Bisedimet me Bullgarinë vazhdojnë edhe drejtpërdrejt edhe përmes zyrtarëve dhe ekipeve qeveritarë për të gjetur zgjidhje të përbashkët për çështjet e hapura bilaterale në interes të të dy vendeve dhe në interes të integrimit evropian. Për këtë, bindjen e tyre të ndërsjellë e shprehën dje në bisedë telefonike kryeministrat e të dy vendeve, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov.
Në bisedën telefonike, kyeministrat Zaev dhe Borisov, siç theksohet në kumtesën qeveritare, madje kanë shkëmbyer informacione rreth përgatitjeve të Samitit të ardhshëm në Sofje në kuadër ta Procesit të Berlinit dhe kanë dakorduar edhe një bisedë telefonike për ditën e sotme, ku do të sillet vendim nëse takimi i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Samitit të martën do të mbahet me prani fizike në Sofje ose tërësisht onlajn.
Si pjesë e bashkë-kryesimit të përbashkët me Procesin e Berlinit, sot ministrat e Punëve të Jashtme të të dy vendeve, Bujar Osmani dhe Ekaterina Zaharieva do të bashkëkryesojnë me takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme, në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të BE-së dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Takimi është përpara Samitit të shtatë të Procesit të Berlinit i planifikuar për më 10 nëntor në Sofje të këtij viti.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, përmes një video mesazhi, bëri thirrje për qetësi dhe përgjegjësi, pasi siç tha ai, ne kemi arritur shumë dhe jemi shumë afër për të lejuar që ta humbim këtë mundësi.
“Në vendet anëtare të BE-së dhe fqinjët tanë në Bullgari ekziston ndjenja e përgjegjësisë dhe nevojës për gjetjen e zgjidhjes. Prandaj nuk guxojmë të lëshojmë këtë mundësi, është shumë me rëndësi për të gjithë ne”, deklaroi Osmani.
Ai thekson se vendi ka investuar shumë, është arritur shumë dhe thjeshtë jemi shumë afër që të lejojmë të lëshojmë këtë mundësi.
“Ne nuk kemi marrë besimin për të krijuar mllef ose të projkektojmë atë mllef, por që të kërkojmë zgjidhje. Kemi shumë miq që duan të na ndihmojnë. Shumë vende, interesi i të cilëve përkon me atë tonin. Por e di se kemi motiv të fuqishëm të ruajmë integrimet tona evropiane”, theksoi Osmani.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE, Dimçe Arsovski dje u bëri thirrje kryeministrit, Zoran Zaev, zëvendëskryeministrit, Nikolla Dimitrov dhe presidentit, Stevo Pendarovski të thonë atë për të cilën ranë dakord në Berlin.
“Zaev, Pendarovski dhe Dimitrov kanë heshtur disa ditë dhe nuk thonë për çfarë ranë dakord në Berlin, përkatësisht çfarë pranuan në Berlin në dëm të popullit maqedonas? Zaev dhe të tjerët nga LSDM-ja dhe Qeveria i nënvlerësojnë qytetarët, duke menduar se nuk do të kuptohet se çfarë premtojnë, për çfarë bien dakord dhe çfarë normalisht pranojnë”, deklaroi Arsovski.
Sipas Arsovskit, ajo që mund të gjendet dhe dëgjohet në mediat dhe aktorët politikë bullgarë është se ekzistonin tre kushte, përkatësisht emërtimi i gjuhës, përdorimi i emrit të gjatë të shtetit dhe monitorimi i zhvillimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike konsideron se bllokimi i rrugës evropiane të Maqedonisë nga Bullgaria është një gabim katastrofal me pasoja të rënda për marrëdhëniet midis dy vendeve, ndërsa do të reflektojë në stabilitetin e Ballkanit në tërësi.
“Qeveria e Maqedonisë duhet të njoftojë mjaft qartë dhe me zë të lartë se nuk ka bisedime dhe negociata për popullin maqedonas dhe gjuhën maqedonase. Populli maqedonas është një popull autentik, ndërsa gjuha maqedonase është e krijuar me mijëra vjet mbrapa”, tha në kumtesë Lidhja Demokratike, duke sugjeruar që diplomacia jonë të nisë një ofensivë për t’i shpjeguar kërkesat absurde të Bullgarisë ndaj vendeve anëtare të BE-së, ndërsa Parlamenti të miratojë Rezolutë për atë se Maqedonia mbetet në rrugën evropiane.