Pas progresit të arritur në Berlin në takimin e zëvendëskryeministrit për Çështjet Evropiane Nikolla Dimitrov dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, si dhe ministres së Jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva me iniciativë të homologut të tyre gjerman Hajko Mas, vazhdojnë përpjekjet diplomatike në drejtim të afrimit të qëndrimeve të dy palëve në mënyrë që të mundësohet mbajtja e seancës së parë ndërqeveritar me BE-në gjatë Presidencës gjermane.
Zaharieva dje për mediat bullgare tha se është bërë progres i caktuar për çështjet e hapura, por ne ende nuk jemi në gjendje të aprovojmë kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut. Ne jemi me qëllime të mira, por nuk mund të bëjmë kompromise që do të vazhdojnë të çojnë në fushatë anti-bullgare, ky është qëndrimi i Qeverisë bullgare.
“Thuhet qartë se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe marrëveshja me Bullgarinë duhet të respektohen. Në vitin e fundit dhe më shumë se një vit ne kemi qenë dëshmitarë të mosrespektimit ekstrem dhe sistematik të kësaj marrëveshjeje. Nuk po flas vetëm për komisionin për historinë. Ka vërejtje në lidhje me përparimin e Korridorit 8, kemi raste në të cilat krijohen pengesa administrative për investitorët bullgarë, mosgatishmëria e Maqedonisë për t’iu përmbajtur formulës gjuhësore në marrëveshje. Komisioni i përbashkët për historinë nuk ka punuar për gati një vit. Bullgaria mendon se ritmi nuk është i mjaftueshëm”, tha Zaharieva.
Nga ana tjetër, pala maqedonase shprehu optimizëm të përmbajtur se kontaktet e shpeshta dhe takimet e nivelit të lartë me Bullgarinë çojnë në pozicione më të ngushta. Shprehet mirënjohje për Gjermaninë, e cila kryeson me Presidencën e BE-së, për angazhimin e saj të zgjeruar për të përmbushur qëllimin e përbashkët: mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për të filluar negociatat me BE-në dhe tregohet angazhimi i vendit ndaj Marrëveshjes së vitit 2017, për të cilën thonë se ofron kornizë dhe mjete për menaxhimin e çështjeve bilaterale.
“Jemi të bindur se tre qëllimet tona: shqetësimi për interesin kombëtar dhe e drejta e vetëvendosjes së popullit maqedonas, e ardhmja jonë evropiane dhe hapja e negociatave aderuese me konferencën e parë ndërqeveritare në dhjetor dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në bazë të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë nuk janë vetëm kontradiktore. njëra me tjetrën, por janë plotësisht kompatibile”, theksojnë nga Qeveria.
Përpjekjet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për t’i afruar pozicionet në lidhje me keqkuptimet e ndodhura në periudhën e kaluar, për të mundësuar mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare midis vendit dhe Bashkimit Evropian, ishin tema e një video konference të kryeministrit bullgar Bojko Borisov me kancelaren gjermane Angela Merkel.
“Unë e falënderova për angazhimin e saj personal dhe të presidencës gjermane për kërkimin e formulave për ta mundësuar fillimin e negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në BE. Unë besoj se me ndihmën e Gjermanisë, veçanërisht gjatë presidencës së saj, Këshilli i BE-së do të marrë vendime të forta dhe të drejta”, shkroi Borisov në profilin e tij në Fejsbuk për bisedën, që ka zgjatur 40 minuta.
Me kancelaren gjermane Angela Merkel sot do të bisedojë edhe kryeministri Zoran Zaev. Ai dje tha se shikon optimizëm edhe në fjalimet e Zaharievës, por edhe në statusin në Fejsbuk të kryeministrit Bojko Borisov. Ai theksoi se ndihma nga Gjermania është e mirëseardhur dhe vlerësoi se komunikimet e shpeshta midis grupeve të punës dhe ministrave nga të dyja palët japin rezultate, sepse këto janë dy vende mike.
“Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të hapë kapitujt përmes konferencës së parë ndërqeveritare. Mundohem të ketë një kuptim të plotë. Të dy palët duan një zgjidhje”, tha Zaev.
Në përpjekjet diplomatike u kyç edhe presidenti federal gjerman Frank Valter-Shtajnmajer, i cili theksoi se pas bisedimeve konstruktive midis përfaqësuesve të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në Berlin gjatë ditës së djeshme, shpreson se në kuadër të presidencës gjermane, deri në fund të këtij viti, zyrtarisht do të fillojnë negociatat e BE-së me shtetin tonë.
Në këtë rast, theksoi se çështjet dypalëshe duhet të zgjidhen në frymën e fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane.
Të dy presidentët kanë konstatuar se çështjet lidhur me historinë duhet vazhdojnë të diskutohen midis ekspertëve në kuadër të komisionit të përbashkët për çështje historike dhe arsimore. Është theksuar edhe përvoja pozitive të Gjermanisë në këtë fushë dhe mbështetjen e ofruar në punën e komisionit.
Presidenti bullgar, Rumen Radev shkroi në profilin e tij në Fejsbuk se inkuadrimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE është mjaft i rëndësishëm për rajonin tonë dhe Bullgaria gjithmonë e ka mbështetur. Megjithatë, Bullgaria duhet të ketë garanci të qarta se uniteti i kombit bullgar dhe trashëgimia jonë kulturoro-hirstorike nuk do të vihen nën pikëpyetje prej faktorëve të jashtëm. Si anëtare përgjegjëse e Bashkimit Evropian, nuk mundemi dhe nuk duhet të lejojmë të fusim probleme të reja të pazgjidhura në Union.
“Nuk mundemi, qëndron në publikim, t’i japim legjitimitet evropian urrejtjes së Bullgarisë. Tre vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi dhe bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë së Veriut për fat të keq vazhdojmë të dëshmojmë fjalë ofenduese dhe të palejueshme për Bullgarinë.”
Nëse Xho Bajden zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ai do të mbështesë integrimin e Maqedonisë të Veriut në Bashkimin Evropian, deklaroi ish-zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hojt Ji, i cili tani është pjesë e Shtabit zgjedhor të kandidatit demokratë për president.
“Besoj fort se Bajdeni do të avokojë për integrimin e Maqedonisë të Veriut në BE. Ky sigurisht është vendim që duhet të merret nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja nuk mund të imponojnë vullnetin e saj, por ne besojmë se ndajmë të njëjtat synime me shumicën e vendeve evropiane. Ne duam ta shohim Maqedoninë e Veriut të integruar në institucionet evropiane. Pres që Bullgaria dhe pjesa tjetër e BE-së të gjejnë një mënyrë për të kapërcyer problemet në mënyrë që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Ji.
Burime diplomatike nga vende anëtare në Bruksel për MIA-n sqarojnë se akoma po zhvillohet betejë në nivel ambasadorësh nga ana e Bullgarisë në projekt konkludime të hyjnë disa vërejtje shtesë, por, së paku tani për tani, kërkesat bullgare nuk janë pranuar, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli. Nëse arrihet marrëveshje deri nesër, ambasadorët e vendeve anëtare do të mund ta miratojnë kornizën negociuese, ndërsa në të kundërtën ata sërish do të takohen për këtë temë të premten, me shpresë se deri atëherë do të tejkalohen dallimet dhe do të hapet rruga që ministrat më 10 nëntor t’i japin dritë të gjelbër dokumentit.
Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në takimin e fundit javën e kaluar harmonizuan tekst për kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriut, në të cilin nuk figurojnë kërkesat e Sofjes lidhur me gjuhën, identitetin dhe historinë, por Bullgaria vazhdon të lobojë për ndryshime, sqarojnë nga Këshilli i BE-së për MIA-n.