Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, do të jetë ushtruese e detyrës presidente shteti, pasi presidenti i deritanishëm Hashim Thaçi sot dha dorëheqje nga funksioni.
Në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, Osmani do ta kryejë detyrën, jo më gjatë se gjashtë muaj deri në emërimin e presidentit të ri të shtetit i cili zgjidhet nga Kuvendi.
Për këtë funksion mund të nominohet kandidat ose një kandidate me propozim të 30 deputetëve ndërsa një deputet mund të nënshkruaj propozim për një kandidat.
Zgjedhja e kryetarit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve në Kuvend. Nëse asnjë prej kandidatëve nuk i merr votat e nevojshme atëherë në votimin e tretë zgjidhet me shumicë të thjeshtë një prej dy kandidatëve të cilët kanë marrë më së shumti vota në votimet paraprake.
Hashim Thaçi, të cilit mandati pesëvjeçar i skadon në maj të vitit të ardhshëm, sot dha dorëheqje, pasi u konfirmua aktakuza kundër tij prej Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në Kosovë, selia e së cilës është në Hagë.
Thaçi është një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa në kohën e luftës midis Kosovës dhe Serbisë ishte drejtor politik i saj.