realizimin e bisedimeve aderuese. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi në mënyrë sa më të mirë për të gjithë qytetarët”, theksoi kryeministri Zaev.
Me paralajmërimin e 9 miliardë euro grante, të shtuara nga Instrumenti i ri për garanci për Ballkanin Perëndimor, me të cilin duhet të rriten investimet për 20 miliardë euro, BE-ja gjithashtu në mënyrë të guximshme e konfirmoi mbështetjen e saj për Ballkanin Perëndimor, tha kryeministri Zaev dhe shtoi se kjo pako do të sigurojë mbështetje të madhe financiare për proceset tona reformuese dhe për transformimin ekonomik të rajonit.
“Jam shumë i lumtur se sot do të kemi mundësi të diskutojmë për drejtimet kyçe strategjike për rajonin tonë, për vizionin, për tregun e përbashkët rajonal dhe për Agjendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Mbështetja për të dyja iniciativat përmes deklaratat të liderëve të Ballkanit Perëndimor duhet të nxisin zhvillimin e rajonit, por gjithashtu edhe të përqendrohen në disa nga sfidat aktuale, ekologjike dhe shëndetësore, me potencial të madh për rritje dhe krijim të vendeve të reja të punës”, theksoi Zaev.
Kryeministri Zaev në fjalimin e tij në fillim të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Sofje tha se bazat e transferimit ekonomik, social dhe të gjelbër të rajonit tonë për vitet e ardhshme janë fuqimisht të përcaktuara dhe se rajoni gjithashtu e tregoi pjekurinë e tij për rezistencë gjatë kësaj pandemie.
“Pandemia edhe më shumë e bashkoi Ballkanin Perëndimor në luftën kundër këtij armiku të padukshëm, duke sjellë tolerancë dhe bashkëpunim dhe duke krijuar vetëdije të përbashkët se humanizmi ka përparësi para politikës”, theksoi kryeministri Zaev.