Kandidati i Partisë Demokratike në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, Xho Bajden ka fituar në Miçigan, shtet i ri kyç federal dhe është shumë afër fitores.
Para fitores në Miçigan, Bajden mbrëmë me fitoren në Uiskonsin iu afrua fitores ndaj presidentit aktual amerikan dhe kandidatit republikan, Donald Tramp.
Miçigan, Uiskonsin dhe Pensilvania ishin shtetet kryesore në zgjedhjet e mëparshme në vitin 2016. Në secilin prej tyre, Tramp mundi kandidaten demokrate Hilari Klinton me më pak se një për qind.
Bajden deri më tani ka fituar në 22 nga 50 shtetet dhe Distriktin e Kolumbisë dhe “ka fituar” 264 vota elektorale. Ai mori më shumë se 71 milionë vota – më së shumti në historinë e zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së.
Rivali i tij, republikani Tramp, fitoi në 23 shtete dhe “mblodhi” 214 vota elektorale.
Votuesit nuk votuan direkt për Tramp 74-vjeçar ose për Bajdenin 77-vjeçar, por zgjedhin votues, (elektorë), demokratë ose republikanë, të cilët zgjedhin formalisht presidentin (Kolegjin Zgjedhor) në dhjetor. Meqenëse ky akt është një formalitet, fituesi njihet menjëherë pas zgjedhjeve.
Kandidati që fiton në një shtet federal “merr” të gjithë votuesit e tij, përveç në Mejn dhe Nebraska. Kandidatët mund të ndajnë votuesit në Mejn dhe Nebraska, në varësi të rezultateve të nivelit të elektoratit në ato shtete.
Fituesi nuk dihet ende në pesë shtete: Pensilvani (20 votues), Xhorxhi (16), Karolina e Veriut (15), Nevada (6) dhe Alaska (3).
Për shkak se kandidatit i duhet mbështetja e 270 nga 538 votues për të fituar, Bajden duhet të fitojë vetëm një nga pesë shtetet e mbetura për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë.
Në Pensilvani, me 89 për qind të votave të numëruara, Tramp kryeson me 50.7 për qind, ndërsa Bajden ka 48.1 për qind. Bajden ka më shumë mundësi të fitojë në Pensilvani, sepse, midis votave të mbetura, ato dërgohen kryesisht me postë, mes të cilëve kandidati demokrat ka avantazh joproporcional.
Tramp kryeson në Xhorxhi, ku janë përpunuar 98 për qind të votave, me 49.6 për qind, ndërsa Bajden ka 49.1 për qind.
Në Karolinën e Veriut, me 94 për qind të votave të numëruara, Tramp ka 50.1 për qind, ndërsa Bajden 48.7 për qind.
Bajden ka avantazh në Nevada, ku pas 75 për qind të votave të përpunuara, ai ka 49.3 për qind, ndërsa Tramp 48.7 për qind.
Alaska është një bastion tradicional republikan dhe fitorja e Trampit në atë vend nuk vihet në diskutim.
Tramp i akuzoi demokratët për mashtrim zgjedhor, pa theksuar dëshmi dhe njoftoi se rezultatet do të kontestohen në Gjykatën e Lartë të SHBA-së.
Presidenti amerikan tha dje se ai kishte një avantazh të fortë në shumë vende kyçe gjatë natës së zgjedhjeve, por që atëherë ajo filloi të “zhdukej në mënyrë magjike”.
Arsyeja për këtë është se në disa shtete kryesore si Pensilvania, Uiskonsin dhe Miçigan, votat e fundit dërgohen me postë, midis të cilave Bajden ka një avantazh joproporcional, ndonjëherë më shumë se 75 për qind.
Shtabi zgjedhor i Trampit tashmë ka filluar të zbatojë atë që presidenti i SHBA-së ka propozuar për javë të tëra, se ai do të vinte në dyshim integritetin e procesit zgjedhor në ato qarqe që mund të kishin një ndikim vendimtar në humbjen e tij zgjedhore.
Ekipi i juristëve të presidentit amerikan ka ngritur padi kundër Pesilvania, Miçigan, Xhorxhia dhe Nevada, duke kërkuar qasje më të mirë të vëzhguesve të Trampit në lokacionet ku numërohen votat dhe vihen në pikëpyetje votat që merren me postë.
Një grup njerëzish në Detroit u përpoqën mbrëmë të parandalojnë numërimin e votave në shtetin federal amerikan Miçigan njoftoi NBC. Turmat bërtitën për të ndaluar numërimin e votave dhe njerëzit që punonin në qendrën e votimit mbuluan dritaret me kartona për pica në mënyrë që protestuesit e mbledhur të mos mund të shihnin se çfarë po ndodhte brenda, njoftoi NBC.
Ky televizion shton se situata është jashtëzakonisht e tensionuar.
Mbështetësit e presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, disa të armatosur, mblidhen përpara qendrave të numërimit të votave për zgjedhjet presidenciale.
Në disa shtete, të udhëhequra nga lideri amerikan, protestuesit kërkojnë t’i jepet fund numërimit, ndërsa në të tjerat, ku mbetet prapa, të vazhdojë.
Në Qarkun Marikopa, Arizona, persona të armatosur hynë në një qendër votimi derisa protestuesit mblidheshin jashtë. Media lokale raportoi se disa nga protestuesit ishin të armatosur.
Shumë mbajnë kapele me logon “Bëje Amerikën të madhe sërish” dhe parulla me akuza të pabazuara për mashtrim zgjedhor.
Numërimi vazhdon në zonën kryesore. Xho Bajden ka pak epërsi në Arizonë.
AP dhe media të tjera amerikane, përfshirë Foks Njuz, e shpallën Bajdenin fitues.